Lajmet

Prezantohet projekti Ndërkufitar ADRIATInn

Publikuar , 12 Prill 2014
0
Prezantohet projekti Ndërkufitar ADRIATInn

big_coverProjekti Ndërkufitar ADRIATInn është një projekt që ka si qëllime të veta rritjen e kapaciteteve kërkuese në rajon, rritjen e bashkëpunimit ndër-rajonal, promovimin e bashkëpunimit me sektorin e biznesit, shqyrtimin e mundësive të financimit të Kërkimit dhe Zhvillimit nga skemat e financimit të BE-së dhe burime të tjera të jashtme, integrimin e rajonit në Zonën Evropiane të Kërkimit Shkencor (ERA) dhe Bashkimit të Novatorëve, etj. Të gjitha këto qëllime, sipas Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, ecin përbri me prioritetet e institucionit që ajo drejton dhe të qeverisë shqiptare. Ministrja Milena Harito mbajti një fjalim gjatë prezantimit të këtij projekti gjatë ditës së enjte.

“Inovacioni nuk është më një alternativë, por domosdoshmëri dhe mjet për të fituar mbi kohën e humbur”, hapi fjalën e saj ministrja në konferencën “Programi IPA Adriatik Bashkëpunimi Ndërkufitar 2007-2013”, e cila u zhvillu nga Universiteti i New York-ut Tiranë.

Ministrja u ndal gjithashtu dhe tek mundësitë që ofrojnë partneriteti dhe bashkëpunimi me fondet IPA, të cilat janë fonde për nxitjen e përdorimit të teknologjive nga kompanitë e mesme dhe të vogla, me qëllim zhvillimin për të qenë sa më konkurruese në tregun shqiptar e atë Evropian.

“Strategjia rajonale për zhvillim dhe inovacion në vendet e Ballkanit Perëndimor është një strategji rajonale që rreshton Shqipërinë në krah të vendeve të tjera të rajonit. Mirëpo Shqipëria ka një kapacitet të ulët për të thithur fondet IPA, ndaj ne si Ministri inkurajojmë fuqishëm rritjen e këtyre kapaciteteve, në të mirë të kompanive të mesme dhe të vogla dhe gjithashtu në të mirë të ekonomisë shqiptare.”- theksoi në mbyllje të fjalës ministrja Harito. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Njihuni me të gjitha produktet Microsoft Surface përpara debutimit zyrtar

Lajmet e fundit>