Blog

Pse mungon komentimi?

Publikuar , 17 Shkurt 2010
0
Pse mungon komentimi?

Por një gjë që më çudit në ueb faqen tonë PC World Albanian është dëshira e ultë e lexuesve të faqes për të postuar ndonjë koment rreth ndonjë lajmi të ri.

Kam përcjellë këtë fenomen me mjaft vëmendje dhe mund të them se përgjigjen e kam dhënë në kokën time në dy variante.

Në rend të parë kam menduar se lexuesit nuk janë të interesuar që të komentojnë ndonjë gjë rreth lajmeve ndërkombëtare. Këtë e tregon edhe trendi i komenteve në ueb faqe ku më së shumti vërehen përgjigje tek tema që ndërlidhen Kosovën, Shqipërinë apo me ndonjë vend të rajonit.

Mungesën e komenteve e kam arsyetuar edhe me atë se ndoshta këta lexues janë më shumë të interesuar të lexojnë lajme të shkurta, të pajisen me informatat më të fundit dhe të shkojnë tutje. Megjithatë këtu kam vërejtur disa dallime mes nesh dhe disa portaleve të informimit si telegrafi.com apo ipko.net apo kudo tjetër ku ofrohen lajme rreth teknologjisë, sepse atje nuk ka hezitim për të postuar.

Pavarësisht se nuk janë në numër të madh, nëse krahasohen me ueb faqet ndërkombëtare të teknologjisë, komentimet rreth këtyre temave në këto portale gjegjëse nuk mungojnë. Shtrohet pyetja pse?

Këtu e kam një përgjigje që ndoshta dikush mund ta kundërshtojë. As Telegrafi e as Ipko nuk kanë sistem sigurie Captcha (Captcha është një lloj testi sfidues për përgjigje që shumicën e rasteve vendoset në ueb faqe për të përcaktuar nëse lexues/vizitori është njeri apo gjenerues automatik për të bërë spam).

Captcha-në mund ta vëreni tek PC World Albanian sepse në çdo moment që keni dëshirë të postoni, ju duhet të plotësoni një fushë të zbrazët me disa numra e shkronja të pakuptimta, për të cilat unë kam mendim se shumicës së lexuesve u pengojnë. Por pavarësisht kësaj bezdie që ju shkakton për të postuar, Captcha mundëson që në ueb faqe të ofrohet më shumë siguri dhe të ruhet integriteti nga spamerët.

LEXO EDHE:  Vajza e themeluesit të Huawei padit Kanadanë për arrestimin

Përveç kësaj, komentet nuk postohen në mënyrë automatike, pa marrë miratimin e administratorit.

Në anën tjetër Telegrafi e Ipko ofrojnë një sistem jashtëzakonisht të thjeshtë për koment. Emër, e-mail dhe koment, asgjë më shumë. Këto janë të vetmet gjëra që kërkohen nga lexuesi për tu plotësuar. Madje fusha e-mail nuk ka nevojë për plotësim. Thjeshtë fusni emrin dhe komentin, dhe ai do të vendoset në mënyrë automatike në ueb faqe. Pa miratimin e administratorit.

Ky lloj sistemi sado që është i lehtë për lexuesit, është shumë i vështirë për administruesit e uebit. Komentuesit janë të lirë të shkruajnë çfarëdo që dëshirojnë. Pati apo nuk pati lidhje me temën. Madje gjuha që shkruhet në këto komente mund të jetë jashtëzakonisht eksplicite, dhe të qëndrojë aty derisa të vërehet nga administratori.

Si rezultat i këtyre gjërave komentet rreth temës shpeshherë devijojnë dhe mund të sjellin edhe debate të pakuptimta.

Këto gjëra në tërësi i eliminon sistemi Captcha. Por problemi është tek kushtëzimi i lexuesit për të futur ato numra e shkronja në fushën e zbraztë. Pastaj ekziston mundësia për gabim dhe me këtë rast komenti i shkruar (ndoshta edhe i gjatë) zhduket për shkak të rifreskimit të faqes dhe lexuesi është i detyruar të shkruajë sërish … e disi kam një ndjenjë se ai nuk është i gatshëm ta bëjë këtë.

Pra këtu është pyetja? A na duhet apo nuk na duhet Captcha? A duhet që t’ju kursejmë nga ky sistemi për të qenë ju si lexues në gjendje të postoni lirshëm apo duhet t’ju ofrojmë një sistem më të lehtë për të komentuar? Apo ndoshta më së miri është të ofrojmë një sistem të thjeshtë si telegrafi, dhe të kujdesemi për spam e për komente të çuditshme…

LEXO EDHE:  Superkompjuteri i ardhshëm i SHBA do të ketë fuqinë e 160 superkompjuterëve të tjerë

Në fund kam edhe diçka për të shtuar. E di se të gjithë (edhe unë) jeni të interesuar për të kuptuar lajme teknologjike rreth Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, etj. Padyshim se edhe ne jemi. PC World Albanian po bënë më të mirën për të mbuluar ngjarjet që po ndodhin në këto vende, edhe pse ato janë të pakta. Megjithëse lajmet ndërkombëtare për Google, Microsoft, HP, e shumë të tjerë janë në qendër të vëmendjes, rëndësia e temave vendore është më e madhja.

Ndoshta këtu është edhe arsyeja e mungesës së komenteve nga lexuesit apo edhe diku tjetër. Në fund të fundit përgjigjen më të mirë e dini ju lexues të PC World Albanian.

Mos hezitoni. Komentoni.

Lajmet e fundit>