Lajmet

Platforma më e madhe Shqiptare e mësimit online Akademi.al vlerësohet nga Universiteti i Harvardit

Nga: PCWorld
Publikuar , 11 Janar 2022
Platforma ka nisur një projekt madhor ku zhvilluesit e saj po punojnë për krijimin e një Marketplace publike për shitblerjen e kurseve online në bashkëpunim me EU4Innovation dhe financuar nga SIDA. Platforma më e madhe Shqiptare e mësimit online Akademi.al vlerësohet nga Universiteti i Harvardit

Platforma zyrtare e mësimit online aprovuar dhe mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri, Akademi.al, është shpërblyer me çmime të ndryshme nga Startupi i Vitit në edicionin e 9-të të ICT Awards, tek WSA European Young Innovators Awards 2021 në Graz të Austrisë.

Së fundi puna e arritur prej Akademi.al u shpërblye me një çmim tjetër, atë të Fondit të Bursës së Ndikimit Social në Harvard.

Është një çmim i veçantë për ne jo vetëm për faktin se jemi vlerësuar si një kompani inovatore, por edhe sepse po vlerësohemi nga ekspertët më të mirë në botë siç janë ata të Universitetit të Harvardit,” tha themeluesi i Akademi.al Dean Çelaj për PCWorld.al.

Gjithashtu Fondi i Bursës së Ndikimit Social ka hapur dyert për të ecur dhe zhvilluar më tej duke rritur kështu ndikimin jo vetëm tek nxënësit Shqiptarë por edhe vende të tjera.”

Në Akademi.al mësuesit dhe nxënësit mund të regjistrohen dhe jo vetëm që ofrohet një hapësirë virtuale nga ku mund të shkëmbejnë informacione, dokumente apo literaturë, por edhe të lidhen së bashku në kohë reale në formën e një ore mësimore.

Në 2018-ën sapo ishte diplomuar nga UCL në Londër dhe fillova të punoja në një nga kompanitë më të mëdha në botë me shërbime konsulence dhe teknologji informacioni siç është Accenture,” tha Deani lidhur me mënyrën sesi nisi ideja dhe vizioni i Akademi.al.

Si analist strategjie në shërbimet financiare ndoqa një sërë trajnimesh që përmirësuan punën time. Mendoja që trajnimet do të bëheshin në salla konferencash të mëdha por trajnimet që bëra ishin online. Aty mendova se e gjeta çfarë duhet të bëja kur të kthehesha në Shqipëri.”

LEXO EDHE:  Ekzekutivi i firmës lider të sigurisë kibernetike arrestohet në Rusi për tradhti

Sot Akademi.al ka 500 mijë nxënës dhe mësues të cilët e përdorin platformën në mënyrë aktive si mjet procesi mësimor edhe pse tashmë janë kthyer në bankat e shkollës.

Afro 1,300 instuticione arsimor publike janë regjistruar në Akademi.al ku secila prej tyre ka kodin e saj me të cilin mësuesit regjistrohen. Mbi 300 kurse online në gjuhën shqipe vinë nga instruktorët dhe mësuesit më të mirë në Shqipëri me një total prej 20 mijë videosh.

Akademi.al dhe Deani janë vlerësuar gjithashtu me çmimin “Evropianët që Bëjnë Diferencën” nga Komisioni Evropian.

Qëllimi dhe misioni për të transformuar sistemin arsimor në Shqipëri dhe për t’u dhënë fëmijëve shqiptarë mundësi te barabarta për të marre një edukim cilësor si të gjithë fëmijët Evropianë nuk ka ndryshuar asnjëherë.” Tha Deani.

Platforma do të vazhdojë të zgjerohet me funksionalitete të reja siç është vlerësimi dhe marrja e mungesave të nxënësve përmes regjistrit online. Së fundi në bashkëpunim me UNICEF po krijohen materiale mësimore për parashokollorin, një grupmoshë e cila do të ketë hapësirën e vet në Akademi.al ku dhe do të mësojnë duke u argëtuar me lojëra edukative dhe video mësimore.

Platforma ka nisur një projekt madhor ku zhvilluesit e saj po punojnë për krijimin e një Marketplace publike për shitblerjen e kurseve online në bashkëpunim me EU4Innovation dhe financuar nga SIDA.

Ne synojmë që ky të jetë Marketplace i parë dhe më i madh në Shqipëri e cila ka në fokus zhvillimin e aftësive online,” tha Deani.

Në edicionin e 9-të të garës më të madhe të teknologjisë në trevat Shqipfolëse, Deani dhe Akademi.al u shpallën fitues të çmimit Startupi i Viti. Ky çmim vlerëson startupet Shqiptare të cilat shkëlqejnë në industri si inovacioni dixhital e shkencor, industria kreative dhe inovacioni social.

LEXO EDHE:  ICT Awards dhe Banka Raiffeisen organizojnë takimin virtual me temë “Bankingu i së Ardhmes nga Fintech”