Lajmet

Organizohet konkursi për aplikacione mobile “Best Kosova App”

Publikuar , 20 Shtator 2012
0
Organizohet konkursi për aplikacione mobile “Best Kosova App”

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës së bashku me sponsorët: Këshillin Britanik, IPKO Fondacionin dhe Ambasadën Norvegjeze, kanë shpallur konkursin për zhvilluesit e aplikacioneve në platformën Android dhe Apple, drejtuar botës së jashtme. Kjo nismë ka për qëllim promovimin e Republikës së Kosovës në platformat e reja teknologjike.

Ky konkurs ofron shpërblime për zhvillimin e apikacioneve për platformat Android dhe Apple në kategorinë “Lajme nga Kosova”, në fushën e kulturës, trashëgimisë, traditave, në fushën e prezantimit të turizmit dhe ekonomisë kosovare. Po ashtu ofrohen shpërblime edhe për aplikacionin më të mirë zbavitës me temë Kosovën (lojë, kuriozitete, etj).

Shpërblimi për fituesit e aplikacioneve më të mira do të jetë 3000 euro, kurse fituesi i aplikacionit më të mirë do të shpërblehet me pjesëmarrjen në Kongresin Botëror të telefonisë mobile që mbahet në Barcelonë, ku edhe do të ketë mundësinë e prezantimit të punës së vet atje. Po ashtu pjesëmarrësit mund të regjistrohen në APP Camp, ku mund të trajnohen për zhvillim të aplikacioneve dhe të krijojnë ekipe pjesëmarrëse.

Motoja e këtij konkursi është: “Bëje një aplikacion për vendin tënd dhe shpërblehu me 3000 Euro për secilën nga katër kategoritë”. Koordinatori i këtij projekti dhe njëherësh ekspert kosovar i teknologjisë Kushtrim Xhakli thotë se kjo garë është një mënyrë e zhvillimit të tregut kosovar të aplikacioneve, por edhe promovimit botëror nëpërmjet tablove dhe mobilëve.

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Jan Braathu shprehu kënaqësinë për këtë garë dukë thënë se Norvegjia do të vazhdojë edhe më tutje me investimet në fushën e teknologjisë, edukimit dhe diplomacisë përmes projekteve inovative.

Ky konkurs, që ka fituar përkrahje nga donatorë të shumtë, do të jetë një mundësi e madhe për programuesit, koderët dhe entuziastë të telefonave të mençur Apple dhe Android. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, bën thirrje për pjesëmarrje në këtë konkurs, në mënyrë që të tregojnë aftësite e tyre e po ashtu edhe të fitojnë shpërblime të ndryshme.

LEXO EDHE:  Lyft del në bursë, vlerësohet me 25 miliardë dollarë

Shpallja e fituesve do të bëhet në praninë e zyrtarëve të kompanisë Apple dhe Google dhe do të organizohet nga ICK Kosova dhe IPKO Foundation.

Më shumë informacion rreth kushteve dhe aplikimit si dhe App Campit trajnues që do të mbahet për ekipe konkurruese mund të gjeni në: www.appcampkosovo.com apo e-mail: [email protected] . (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>