Analiza

Pse telefonët tanë kanë nevojë për më shumë se një kamër?

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 16 Mars 2019
0
Nëse keni vizituar ndonjëherë një dyqan kamerash me shumë gjasa keni parë terma “10mm” ose “35mm” përdorur për klasifikimin e lenteve dhe përshkrimin e fotografive që realizojnë. Pse telefonët tanë kanë nevojë për më shumë se një kamër?

Kanë ikur ditët kur njerëzit përdornin aparate fotografike me jetëgjatësi të shkurtër baterie për të realizuar foto të cilësisë së lartë. Ndërsa ende nuk i mundin dot kamerat e dedikuara, smartfonët janë zhdërvjellët, portativ dhe mund të realizojnë foto të cilësisë së lartë.

Nëse keni blerë një smartfon vitet e fundit, me shumë gjasa ka dy ose më shumë kamera të pasme. Por për çfarë nevojiten këto kamera? Në fakt përdorimi i tyre ndryshon nga një telefon tek tjetri.

Në këtë artikull do të flasim për llojet e kamerave sekondare dhe mënyrën sesi e kanë bërë kamerën e smartfonëve më të fuqishme.

Një shpjegim i gjatësisë fokale

Nëse keni vizituar ndonjëherë një dyqan kamerash me shumë gjasa keni parë terma “10mm” ose “35mm” përdorur për klasifikimin e lenteve dhe përshkrimin e fotografive që realizojnë.

E thënë thjeshtë gjatësia fokale përcakton dy gjëra: madhësinë e skenës që mund të kapë kamera dhe sesa mund të afrojë një hapësirë që ju shikoni.

Një kamër me gjatësi të shkurtër fokale ju lejon të realizoni foto më të gjëra ndërsa një me gjatësi fokale të madhe lejon të afroni detajet të largëta. Lentet për kamerat DSLR kanë rang të gjatësisë fokale si 15-55mm apo 9-18mm.

Lentet telefoto

Ekzistojnë dy mënyra sesi një kamera mund të zmadhojë një objekt të largët. Shumica e smartfonëve përdorin zmadhim dixhital thjeshtë duke zmadhuar imazhin sipas rezolucionit të paraqitur. Zakonisht kjo vjen me humbje të ndjeshme të cilësisë së imazhit dhe detajeve sidomos në distanca të largëta.

Kamerat e dedikuara përdorin zmadhim optik. Kjo metodë përdor lentet telefoto duke lejuar përdoruesit të zmadhojnë gjatësinë fokale të imazheve në mënyrë që të zmadhoni një objekt pa kompromentuar cilësinë e imazhit.

LEXO EDHE:  Një fshat në Itali kap në 10 ditë 58,000 drejtues makinash që shkelnin limitet e shpejtësisë

Ndërsa njerëzit kanë dëshirë që telefonët të kenë cilësi më të madhe zmadhimi, prodhuesit e smartfonëve nuk implementojnë dot lentet telefoto të kamerave të dedikuara. Ato do ti bënin pajisjet të trasha me një gungë të madhe në pjesën e pasme të telefonit.

Shumë smartfonë si iPhone XS dhe Galaxy Note 9 kanë një lentë të dytë me një gjatësi të madhe fokale. Kur përdorni iPhone në zmadhimin optik 2x, jeni duke përdorur lenten e dytë që ka një gjatësi më të madhe fokale por pa humbur cilësinë.

Disa telefonë si Google Pixel 3 përdorin softuerë të avancuar të përpunimit të imazheve për të zmadhuar në mënyrë dixhitale fotot pa një lente sekondare. Sa mirë funksionon kjo metodë varet nga aplikacioni i kamerës.

Ka telefonë të tjerë si Xiaomi Redmi me 48-megapiksel që ka një numër të madh megapikselësh për të përmirësuar zmadhimin.

Lente me kënd të gjerë

Ka momente kur keni nevojë për të kapur më shumë prej një objekti në një foto. Për shembull nëse jeni duke realizuar foto gjatë perëndimit të diellit mbi det apo mbi një qytet. Në situata të tilla keni nevojë për një kamër me gjatësi fokale të vogël dhe për këtë janë lentet me kënd të gjerë.

Ndryshe nga zmadhimi, nuk ekziston një mënyrë për të zgjeruar këndin e një fotoje. Kështu lentet me kënd të gjerë janë një shtesë e fuqishme e arsenalit të kamerave. Përpara se Huawei të lançonte Mate 20, flagshipët e LG ishin smartfonët e vetëm që kishin një kamër me kënd të gjerë.

Përpara se të implementoheshin tek kamera e pasme, ato u përdoren tashmë në kamerat frontale. Përshembull mund të përdoren për të zgjeruar numrin e personave që nxë një selfie.

LEXO EDHE:  Operatorët Gjermanë dhanë 6.6 miliardë euro për frekuencat 5G

Sensor thellësie

Pothuajse të gjithë smartfonët e lançuar vitet e fundit kanë një modalitet portret të integruar në aplikacionet e kamerave. Me modelet portret përdoruesit mund të krijojnë një efekt “bokeh” duke turbulluar sfondin ndërsa objekti qëndron në fokus. Për të krijuar këtë efekt disa smartfonë kanë kamera që analizojnë thellësinë e informacionit.

Telefonët e rangut të mesëm dhe buxhetorë kanë kamera të tilla po me rezolucion më të ulët si 2 apo 5-megapiksel. Ato gjurmojnë ku objektivi mbaron dhe sfondi fillon. Teknologjia njihet ndryshe edhe si “edge detection.”

Ka smartfonë që kamerat sekondare sillen edhe si sensorë thellësie. OnePlus 6T vjen me një kamër dytësore 20-megapiksel që përmirëson cilësinë dhe zmadhimit dixhital por edhe realizon foto portret. iPhone Xs ka një lente telefoto që grumbullon informacionin e thellësisë së imazhit.

Lentet monochrome

Në disa situata fotot bardh e zi mund të jenë më dramatike dhe më tërheqëse sesa ato me ngjyra. Megjithatë shumica e kamerave të smartfonëve janë të kufizuar në filtra që konvertojnë fotot me ngjyra në bardh e zi pasi janë realizuar. Një lente e dedikuar monochrome mund të kapë foto bardh e zi origjinale.

Që kur Huawei nisi bashkëpunimin me Leica, të gjithë flagshipët e tyre kishin një lente të dedikuar monochrome që lejon realizimin e fotove të vërteta bardh e zi. Megjithatë tashmë janë hequr dhe zëvendësuar nga lente me kënd të gjerë në Mate 20 Pro.

Flagshipët e Motorola dhe Sony Xperia XZ2 Premium kanë lente monochrome. Gjithashtu vlen të përmendet se këto lente rrisin sasinë e dritës dhe përmirësojnë detajet e fotove me ngjyra realizuar nga lentja kryesore.

Kamera me 2,3,4 apo më shumë lente

Përveç lenteve të lartpërmendura, telefonë të ndryshëm vinë me konfigurime të ndryshme kamerash. Huawei Honor View 20 është një prej tyre dhe debutoi në fillim të 2019-ës.

LEXO EDHE:  Shqipëria fillon reduktimin e tarifave roaming për shtetasit e Kosovës

Ka një kamër unike time-of-flight (ToF) që përdoret për të kapur imazhe 3D.

Në fund të 2018-ës Samsung prezantoi Galaxy A9, telefonin e parë në botë me katër kamera të pasme. Përveç lentes parësore, përdor një lente telefoto, një sensor thellësie dhe një lente me kënd të gjerë.

Dita ditës numri i kamerave në telefonët tanë po rritet.

Kamerat mobile po bëhen më të mira

Pavarësisht nëse telefoni juaj ka katër kamera të pasme apo vetëm një, cilësia e fotove është disa herë më e mirë sesa e telefonëve para pak vitesh.

Çfarë telefoni duhet të blini? Varet se çfarë dëshironi të bëni me të. Dëshironi të realizoni foto të një qyteti plot qiellgërvishtës? Apo foto me grupe njerëzish? Atëherë kamerat me kënd të gjerë janë ajo që po kërkoni.

Doni të realizoni foto dramatike? Një lente monochrome mund tu kryejë punë.

Në fund të fundit mos harroni se cilësia e fotos varet edhe nga dora e fotografuesit. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>