Blog

Punëtorët e Telekomit paralajmërojnë bojkot të punës

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 20 Qershor 2019
0
I bëjmë thirrje kompanisë ‘Kujtesa’, si një kompani serioze në tregun vendor, pa marrë parasysh indikacionet që ajo mund të ketë dhe t’i ketë marrë që të mos e humb kredibilitetin e saj sepse në Telekomin e Kosovës më 30 korrik përfundon çdo MVNO. Punëtorët e Telekomit paralajmërojnë bojkot të punës

Punëtorët e Telekomit të grumbulluar rreth Federatës Sindikale kanë paralajmëruar se 30 korriku do të jetë dita kur ndërmarrja ku ata punojnë do të lirohet nga kontrata me Z Mobile.

Sindikalistët mbajtën një konferencë për media ku edhe njëherë i bënë publike qëndrimet e tyre në lidhje me këtë çështje si dhe paralajmëruan protesta për ditën e hënë. Kryetari i FSP të PTK-së, Lamih Balaj, deklaroi se punëtorët janë të bashkuar dhe të vendosur të largojnë krimin e korrupsionin nga Telekomi pavarësisht çmimit që duhet të paguajnë.

“FSP-PTK bashkë me punëtorët janë të bashkuar si asnjëherë më parë që njëherë e përgjithmonë ta largojmë krimin dhe korrupsionin nga Telekomi i Kosovës. Data 30 korrik 2019 është dita kur Telekomi do të lirohet nga kontrata me Z-Mobile. Ne jemi të vendosur si punëtorë bashkërisht pa marrë parasysh çmimin që do të paguajmë, që data 30 korrik 2019 do të jetë dita e fundit e Z Mobile si zhvatëse e Telekomit të Kosovës”, deklaroi Balaj.

FSP e PTK-së në emër të punëtorëve ftoi të gjitha institucionet shtetërore kompetente që t’i bashkohen kauzës së tyre, pasi sipas tyre, ndalojnë një dëm të madh që i ka ndodhur Telekomit të Kosovës.

Balaj ka thënë se Posta i ka dhënë shtetit mbi 480 milionë euro dividendë dhe se ka ardhur koha që Qeveria të marrë vendim për t’ia kthyer këtë shumë ndërmarrjes pasi edhe atëherë kur Qeveria kishte vendosur t’ia marrë këtë e kishte bërë duke shkelur ligjet.

“Telekomi apo gjiganti më i madh në vend është e vetmja ndërmarrje publike që i ka dhënë këtij shteti mbi 480 milionë euro dividendë. Punëtorët e PTK-së së atëhershme një vit pas kthimit në punë kanë punuar pa paga dhe me mjetet e tyre vetanake dhe vullnetare e kanë ngritur Telekomin në piedestalin e ndërmarrjes më të lartë në vend. […] Edhe njëherë i bëj thirrje kryeministrit që sa më parë me e mbledh Qeverinë dhe me marr vendim që me ia kthye Telekomit atë dividendë që padrejtësisht i është marrë nga qeveria e kaluar”.

LEXO EDHE:  Irlanda ka rikuperuar 13.1 miliardë dollarë taksa të papaguara nga Apple

Në lidhje me punën e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, Balaj deklaroi se anëtarët po bëjnë një punë të mirë dhe fisnike duke shtuar se puna e Komisionit mund të vijojë edhe më gjatë pasi të shkëputet kontrata me Z Mobile.

Balaj tha se edhe kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, kërkon që të shkëputet kontrata, por ka informacione se edhe brenda bordit ka njerëz që duan që Telekomi të lirohet nga po kjo kontratë.
Protestë të hënën

FSP e PTK-së ka ftuar për të hënën një protestë në ora 11:00 para objektit qendror në Dardani ku do të bëjnë të ditur edhe masat që do të ndërmarrin në vazhdim.

Balaj tha se nuk do të pengohet puna e Telekomit, por kërkuan që t’ju bashkohen edhe deputetë, shoqëria civile dhe qytetarë.

“Të hënën do të bëjmë publike të gjitha veprimet, kemi me dhënë një afat kohor që me dal me një deklaratë publike që me iu dërguar Z Mobile që po ua shkëpusim kontratën, por në rast që nuk dalin deri në datën që kemi me caktu na bashkarisht me kryesinë dhe me punëtorët, atëherë i paralajmërojmë edhe grevat. Por të hënën do të jetë një protestë që nuk do të pengojë punën në Kosovë.

Të gjitha pikat tona do të punojnë, do të punojnë të gjitha kujdestaritë, por të gjithë ata që janë të lirë dhe administrata që punojnë në ndërrimin e dytë, do të jenë me në në Prishtinë”.

Kryetari i FSP e PTK-së tha se nga burime të sigurta kanë kuptuar se Z Mobile do të shesë asetin e saj tek kompania “Kujtesa” të cilën e kanë ftuar që të mos e blejë.

LEXO EDHE:  Telekomi i Kosovës kërkon mese 22 milion euro nga qeveria e Kosovës

“Tashmë nga paniku që i ka shkaktuar Telekomit të Kosovës, Z Mobile po tenton që të fshihet para drejtësisë dhe opinionit publik duke tentuar që të shesë asetin e saj Z Mobile në kompaninë ‘Kujtesa’.

I bëjmë thirrje kompanisë ‘Kujtesa’, si një kompani serioze në tregun vendor, pa marrë parasysh indikacionet që ajo mund të ketë dhe t’i ketë marrë që të mos e humb kredibilitetin e saj sepse në Telekomin e Kosovës më 30 korrik përfundon çdo MVNO. Edhe njëherë përfundimisht ju bëj me dije se Telekomi i Kosovës nuk është i Z Mobile, i kompanive korruptive, por është i Kosovës”, tha Balaj. /Monitor.

Lajmet e fundit>