Biznes

Platforma e krijimit të dyqaneve online Hermex fitues në programin fintech Elevator Lab

Nga: PCWorld
Publikuar , 20 Nëntor 2020
0
Platforma e krijimit të dyqaneve online Hermex fitues në programin fintech Elevator Lab

Një platformë përmes të cilës kushdo mund të krijojë dyqan online quajtur Hermex u shpall fitues në edicionin e dytë të programit të mirënjohur fintech në Evropën Qendrore dhe Lindore Raiffeisen Bank Elevator Lab.

Me një ekip me më shumë se 10 vite eksperiencë, Hermex është një platformë profesionale e-commerce, që ka si qëllim kryesor të ndihmojë bizneset të krijojnë dyqanet e tyre online. Kjo do të sjellë rritje të shitjeve dhe zgjerim në tregun global. Një dyqan online në Hermex, ndërtohet me një klikim, ka kosto minimale, performancë dhe siguri të lartë.

Hermex nisi rrugëtimin e tij në muajin Gusht të këtij viti. Aktualisht është pjesë e programit të akselerimit Uplift Albania pas Bootkampit të Përzgjedhjes së bashku me 12 startupe të tjera të cilat do të ecin për 4 muaj me workshope, trajnime, mentorship, takime me investitorë potencialë në mënyrë që të ndërtojnë balancën e duhur mes ekspertizës teknike dhe njohurive të biznesit dhe transformuar të ardhmen e tyre. Me Hermex kushdo mund të krijojë një dyqan me një klikim mjafton një e-mail, fjalëkalim, dhe emër dyqani.

Sapo u njohëm me programin Elevator Lab, menduam që do të ishte një mundësi e shkëlqyer për të bashkëpunuar me një bankë prestigjioze, siç është Raiffeisen, për ti siguruar përdoruesve tanë pagesa të sigurta. Të gjitha etapat e Elevator Lab kanë qenë intensive, konkurruese, emocionuese dhe mjaft edukative për ne, në shumë fusha,” tha Najada Cecaj nga Hermex për PCWorld.al.

Mentorët e programit, kanë qenë një suport i jashtëzakonshëm dhe ekspertiza e tyre na stërviti të kishim një pjesëmarrje dinjitoze,” vijoi Ajo.

LEXO EDHE:  Apple lançon sistemin operativ desktop surprizë

Partneriteti me Raiffeisen do ti mundësojë Hermex të ofrojë shërbim profesional duke revolucionalizuar tregun e shitjeve online në vendin tonë dhe në rajon.

Triumfi në Elevator Lab, na jep energji dhe motivim për të vazhduar misionin tonë,” tha Najada.

Sakaq në Uplift Albania Hermex do të mbështetet nga një rrjet prej mëse 50 ekspertësh për ta ndihmuar startupin të adresojë disa prej sfidave më kryesore dhe duke u njohur me principet themelore dhe praktikat më të mira që rrisin shanset e tyre të suksesit jo vetëm në Uplift Albania por edhe në botën e biznesit e startupeve në Shqipëri dhe më gjerë.

Hermex ofron 1 muaj falas për të gjithë ata që duan të provojnë platformën e-commerce për dyqanin e tyre me mundësinë për tu zgjeruar dhe rritur shitjet, klientët, duke siguruar lehtësi në punë dhe ulje kostosh administrative. /PCWorld Albanian