Blog

Portalomania!

Publikuar , 08 Nëntor 2010
0
Portalomania!

Gjithashtu portalet një pjesë të madhe të hapësirës së tyre ua dedikojnë reklamave, për shkak se kjo në fund të fundit nënkupton mbijetesën e tyre në tregun online.

Zhvillimi i ueb portaleve fillon në vitet e 90-ta dhe në atë kohë shumë kompani filluan të ndërtojnë apo blejnë portale në mënyrë që të kenë një copë të tregut të internetit. Më pas ueb portalet fituan një vëmendje të veçantë për shkak se për shumë përdorues u bënë pikë fillestare për shfletim të internetit. Por tranzicionit të këtyre viteve të portaleve i bënë ballë shumë pak, dhe Yahoo! mund të llogaritet një prej më të moçmëve në treg, që mbijetoi dhe u adoptua me ndryshimin e tij.

Tipet e portaleve janë horizontale ose vertikale. Ato horizontale fokusohen në shumë fusha kurse poratlet vertikale koncentrohen në një zonë funksionale. Pastaj kemi portalet personale, regjionale, portalet për lajme, portalet qeveritare, portalet e korporatave, portalet kërkuese, etj. Pra shkurt thënë portali është një portë përmes së cilës hyjnë vizitorët për të kuptuar informacione të ndryshme, të cilat janë veçse të shërbyera.

E tani të kthehemi në tregun tonë ku kohëve të fundit padyshim të gjithë ju ka rënë në sy numri në rritje e sipër i portaleve shqiptare. Dikur një prej të parëve ishte telegrafi.com, por këto ditë kanë kaluar dhe tani tregu është i ngarkuar mirë me portale tjera. Gjithsesi dikush mund të thotë se kjo laramani portalesh dhe ueb faqesh shqiptare, është diçka pozitive dhe sjell tek lexuesi më shumë mundësi për tu informuar për shumëçka… por ai që thotë kështu e ka në mendjen konkurrencën, të cilën nuk mund të themi se e shohim në Kosovë apo Shqipëri.

LEXO EDHE:  Rekord Evropian për transmetimet e të dhënave mbi fibrat optike

Ajo që mund të thuhet për portalet e shumta që janë hapur deri sot,( duke mos futur këtu në llogari portalet si Telegrafi.com, Koha.net, gazetaexpress.com, top-channel.tv, etj), është se janë në një cilësi të dobët dhe padyshim duket se vrapojnë për tu futur në tregun online me dy hapa, ndërsa stafi profesional apo editorial nuk u intereson. Rrjedhimisht dihet se kur nuk ka staf nuk ka përmbajtje, dhe ueb faqja do të shërbejë para lexuesve përmbajtje të kopjuara ose të dobëta.

Portalet e mëdha nuk dominojnë vetëm në trojet shqiptare por vizitohen mjaft shpesh edhe prej diasporës, të cilët dëshirojnë të kuptojnë më afër atë çka po ndodh në vendlindjen e tyre. Nuk po aludohet në atë se janë më të mirët në treg, por vërtetë janë portale profesionale, me dizajn dhe përmbajtje të nivelit të lartë, me staf përgjegjës për shumicën e rubrikave, e kështu me radhë. Dhe çdo gjë që gjenerohet në to është shkrim origjinal ose në fund të fundit citohet me burim. Këto janë edhe arsyet kryesore pse ato janë të respektuara në treg dhe vizitohen më së shpeshti.

Për dallim prej tyre , portalet e panumërta në shqip që po i sheh sot tregu ynë, realisht bazohen në një proces të quajtur  “Copy & Paste” dhe në një dizajn që tenton të imitojë sa më shumë portalin telegrafi.com. Kjo është ajo që shohin lexuesit në to dhe rrjedhimisht nuk mund të kenë përshtypje pozitive. Më e keqja është se këto portale (që nuk po i përmend me emër por shumëkujt që po i lexojnë këta rreshta do t’iu vijnë para mendjes ), kopjojnë pa ndalur, ku të munden dhe as që e kanë parasysh citimin e burimit të artikullit apo troç thënë nuk e çmojnë punën e autorit. Një mik një ditë më tha: “Sot është bërë lehtë të hapësh portal si telegrafi. Krejt po kopjohet. Telegrafi e krijon një lajm edhe krejt tjerat e kopjojnë pa u munduar fare. Ose edhe ju në PCWorld Albanian: bëni analiza e artikuj të shumtë dhe Copy&Paste e në portalet përkatëse shpërndahet puna juaj”.
Por a me të vërtetë kaq lehtë qenka siç tha miku im? Në fakt kështu është edhe s’është. Dihet se është treg i lirë, dhe për të hapur portal, duhen vetëm të hollat. Me ato paguan domenin, paguan hostingun, paguan dizajnerin dhe përgatitësin e ueb faqes, etj. Por në anën tjetër nëse nuk vazhdon me financim në disa reparte tjera atëherë zgjidhja më e mirë që po praktikohet sot është bërja e procesit Copy&Paste dhe mbushja e portalit me punën e tjetërkujt.

LEXO EDHE:  Franca gjobit motorin e kërkimit dhe për një arsye të fortë

Në vendet e zhvilluara padyshim se nuk është kësisoj, sepse është ligji ai që sanksionon çdo gjë në rast se ka keqpërdorim të punës së tjetërkujt, përkatësisht me shkeljen e të drejtave autoriale apo me vjedhjen/kopjimin e artikujve pa autorizimin përkatës. Secila ueb faqe serioze dhe profesionale në fund të saj ka një rresht ku thuhet se të drejtat autoriale janë të rezervuara dhe asnjë përmbajtje nuk guxon të ripublikohet diku tjetër pa lejen e redaksisë përndryshe pason ndjekja penale. Fatkeqësisht kjo çështje ende nuk është rregulluar ashtu si duhet tek ne dhe si rezultat janë këto pseudo-portale që funksionojnë me punën e tjetërkujt.

Keni parasysh një gjë se nuk janë vetëm portalet e vogla ato që kopjojnë. Fatkeqësisht edhe portale me më ndikim në treg kopjojnë njëra tjetrën dhe madje edhe artikuj të PCWorld Albanian, pa cituar fare asgjë, thjeshtë me procedurën Copy&Paste. Por këto çështje i rregullon ligji i të drejtave autoriale, i cili ndoshta dikush mund të thotë se nuk i duhet me aq prioritet Kosovës, por keni parasysh se në rend të parë kur respektohet puna e tjetërkujt atëherë arrihet tek respektimit i vetvetes. Ligji ruan të drejtat autoriale dhe ofron treg të lirë e konkurrues, e mungesa e tij apo më mirë thënë mungesa e zbatimit të tij ofron një treg ku ka portale të shumta që thirren në punën e tjetërkujt! /pcworld.al

Lajmet e fundit>