Analiza

Përdorimi i internetit në Shqipëri në rritje, telefonia fikse braktiset

Nga: PCWorld
Publikuar , 02 Prill 2021
Në tërësi, ajo që vihet re është zhvillimi i menjëhershëm i kompanisë Abcom dhe konsumimi në rritje i internetit, i cili nga ana tjetër lë në ulje numrin e abonentëve të telefonisë fikse(tradicionale). Përdorimi i internetit në Shqipëri në rritje, telefonia fikse braktiset

Në vazhdimësi të raportimeve të Autoritetit të  Komunikimeve Elektronike dhe Postare AKEP, mbi aksesimin e shërbimeve të telekomunikacionit si dhe numrin e linjave të pajtimtarëve të telefonisë fikse në Shqipëri, këto janë të dhënat e marra gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas:

Numri i linjave të pajtimtarëve të telefonisë fikse,  krahasuar me tremujorin e mëparshëm të po të njëjtit vit, ka pësuar një rënie prej 2.97%. Kjo do të thotë se personat që zgjedhin të abonohen në telefoninë fikse janë më të pakët dhe se ky trend është në ulje. Këtu duhet përmendur se nga të gjithë abonentët e këtij shërbimi, 69.5% të tyre e kanë lidhur kontratën me kompaninë ALBtelecom e cila ende vazhdon të’ sundoj’ numrat e përdoruesve në treg.

Ndërkohë, numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse(ku përfshihet aksesi në internet me DSL, modem kabllor ose fiber, në shtëpi/ndërtesë etj..)  ka një rritje që pason tremujorin para saj me 2.3%. Këtu vihet re se rritje të lartë në shifra ka kompania Abcom ( me 7.3%) ndërsa lë pas kompaninë ALBtelecom, e cila ka pësuar një rënie prej 1.9%.

Në tërësi, ajo që vihet re është zhvillimi i menjëhershëm i kompanisë Abcom dhe konsumimi në rritje i internetit, i cili nga ana tjetër lë në ulje numrin e abonentëve të telefonisë fikse(tradicionale).

Sa I përket kompanive telefonike që operojnë sot në vendin tonë(ALBtelecom, Abcom, ASC, Abissnet, Digicom, Nisatel, OA dhe të tjerë), tek secila prej tyre ka luhatje në vlera, që vihen re edhe në tabela, por ALBtelecom vazhdon të ketë përqindje të larta në treg. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Operatorët celulare rikuperojnë pasojat e pandemisë së Covid-19