Biznes

Përdorimi i shërbimeve bankare nga internet i ulët në Shqipëri

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Shtator 2021
Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kanë më shumë gjasa të përdorin internet banking (75%), ndërsa pesha për të moshuarit (mosha 65-74 vjeç) ishte 34 %. Përdorimi i shërbimeve bankare nga internet i ulët në Shqipëri

Shqipëria renditet ndër vendet që e përdor më pak bankingun nga interneti, sipas të dhënave të fundit të Eurostat.

Sipas hartës së institucionit statistikor europian, përqindja e shtetasve shqiptarë të moshës nga 16-74 vjeç që përdorën internet banking gjatë tre muajve përpara vëzhgimit në 2020-n ishte më pak se 28%, duke e futur vendin tonë në listën e shteteve të ngjyrosura me blu, që kanë aksesin më të ulët në këtë shërbim. Në fakt, të gjithë vendet e Ballkanit ndodhen pak a shumë në të njëjtin pozicion.

Sipas raportit të Eurostat, vitet e fundit, një nga zhvillimet kryesore brenda sektorit bankar të Bashkimit Europian ka qenë zgjerimi i shërbimeve online. Frekuenca me të cilën konsumatorët vizitojnë degën e tyre lokale ka rënë me shpejtësi, ndërsa janë bërë normale transferimet online dhe pagesat elektronike. Në disa tregje janë zhvilluar bankat në internet (ose virtuale) që nuk kanë asnjë degë fizike.

Si të tilla, bankat e internetit eliminojnë shpenzimet e përgjithshme që lidhen me drejtimin e degëve lokale dhe ato shpesh janë në një pozitë më të mirë për të ofruar shërbime më konkurruese sesa bankat me “tulla dhe llaç”.

Në vitin 2020, pothuajse tre të pestat (58 %) e popullsisë së rritur të BE-së (të moshës 16-74 vjeç) përdorën internetin për shërbime bankare gjatë tre muajve para sondazhit të fundit. Ashtu si me shumicën e aktiviteteve të internetit, kishte disa dallime mjaft të mëdha midis grupmoshave në lidhje me marrjen e bankingut në internet.

Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kanë më shumë gjasa të përdorin internet banking (75%), ndërsa pesha për të moshuarit (mosha 65-74 vjeç) ishte 34 %.

LEXO EDHE:  Sa kanë shpenzuar përdoruesit në aplikacione dhe lojëra gjatë 2020

Përdorimi i bankingut përmes internetit, deri diku reflekton disponueshmërinë e lidhjeve të internetit me brez të gjerë. Sidoqoftë, zgjedhja e një individi nëse do përdorë internetin ose jo, për bankat lidhet me çështjen e besimit (e cila mund të reflektojë karakteristikat kombëtare). Në vitin 2020, të paktën 70 % e të rriturve përdorën internet banking në çdo rajon të zhvilluar të Danimarkës, Estonisë, Letonisë, Luksemburgut, Holandës, Finlandës dhe Suedisë. /Monitor

Tags >

internet