Biznes

PTK modernizon shërbimet postare

Publikuar , 06 Korrik 2010
0
PTK modernizon shërbimet postare

Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha ka bërë të ditur se deri më tash është investuar 300 mijë euro në blerjen e 16 furgonëve të kapaciteteve të ndryshme që do të shpejtojnë edhe më shumë shpërndarjen e dërgesave anëmbanë vendit.
 
“Meqë Qeveria ka vendosur që ta privatizojë Telekomin dhe Vala-n, Posta si njësi e veçantë do t’i mbetet shtetit, andaj jemi duke bërë çmos që ta ngrisim standardin e saj, në mënyrë që në të ardhmen kjo njësi, apo kjo kompani e shtetit të jetë më profitabile”, ka deklaruar Dr. Haxha duke shtuar se synim parësor mbetet që brenda një kohe shumë të shkurtër Posta e Kosovës të jetë kompani më fitimprurëse.
 
Sipas tij, PTK ka investuar duke siguruar motoçikleta me helmeta, gjithsejt 200 sosh me një kosto rreth 300 mijë euro, ndërsa, siç dihet, Posta ka në dispozicion edhe një numër të biçikletave, të dhuruar si donacion nga Posta Shqiptare.
 
“I gjithë ky investim dhe këto automjete moderne që tashmë i posedojmë, do të ndikojnë në shpejtësinë dhe sigurinë e shpërndarjes së shërbimeve postare”, ka theksuar Dr. Shyqyri Haxha me rastin e dorëzimit të çelsave për automjetet dhe motoçikletave të reja për punëtorët e Postës së Kosovës.

Janë edhe dy projekte shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me modernizimin e Postës së Kosovës, siç janë projekti i automatizimit, i cili do të kushtoj 1.4 milionë euro, ku me këtë projekt do të ketë avancim të shërbimeve të reja postare, sepse të gjitha sportelet në tërë territorin e Kosovës do të modernizohen.
 
Projekti tjetër i po kësaj rëndësi është padyshim ai i Postës Hibride, për të cilin projekt, shpresohet në mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili parashihet të kushtoj rreth 2.4 milionë euro. Me këtë projekt do të zhvillohet edhe më shumë shërbimi i printimit, përpunimit, zarfimit dhe shpërndarjes së dërgesave postare me një kapacitet jashtëzakonisht të shpejtë dhe të sigurtë, në veçanti për konsumatorët e mëdhenj.
 
Me këto dy projekte do të ngritet standardi i Postës, shpërndarja e dërgesave, pakove me një shpejtësi shumë të madhe, pastaj këmbimi i dërgesave nëpër kufij, gjë që do ta shndërronte Postën e Kosovës në një kompani të suksesshme fitimi.

LEXO EDHE:  Telekom Srbija vijon ekspansionin, blen dy operatorë të rinj

Lajmet e fundit>