Biznes

Plus starton gjatë korrikut në Shqipëri

Publikuar , 31 Maj 2010
0
Plus starton gjatë korrikut në Shqipëri

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, dr. Shyqyri Haxha ishte pjesë e panelit publik në cilësinë e aksionarit të parë në prezentimin e brendit, misionit dhe vizionit të operatorit të katërt në Shqipëri të emërtuar “Plus”.

“PTK-ja, e cila në këtë konzorcium merr pjesë me modelin e ashtuquajtur “Know How”, për të gjithë konsumatorët e vet, që do të udhëtojnë drejt Shqipërisë, qoftë për pushime apo për biznes, e të cilët janë mbi 500 mijë brenda një sezoni turistik – do të ofroj duke nisur nga korriku, çmime shumë më të levërdishme se deri më tash”, ka bërë të ditur me këtë rast dr. Shyqyri Haxha.

Sipas tij, kjo tregon se PTK është në rrugë të mirë që të bëhet lider në rajon konform vizionit dhe misionit të saj në ofrimin e shërbimeve telekomunikuse dhe ofertave atraktive.

Operatori më i ri në tregun shqiptar ka prezantuar arritjet e deritanishme dhe planet afatshkurtra për ofrimin në treg të shërbimeve të tij.
 
Drejtori Ekzekutiv i ‘Plus-it”, z. Moni Buchnik ka theksuar se kompania ka nënshkruar tashmë marrëveshjet tregtare me furnitorët kryesorë të rrjetit, pas procesit tenderues duke shtuar se disa kompani shqiptare janë kontraktuar për kryerjen e punimeve të nevojshme për ndërtimin e rrjetit: ndërtimin e stacioneve të backbone, stacioneve në terren, stacioneve në godina, ofrimin e shërbimeve dhe pajisjeve elektrike, mirëmbjatjen e rrjetit si dhe shërbimin e sigurisë fizike për rrjetin, etj.

“Plus” do të fokusohet në ndërtimin e një rrjeti cilësor në një kohë rekord, me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe rregullatore, si dhe në ofrimin e vlerave më të mira të shërbimit ndaj klientëve”, ka pohuar z. Buchnik. Ai ka nënvizuar se kompania synon të shndërrohet në një lider tregu në fushën e telekomunikacionit, duke sjellë vlera të shtuara tek klientët, në mënyrë mjaft domethënëse edhe në emrin e markës së kompanisë: PLUS

LEXO EDHE:  AKEP miraton shitjen e Telekom Albania

Nga ana e tij, kryetar i Bordit Drejtues të “Plus”, z. Petraq Shomo, deklaroi se “Plus-i” është i vetmi biznes shqiptar në fushën e telefonisë mobile dhe po hyn në një mjedis mjaft konkurrues.

“Ne do të fitojmë besimin e konsumatorëve, jo vetëm për shkak të produktit dhe cilësisë që ne ofrojmë, por edhe për shkak se aktiviteti ynë është një kontribut direkt në ekonominë e vendit dhe në jetën e shqiptarëve. Ne do të hapim në mënyrë direkte dhe indirekte mundësi punësimi si dhe do të krijojmë bashkëpunim me biznesin. Ne do të riinvestojmë paratë e klientëve në Shqipëri për përmirësimin e standardeve të vendit tonë”, ka potencuar z.Shomo.

Operatori “Plus” ka përfunduar procesin e kontraktimit për më shumë se 100 stacione bazë dhe është aktualisht në procesin e ndërtimit të 50 stacioneve të tjera. Mbulimi do të shtrihet në faza, duke filluar nga zona Tiranë–Durrës–Rinas dhe më pas do të shtrihet në qytetet kryesore dhe rrugët kombëtare.

 
Investitorët kanë planifikuar të investojnë rreth 100 milionë euro gjatë dy viteve të para, prej të cilave rreth 35 milionë janë vendosur aktualisht në dispozicion nga ana e investitorëve shqiptarë. Kompania do të vazhdojë të investojë për optimimizimin e rrjetit dhe shtimin e portofolit të shërbimeve në vitet e ardhshme.
 

Operatori më i ri do t’u ofrojë klientëve të saj gamën e plotë të shërbimeve GSM, sikurse parashikohet në Autorizimin Individual, me synim penetrimin e shpejtë në treg.

Lajmet e fundit>