Biznes

Oracle organizon një forum me partnerë në Tiranë

Publikuar , 29 Shtator 2009
0
Oracle organizon një forum me partnerë në Tiranë

Të ftuar ishin partnerët e Oracle në Shqipëri; Intech+, Infosoft Systems dhe CCS, së bashku me përfaqësues të teknologjisë informatike dhe të menaxhimit të shumë bankave të ndryshme që veprojnë në Shqipëri. Ndër to kishte edhe klientë ekzistues të disa shërbimeve të Oracle të ofruara nëpërmjet partnerëve të sipërpërmendur dhe institucione financiare të cilat u prezantuan për herë të parë me to.
Pas fjalës së mirëseardhjes nga Albert Kola, menaxher i zhvillimit të biznesit, dhe Maria Argyti, menaxhere e aleancave dhe kanalit, fjalën e mori Neil Dodgson, drejtori i përgjithshëm i shërbimeve financiare për vendet e EMEA-s, i cili prezantoi në tërësi ofertat për menaxhimin e riskut dhe shërbimet e tjera financiare nga Oracle, duke dhënë shembuj të thjeshtuar mbi problemet e sistemit bankar në ditët e sotme dhe zgjidhjet me të cilat Oracle përgjigjet.
Ndoqën më pas në prezantim Isil Oslem Kilinc, meanaxhere e zhvillimit të biznesit EE dhe CIS dhe Gerasimoi Moulas, konsulent i përgjithshëm i shitjeve për BI (Business Intelligence), të cilët u ndalën në përshkrimin më të detajuar të disa shërbimeve financiare.
Në mbyllje, fjalën e mori Katerina Kalimeri, konsulente e përgjithshme e shitjeve për pigurinë, e cila u ndal në sigurinë e shërbimeve financiare.
Në përfundim të takimit pata dhe fatin të shkëmbeja dy fjalë me Z. Neil Dodgson mbi këtë prezantim në Shqipëri. Meqë kjo ishte konferenca e parë e Oracle këtu, lind natyrshëm pyetja “pse tani?”.  Z. Dodgson sqaroi se situata e tanishme e institucioneve financiare dhe ndërgjegjësimi i tyre mbi avantazhet e produkteve dhe shërbimeve si iFlex (tani Oracle Financial Services) të Oracle, mbështetet gjithashtu nga kostoja e përmbajtur e këtyre të fundit. “Përgatitja e Shqipërisë për integrimin në BE është një tjetër shtysë ndaj bizneseve për të implementuar në mënyrë të natyrshme teknologji të cilat së shpejti do të jenë të domosdoshme për të standardizuar komunikimin me institutet evropiane. Është joproduktive për to të kryejnë ndryshime rrënjësore në momentin e fundit, si një student i cili hap librin për të lexuar natën përpara provimit, prandaj mendoj se prezantimi ynë këtu është pikërisht në momentin e duhur.” tha ai. Një situatë e ngjashme me këtë shqiptare është duke u përjetuar dhe në vende te tjera ballkanike dhe të Lindjes së Mesme.
“Ndër objektivat më afatshkurtër të Oracle dhe partnerëve shqiptarë ndaj klientëve të tyre është garantimi i një baze të shëndoshë për rritje të sigurt dhe fleksibël në të ardhmen, kjo duke krijuar një bazë teknike mjaft solide dhe duke rritur në përgjithësi cilësinë e të dhënave që qarkullojnë në aktivitetet financiare për ta bërë sa më efikas përdorimin e tyre.” tha Z. Dodgson. “Gjithashtu minimizimi i riskut është prioritet i cili nuk vlen të lihet për më vonë. Oracle Business Intelligent dhe Information Security garantojnë përpunimin e shpejtë të informacionit për t’i dhënë kohën e duhur menaxhimit të reagojë.”
Gjithashtu me interes ishte edhe eksperienca e klientëve ekzistues të Oracle në vendin tonë. Nëpërmjet partnerëve të saj, Oracle është e pranishme prej më se dhjetë vitesh në tregun shqiptar duke i ofruar shërbim dhe konsulencë të gjitha institucioneve të interesuara dhe Znj. Argyti më prezantoi me Znj. Alketa Lamçe, kreun e divizionit IT në Bankën Intesa SanPaolo.
Që prej njëmbëdhjetë vitesh, teknologjia e Oracle Financial Services ka qenë e pranishme në këtë bankë (fillimisht Banka Amerikane e Shqipërisë, e cila më pas u përfshi në grupin Intesa SanPaolo, së bashku me bankën Italo-Shqiptare). Një ndër pikat më kritike të këtij bashkimi, sipas Znj. Lamçe, ishte njësimi i sistemeve të të dhënave me Bankën Italo-Shqiptare, e cila përdorte një sistem të ndryshëm. “FlexCube inkorporoi në mënyrë mjaft të mirë informacionin nga bankat ekzistuese, duke kryer një integrim pa probleme madhore dhe relativisht të shpejtë”, komentoi ajo.
Sigurisht që është një kënaqësi të komentosh mbi kompani të mëdha të cilat ofrojnë shërbimet e tyre në Shqipëri, aq më tepër kur ato prezantohen për herë të parë. Gjithashtu për t’u vlerësuar është fryma gjthmonë në rritje e një konkurrence konstruktive midis partnerëve shqiptarë të këtyre kompanive, për të ofruar shërbime gjithmonë e më të mira për bizneset dhe shkallë më të lartë të cilësisë nëpërmjet certifikimeve të reja dhe specializimit të tyre të mëtejshëm.

LEXO EDHE:  Bashkimi Evropian heton blerjen e Liberty Global nga Vodafone

Lajmet e fundit>