Lajmet

Plus realizon telefonatën e parë në Shqipëri

Publikuar , 08 Korrik 2010
0
Plus realizon telefonatën e parë në Shqipëri

Plus, operatori më i ri mobil në Shqipëri dhe njëherësh operatori i katërt në këtë vend, ka bërë të ditur gjatë ditës së sotme përmbushjen e afatit të caktuar nga Autorizimi Individual për ofrimin e shërbimit mobil në Shqipëri.

Z. Moni Buchnik, Drejtor Ekzekutiv i Plus, deklaroi se një prej objektivave më të rëndësishëm u arrit me sukses: më 5 korrik u realizua telefonata e parë në rrjetin e Plus. Gjatë aktit të inspektimit të ndërmarrë nga AKEP para pak ditësh, anëtarët e grupit të inspektimit patën mundësinë të realizojnë telefonatën e parë në rrjetin e Plus.

Për shkak të mospërfundimit të marrëveshjeve të interkoneksionit, telefonatat u realizuan brenda rrjetit të Plus. Me anë të kësaj deklarate, z. Buchnik konfirmon që Plus është i angazhuar në përmbushjen e objektivave të biznesit për t’u bërë shumë shpejt operatori i preferuar i shqiptarëve dhe njëkohësisht, duke kontribuar në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe kryesisht në sektorin e telekomunikacionit.

“Ne si Plus jemi të vetëdijshëm për sfidat e tregut, i cili po bëhet gjithnjë e më konkurrues. Thelbi i biznesit tonë bazohet tek nevojat e konsumatorëve tanë, tek teknologjia më e përparuar si dhe tek besimi, angazhimi dhe ekspertiza profesionale e skuadrës së Plus” u shpreh ai.

Tre ditë më parë, grupi i AKEP inspektoi fushën e veprimit të biznesit tonë: centralin e rrjetit, stacionet bazë, planifikimin dhe realizimin e rrjetit të transmetimit, sistemet e tarifimit dhe sisteme të tjera, zyrat dhe pajisjet teknike të instaluara tashmë si edhe zyrat qendrore të kompanisë.

“Jemi të kënaqur të deklarojmë se Plus përmbushi kërkesat e Autorizimit Individual, duke vërtetuar në të njëjtën kohë se cilësia është në fokusin tonë” bëri të ditur z.Buchnik.

Në Aktin e Inspektimit të AKEP-it, Nr.prot 2539/1 citohet: Bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues, rezulton së Plus (Mobile 4 Al sha) është në kushtet e përmbushjes së detyrimeve për Fazën 0.

LEXO EDHE:  Telekomi Slloven nxjerr në shitje IPKO

Është një fakt tashmë, deklaroi z. Buchnik, që industria e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri po troket në dyert e një ere të re: 3G dhe shërbimet e portabilitetit të numrit do t’iu ofrohen klientëve së shpejti dhe ne jemi të përgatitur për t’iu shërbyer më së miri nevojave të tyre. Ne besojmë se AKEP do t’i ndjekë dhe do t’i përgjigjet këtyre zhvillimeve, për t’i bërë këto shërbime sa më të përballueshme dhe në përfitim të konsumatorëve.

Lajmet e fundit>