Lajmet

Përurohet grupi Albanian SQL Server Users Group

Publikuar , 17 Dhjetor 2011
0
Përurohet grupi Albanian SQL Server Users Group

Ashtu siç ishte planifikuar, me 3 minuta vonesë, në ora dhjetë filloi edhe hapja e kësaj ngjarjeje. Fjalën hyrëse e mori Dukagjin Maloku, i cili eshte lider i ALSSUG, dhe  bëri prezantimin e ALSSUG: për qëllimet e këtij grupi, mundësitë e bashkëpunimit, përfitimet nga anëtarësimi etj. 

Fjalën e mori shkurtimisht Agim Bekaj , i cili është përfaqësuesi i ndërmarrjes Microsoft për rajonin e Kosovës, i cili dha një mbështetje të fuqishme nga ana e kësaj ndërmarrjeje për zhvillimet e aktiviteteve të grupit ALSSUG, për t’u pasuar sërish nga Dukagjini, i cili vazhdoi të paraqesë hollësi rreth grupit të sapohapur.  

Gjatë të njëjtës ngjarje u paraqitën dy grupe të reja të përdoruesve: Albanian .Net Group dhe Kosova Microsoft Infrastructure Group. Pas Dukagjinit, ligjërimin e filloi Betim Drenica, i cili tregoi për grupin e ri të përdoruesve, Albanian .Net Group. 

Më pastaj fjalën e mori Bekim Dauti i cili tregoi fillimisht se ç’është një grup i përdoruesve dhe për një historik të shkurtër për grupin e parë të përdoruesve, i cili ishte SHARE nga IBM në vitin 1955. Bekimi pastaj filloi të flasë për Kosova Microsoft Infrastructure Group, të hapur para më pak se një muaji, konkretisht më 21 tetor të këtij viti. Ky grup, sipas Bekim Dautit, deri më tani ka 15 anëtarë dhe 80 entuziastë të interesuar. KMIG do të mbajë një ngjarje më 24 dhjetor, në Institutin e Trajnimit dhe Zhvillimit në Universitetin Amerikan në Kosovë. Sllogani i këtij grupi ishte Be part of IT! ose në shqip Bëhu pjesë e saj!. Bekimi dëshironte që të tregonte se një nga arsyet e themelimit të këtij grupi është shkëmbimi i dijes të cilët njerëzit e mbajnë në shpatullat e tyre.

Pas një pushimi të shkurtër, Betim Drenica filloi të tregojë për risitë në SQL Server 2012 RC0, duke i paraqitur edhe disa demonstrime të shkurta për t’i ilustruar më mirë risitë e përfshira në SQL Server Denali. 

LEXO EDHE:  2019 i gjen Shqiptarët në Facebook

Ligjëruesi i radhës ishte Rexhep Kqiku, i cili tregoi për risitë në ASP.Net 4.5. Për dallim nga ligjëruesit e të tjerë, Rexhepi kishte përzgjedhur që prezantimin e tij ta bënte në HTML5. Përveç që paraqiste risitë për versionin e ri të ASP.Net dhe dobitë nga këto risi, ai mundohej që të ruante një ndërlidhje edhe me të pranishmit. Demonstrimet të cilat Rexhepi i bënte ishin me fonte të vogla, duke e vështirësuar edhe leximin nga të pranishmit në sallë, andaj edhe ai mundohej që në çdo demonstrim të bënte zmadhimin e fonteve.

Ligjëruesi i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, ishte Adem Gashi, i cili tregoi për gjërat e reja në versionin e radhës të frameworkut  .Net. Si dy ligjëruesit e mëparshëm (Betimi, Rexhepi), edhe Ademi atyre që bënin ndonjë pyetje në lidhje me gjërat të cilat paraqiteshin dhe po përshkruheshin, shpërbleheshin me disa dhurata.

Sipas Dukagjin Malokut, edhe në të ardhmen priten të mbahen takime të këtilla./pcworldalbanian

Lajmet e fundit>