Lajmet

Përfundon “bootcampi” FOSS në Prishtinë

Publikuar , 26 Gusht 2013
0
Përfundon “bootcampi” FOSS në Prishtinë

Me sukses ka mbaruar “bootcampi”, i cili u organizua në Prishtinë për paraqitjen e disa njohurive elementare për softuer të lirë dhe të hapur në përgjithësi në Kolegjin Iliria.

E diela ishte dita e dytë e mbajtjes së kësaj ngjarjeje, pas të shtunës kur u mbajt fillimisht.

Me dhjetëra pjesëmarrës patën rastin që për këtë fundjavë të nxehtë gushti të dëgjojnë për disa gjëra elementare në lidhje me softuerin e lirë dhe të hapur, ku si folës ishin anëtarët e shoqatës FLOSSK.

Gjatë të shtunës ishte ligjëruar më tepër ana praktike e softuerit të lirë dhe të hapur, si dhe zbatimi i kësaj lirie edhe në projekte me karakter të ngjashëm, me përjashtim të demonstrimeve të shkurta që i bënte Arianit Dobroshi në ligjëratën e tij për Wikipedia dhe Wikimedia.

Për dallim nga dita e parë, dita e dytë, që shënon edhe fundin e “bootcampit” të dytë që e organizon shoqata jofitimprurëse FLOSSK, u duk të jetë më interesante për shkak të pranisë së madhe të anës praktike, ku pjesëmarrësit patën rastin që të jenë të aktivizuar gjatë ligjëratave.

Behar Bullaku ligjëroi për internetin në pika të shkurta, duke treguar disa gjëra për sigurinë në të dhe metoda për mbrojtjen e privatësisë. Ai përveç të tjerash përmendi që rrjeti wireless, apo pa kabllo pritet që pas disa vitesh të zëvendësohet nga teknologjia 3G, respektivisht 4G.

Më pas Ardian Haxha, që është kryetar i bordit të FLOSSK-ut, pasi bëri një hyrje të shkurtër për gjuhën programuese Python, rreth thjeshtësisë që ka kjo gjuhë, duke lehtësuar ardhjen e personave që nuk kanë fare njohuri në programim, komunitetit të madh dhe zbatimin e gjerë që e gëzon nga ndërmarrje të mëdha dhe të njohura si Google, NASA, etj., tregoi disa komanda në gjuhën Python, funksionin e tyre. Gjatë prezantimit, përveç që u tregua thjeshtësia e kësaj gjuhe programuese, u bënë krahasime të ndonjë aspekti të saj me ndonjë gjuhë tjetër të njohur të programimit si Java dhe C++.

LEXO EDHE:  Radeon VII është karta e parë grafike 7-nanometër e AMD

Më pas radha ishte e gjuhëve të programimit në ueb si HTML dhe CSS, ku Vleran Dushi paraqiste funksionin që kishin disa urdhra nga këto dy gjuhë të uebit. Open Street Map u përmend gjatë ligjëratës së Lulzim Gashit, i cili paraqiti shkurtimisht angazhimin që ka pasur FLOSSK-u me këtë alternativë të lirë dhe të hapur të Google Maps, përdorimin e kësaj alternative në projektet si kumevotu.info dhe prishtinabuses.info dhe bëri disa demonstrime të shkurta për të treguar se sa lehtë mund të bëhet editimi, apo ndryshimi i ndonjë objekti gjeografik në hartë.

Ligjërata e fundit u mbajt nga Jon Berisha, i cili tregoi për një softuer që mund të jetë fare pak i njohur, i quajtur Blender, që mund të përdoret për fotografi apo pamje në 3D. Ai gjatë prezantimit me anë të një demonstrimi prej disa minutash tregoi se si arrihet të bëhet krijimi i dy topave të biliardit me anë të Blender-it, ku si rezultat i fundit ishte një pamje që ishte në 3D dhe nga një shikim i zakonshëm nuk vërehet aspak që është vizatim.

Në fund, pjesëmarrësit patën rastin që të marrin nga një certifikatë në shenjë nderimi për ndjekje të këtij “bootcampi”. Kjo ngjarje i paraprin konferencës më të madhe në Ballkan për softuer të lirë dhe të hapur,Software Freedom Kosova, i cili pas disa ditësh, më saktësisht

gjatë datës 7, 8 dhe 9 shtator pritet të zhvillohet në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë. Konferenca është e hapur dhe të gjithë e kanë rastin për pjesëmarrje. (PCWorld Albanian)

Prishtin

Lajmet e fundit>