Analiza

Raportim: Lenovo po merr në konsideratë një blerje të mundshme të BlackBerry-t

Publikuar , 18 Tetor 2013
0
Raportim: Lenovo po merr në konsideratë një blerje të mundshme të BlackBerry-t

Kinezët e Lenovo Group po marrin në konsideratë një ofertë për blerjen e BlackBerry-t, sipas The Wall Street Journal.

Gazeta citon disa burime që kanë lidhje me çështjen dhe shkruan se kompania kineze ka nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me BlackBerry-n që i lejon të shqyrtojë me detaje llogaritë financiare të kanadezëve.

Ndërkohë, vetë BlackBerry ka refuzuar të komentojë mbi këtë raportim. Kompania shtoi se komisioni special i ngritur disa kohë më parë për të vlerësuar të ardhmen e kompanisë, po shqyrton alternativa strategjike.

“Nuk duam të zbulojmë zhvillime që mund të ndodhin në të ardhmen derisa të kemi një transaksion real,” tha kompania në një deklaratë.

BlackBerry është nxjerrë në shitje muajt e fundit pasi sistemi operativ BlackBerry 10 dhe linja e re e smartfonëve nuk arritën të kishin sukses në treg. Kompania po vazhdon ende të bëjë marketing për platformën dhe ka gjetur një farë suksesi deri tani, por renditet e katërta në treg përsa i përket përqindjes së përdoruesve, pas Android, iOS dhe Windows Phone.

Nga ana tjetër, për blerjen e BlackBerry-t ekzistojnë disa rregulla të veçanta qeveritare, duke qenë se pajisjet e tij përdoren në mase nga shërbimet publike veçanërisht në SHBA dhe Kanada.

Vitin e kaluar, Komiteti i Inteligjencës në SHBA sugjeroi se përdorimi i rrjetit të telekomunikacionit nga dy kompani kineze, ZTE dhe Huawei, përbënte rrezik të lartë për SHBA-në. Edhe këto dy të fundit kanë shprehur interesin për blerjen e BlackBerry-t.

Ndërkohë, Fairfax Financial Holdings, ka arritur një marrëveshje paraprake prej 4.7 miliardë $ për ta blerë BlackBerry-n por kontrata nuk është finalizuar ende. (PCWorld Albanian)

blackberry logo black

LEXO EDHE:  Mbi 300 startupe blockchain janë mbyllur gjatë 2018-ës në Britani

Lajmet e fundit>