Lajmet

Prezantohet Votimi Elektronik – Rasti i Kosovës

Publikuar , 12 Tetor 2011
0
Prezantohet Votimi Elektronik – Rasti i Kosovës

Megjithatë PCWorld Albanian është aty ku bëhet inovacioni dhe ku prezantohen risitë e gjërat e punuar anë fushën e teknologjisë informative dhe ishte edhe sot e pranishme për të përcjellë nga afër prezantimin e sistemit të Votimit Elektornik – Rasti i Kosovës, në kuadër të së cilit projekt kanë punuar Prof. Blerim Rexha nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike pranë Universitetit të Prishtinës, bashkërisht me disa studentë të nivelit Bachelor dhe Master; Vehbi Neziri, Ramadan Dervishi, Halil Sadiku, Arianit Pajaziti, Edon Bajrami, Blerta Matoshi, Valmir Sadiku dhe Dren Imeraj.

Në fjalimin hyrës të mbajtur nga Rektori i Universitetit të Prishtinës z. Mujë Rugova, u thanë disa fjalë të rëndësishme mbi 50 vjetorin e themelimit të FIEK’ut dhe në mes tjerash u potencua se studentët që i takojnë shkencave teknike të Universitetit të Prishtinës janë elita e studentëve që do të shtyjnë para zhvillimin e vendit. Fjalën më pas e mori edhe Dr. SC. Myzafere Limani, dekane e FIEK’ut, e cila me entuziazëm dhe krenari shpjegoi një historik të shkurtër të zhvillimit ti këtij fakulteti dhe të programeve studimore që ofron ai sot. 

Pas kësaj në praninë e më shumë se 200 pjesëmarrësve në një prezantim u shfaq sistemi i punuar nga studentët dhe profesorët e FIEK’ut, për zhvillimin e një forme të qëndrueshme zgjedhore në Kosovë, dhe atë duke shfrytëzuar teknologjinë më të avancuar. 

Gjatë prezantimit u shpjeguan detaje të zhvillimit të konceptit, mostrës së marrë nga Estonia që njihet në Evropë si shembull për e-qeverisje, pastaj u detajuan çfarë nevojitet për të funksionuar sistemi, si bëhet enkriptimi dhe sigurimi i votës elektronike, si bëhet votimi me kartelë identiteti “biometrike”, si bëhet votimi me telefon të mençur, etj. 

LEXO EDHE:  Me Dropbox Transfer mund të dërgoni deri në 100GB të dhëna

Gjatë parashtrimit të këtyre temave u përcollën edhe demonstrimet në kohë reale nga studentët të cilët kishin zhvilluar aplikacione për iOS, Android dhe Windows Phone për të votuar përmes numrit të telefonit, pastaj ueb aplikacion për të votuar online duke shfrytëzuar kartelën e avancuar të identitetit dhe skanerin përkatës, si dhe formën e votimit me pajisjen me ekran të ndjeshëm në prekje që përcillet nga skaneri i gishtit. 

I tërë ky sistem i prezantuar thuhet të jetë shumë më efikas krahasuar me sistemi tradicional dhe në mes tjerash, sipas atyre që prezantuan eliminon mundësinë e votimit të dyfishtë, votimin në emër të dikujt tjetër, vonesat në rezultate, manipulimet, etj, ku që të gjitha këto ishin probleme të dukshme në zgjedhjet e kaluara në Kosovë. Madje u tha se rezultatet mund të gjenerohen brenda 30 minutave.

Pas tërë kësaj energjie dhe entuziazmi në paraqitje, u kërkua edhe përmirësimi i infrastrukturës ligjore për të shkuar tutje me implementimin e projektit në faza të ndryshme. Ministri i Punëve të Brendshme , Bajram Rexhepi dukej se ishte mjaft i kënaqur me atë që po shihte dhe me gjasë do të shqyrtojë këtë mundësi , ndërsa edhe për Ministrinë e Diasporës të udhëhequr nga Ibrahim Makolli u dhanë rekomandimet se kjo është një mundësi shumë e mirë që edhe diaspora të votoj dhe të mos ketë telashe në këtë drejtim. /pcworldalbanian

Lajmet e fundit>