Lajmet

RiskIQ: Katërfishohet numri i maluereve Android gjatë dy viteve të fundit

Publikuar , 21 Shkurt 2014
0
RiskIQ: Katërfishohet numri i maluereve Android gjatë dy viteve të fundit

maluerSipas një studimi të fundit të realizuar nga RiskIQ, kompani që ofron shërbime mbi sigurinë online, rezulton se aplikacionet që përfshijnë në ndërtimin e tyre maluere vazhdojnë të jenë problematike. Në fakt, gjatë dy viteve të kaluara numri total i aplikacioneve të dëmshme pothuajse është katërfishuar, duke u rritur nga 11 000 në vitin 2011 në 42 000 në 2013-ën.

Në përgjithësi, ndër veprimet kryesore të kryera nga aplikacionet e infektuara të përfshira në këtë studim janë: regjistrimi i bisedave telefonike, aksesimi dhe kontrollimi i pajisjes së infektuar, vjedhja e informacioneve personale (adresa e e-mail-it , listat e kontakteve dhe të dhënat e GPS) si dhe shkarkimi i maluereve të tjera.

RiskIQ ka vënë në dukje tre aplikacione të dëmshme që kanë qenë prezente në Play Store që prej vitit 2011: Wallpaper Dragon Ball dhe Finger Hockey, të cilët përfshijnë maluere që vjedhin të dhënat konfidenciale dhe Subway Surfers Free Tips i cili ngarkon një Trojan të quajtur “Air Push” që mundëson abonimin e smartfonit ndaj shërbimeve premium menjëherë pasi shmangen barrierat e sigurisë.

Sipas studimit rezulton se Google po eliminon më pak maluere se më parë. Në qoftë se në 2011-ën Google ka eliminuar plot 60% të aplikacioneve të raportuara si maluere, në 2013-ën ka mundur të eliminoje më pak se 25%.

Vlen të theksojmë se gjatë kësaj periudhe 2 vjeçare përveç katërfishimit të aplikacioneve të dëmshme është katërfishuar njëkohësisht edhe numri i përgjithshëm i aplikacioneve në Play Store. Nga korriku i vitit 2011 dhe deri në korrik të vitit 2013, numri i aplikacioneve në Play Store ka arritur nga 250 000 në 1 000 000 dhe tek të dy periudhat e shqyrtimit është vënë re se aplikacionet e dëmshme përbënin 4% të totalit. Kjo do të thotë se numri i maluereve nuk ka shënuar rritje, por as nuk është reduktuar. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Një Trojan bankar mund të vjedhë kodet e gjeneruara nga Google Authenticator