Biznes

PTK ngre performancën e punëtorëve të vet përmes Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim

Publikuar , 25 Shkurt 2010
0
PTK ngre performancën e punëtorëve të vet përmes Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim

“Gjatë vitit 1990, regjimi i atëhershëm serb i largoi me dhunë punëtorët nga puna dhe kjo ka shkaktuar një ngecje në zhvillimin e njohurive të reja në botën e teknologjisë, prandaj hapja e Qendrës për Trajnim dhe Zhvillim brenda PTK-s ishte e domosdoshme për avancimin e njohurive të punëtoreve”, deklaroi Nazmi Zeqiri, menaxher i QTZH-së. Kjo qendër qëllim kryesor ka orientimin nga konsumatori duke përgatitur stafin e kompanisë që të jetë sa më profesional në ofrimin e shërbimeve dhe shitjen e produkteve. Angazhim themelor për QTZH-në është përgatitja e punëtorëve të PTK-së që të jenë në nivelin më të lartë të përgatitjes profesionale e morale dhe të jenë në rrjedhat bashkëkohore të shkathtësive menaxheriale apo operuese.

–    QTZH veprimtarinë e vet e ushtron në pesë shtylla kryesore, të cilat ofrojnë një numër të madh trajnimesh:

• Akademia e Shitjes dhe e Kujdesit ndaj Konsumatorit, e cila si objektiv themelor ka përgatitjen e personalit që të jetë i orientuar në shërbim të konsumatorit.

• Trajnimet nga Teknologjia Informative, ku ofrohen trajnime të ndryshme rreth teknologjisë informative, përfshirë ECDL, trajnime nga Microsoft, Cisco, Auto Desk dhe së shpejti do të fillojë ofrimi i trajnimeve nga ORACLE dhe Red Hat.

• Menaxhimi i përgjithshëm, trajnim i cili ofron zgjerimin e njohurive të përgjithshme dhe atyre specifike nga fusha të ndryshme dhe u dedikohet punëtorëve, mbikëqyrësve, koordinatorëve dhe menaxherëve.

• Ndihma e parë dhe Siguria në Punë
, e cila ofron trajnime të obliguara me ligj lidhur me sigurinë e punonjësve në vendin e punës.

• Kurset e gjuhëve të huaja, që aktualisht ofrojnë kurse të gjuhës angleze në disa nivele si dhe nivelin e avancuar për “Anglishten e biznesit”.

Qendra për Trajnim dhe Zhvillim e PTK-së është themeluar në vitin 2004 dhe deri më sot ka arritur të ofrojë një numër prej 97 modulesh trajnimi, me plane për t’i shtuar këto module gjatë këtij viti. Akademia e Shitjes dhe e Kujdesit ndaj Konsumatorit është themeluar në vitin 2007 dhe ofron 13 module trajnimi që specializojnë personelin për produktet dhe shërbimet e PTK-së, marketingun, shitjen dhe kujdesin e veçantë ndaj konsumatorit. Pjesëmarrësit më të shpeshtë të trajnimeve në këtë modul janë punonjësit e vijës së parë në komunikim me konsumatorin, një pjesë e montatorëve të Telekomit dhe një pjesë e zyrtarëve të Sigurimit.  Shtylla e Teknologjisë Informative ofron trajnime për të gjithë punonjësit e PTK-së. Në këtë shtyllë ofrohen trajnime nga ECDL Syllabusi 5.0 me 7 module trajnimi. Ofrohen trajnime dhe certifikime nga CISCO në 5 module, si IT Essentials 1&2 dhe CCNA Discovery, CCNA Exploration dhe CCNA Security. Trajnimet dhe certifikimet nga Microsoft ofrohen në Windows XP/Vista dhe së fundi në Windows 7, gjithashtu në Windows Server 2003/2008.

LEXO EDHE:  Kriza nuk ka të ndaluar, Bitcoin bie nën 4,000 dollarë


–    Trajnime dhe certifikime nga Certiport dhe Autodesk. Për momentin, në QTZH, në shtyllën e Teknologjisë Informative ofrohen gjithsej 35 module trajnimi dhe së shpejti pritet të fillojnë trajnimet nga Oracle dhe Red Hat. Se sa kanë ndikuar trajnimet e punëtorëve në shtyllën e Teknologjisë Informative na e vërteton edhe z. Besnik Skënderi, koordinator i trajnimeve të TI-së dhe e-learning: “Pasi punëtorët e PTK vijojnë trajnimet në QTZ, vërehet një avancim në punën e tyre, por suksesin e punëtorëve e vërteton fakti që është ulur kërkesa për zgjidhjen e problemeve te qendra e përkrahjes teknike brenda PTK-së”. Kjo qendër, përveç trajnimeve në qendrën kryesore në Prishtinë, ofron edhe trajnime të TI në 6 rajone të Kosovës: Mitrovicë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Pejë dhe Prizren. “QTZH përveçse është Microsoft Certified Partner for Learning Solutions (MCLPS) dhe Cisco Networking Academy, është edhe qendër trajnuese dhe testuese për Pearsonvue, Prometric dhe Certiport”, deklaroi Bekim Dauti. Qendra për Trajnim dhe Zhvillim gjithashtu ka edhe një laborator të Fibrës Optike, ku trajnohen montatorët e kësaj kompanie që të punojnë në shtrirjen dhe aplikimin e fibrës optike në territorin e Kosovës.  Menaxhimi i përgjithshëm ofron gjithsej 33 module trajnimi të cilat kanë për qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të performancës së personelit të PTK-së. Disa nga modulet e kësaj shtylle janë shkathtësitë e komunikimit, menaxhimi i kohës, menaxhimi i stresit, përpilimi i raporteve, ndërtimi i ekipit, marrja e vendimeve, planifikimi strategjik dhe shumë trajnime të tjera për menaxhim të ndërmarrjes.

–    Ndihma e parë dhe siguria në punë janë trajnime të obliguara me ligj, të cilat PTK i ofron për të gjithë punëtorët e vet. Kjo shtyllë ofron 9 module trajnimi, të cilat u ofrojnë punëtorëve njohuri të reja dhe u rifreskojnë njohuritë e fituara më parë. Kurset e gjuhëve të huaja ofrojnë kurse të gjuhës angleze në gjashtë nivele si dhe modulin “Anglishtja në biznes”, që është modul më i avancuar i mësimit të gjuhës angleze. Këto kurse u ofrohen të gjithë punonjësve të PTK-së.  Për të ofruar material ndihmues, QTZH ka edhe bibliotekën e saj, e cila pasqyrohet për çdo vit me tituj të ri. Të gjithë punonjësit e PTK-së mund të huazojnë libra dhe material tjetër, si CD apo revista.
QTZH është themeluar për trajnimin e punëtoreve të PTK-së, por së fundi ka marrë aprovimin nga bordi i PTK-së që këto trajnime t’u ofrohen të gjithë të interesuarve. PTK e ka kuptuar me kohë që vlera më e madhe e një kompanie janë stafi i kualifikuar dhe i përgatitur për tregun e punës në hap me risitë e trendit të biznesit.

LEXO EDHE:  Marrëveshja Tregtare SHBA-Kinë, Huawei në lojë

Lajmet e fundit>