Blog

Rregullat për viza amerikane, ja pse nuk duhet të postoni shumë online

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 18 Qershor 2019
0
Shumica e njerëzve që duhet të marrin viza – edhe nëse duan t’i vizitojnë të afërmit për ca ditë – duhet të ndajnë të dhënat e tyre nga mediat sociale. Rregullat për viza amerikane, ja pse nuk duhet të postoni shumë online

Të huajt që mohojnë imperializmin amerikan dhe duan të relaksohen në plazhet e Majamit apo të luajnë poker në kazinotë në Las Vegas, do të duhet ta zbusin tonin e tyre në Twitter.

Të huajt që po ashtu postojnë fotografi në Facebook nga një ditë e kaluar në Nju Jork, do të duhet ta fshehin entuziazmin, që të mos dyshohen se duan të qëndrojnë përgjithmonë në SHBA.

Arsyeja?

Departamenti amerikan i Shtetit kërkon tani nga aplikuesit për viza, që të japin edhe profilet e tyre në mediat sociale.

Rregullat, të cilat kanë hyrë në fuqi më 31 maj, nuk kërkojnë nga ta që të japin edhe fjalëkalimet në llogaritë e tyre.

Megjithatë, avokatët e migracionit thonë se kërkesat mund t’i ngufasin diskutimet e hapura në mediat sociale, duke bërë që migrantët ose vizitorët e mundshëm të jenë më të kujdesshëm në lidhje me atë që postojnë dhe me ata që mund të bëhen miq.

“Njerëzit do të kenë frikë të shprehin mendimin e tyre mbi politikat e Shteteve të Bashkuara”, thotë Andrei Romanenko, një avokat rus i migracionit, me bazë në San Francisko.

“Disa do të kenë frikë të bëjnë shokë që jetojnë në SHBA, sepse mund të mendojnë se një rrjet i gjerë miqsh në SHBA, do të bëhet tregues i qëllimit të migrimit”, thotë Romanenko.

Personat që aplikojnë për viza amerikan tashmë duhet të plotësojnë këtë listë për mediat sociale, duke treguar se cilat media sociale përdorin.
Personat që aplikojnë për viza amerikan tashmë duhet të plotësojnë këtë listë për mediat sociale, duke treguar se cilat media sociale përdorin.

Rregullat e përditësuara janë pjesë e një programi më të gjerë të presidentit amerikan, Donald Trump, për të forcuar kufijtë e SHBA-së. Premtimi i kësaj e ka ndihmuar atë të zgjidhet president në vitin 2016.

LEXO EDHE:  BlackBerry akuzon Twitter për vjedhjen e teknologjisë

Tani, shumica e njerëzve që duhet të marrin viza – edhe nëse duan t’i vizitojnë të afërmit për ca ditë – duhet të ndajnë të dhënat e tyre nga mediat sociale në formularin e aplikimit.

Rregullat nuk vlejnë për njerëzit nga vendet që aktualisht janë të përjashtuara nga rregullat afatshkurtra të vizave – për shembull, për turistët e huaj ose udhëtarët e biznesit që lejohen të vizitojnë Shtetet e Bashkuara për 90 ditë, pa pasur vizë.

“Siguria kombëtare është përparësia jonë kryesore kur marrim vendim për aplikimet për vizë dhe çdo udhëtar apo imigrant i ardhshëm në Shtetet e Bashkuara kalon nëpër një shqyrtim të gjerë të sigurisë”, tha Departamenti amerikan i Shtetit në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

“Ne po punojmë vazhdimisht për të gjetur mekanizma për të përmirësuar proceset tona të kontrollit, në mbrojtje të qytetarëve të SHBA-së dhe në mbështetje të udhëtimit të ligjshëm në SHBA”, thuhet në deklaratë.

Njëzet platformat

Rregullat tani kërkojnë që aplikuesit për viza të ndajnë profilet ose emrat identifikues, të përdorur në pesë vjetët e fundit në këto platforma sociale: Ask FM, Douban, Facebook, Flickr, Google+, Instagram, LinkedIn, MySpace, Pinterest, QZone, Reddit, Sina Weibo, Tencent Weibo, Tumblr, Twitter, Twoo, Vine, VKontakte, YouKu dhe YouTube.

Në mesin e përjashtimeve që bien në sy janë SnapChat dhe aplikacioni i takimeve, Tinder. Departamenti amerikan i Shtetit tha se do të shtojë platforma në të ardhmen, por nuk e zbuloi se cilat.

Aplikuesit me më shumë se një llogari në një platformë të mediave sociale, si Facebook, duhet ta ndajnë secilin emër identifikues.

Aplikuesve që kurrë nuk janë regjistruar në ndonjërën prej këtyre platformave sociale, nuk do t’iu refuzohet viza për mosofrimin e këtyre të dhënave, tha Departamenti i Shtetit.

LEXO EDHE:  Arsyeja pse Facebook, Instagram dhe WhatsApp ishin jashtë shërbimi për 14 orë

Karnig Dukmajian, avokat i migracionit me seli në Londër, thotë se nuk beson se zyrtarët e migracionit do të kontrollojnë llogaritë e mediave sociale të çdo aplikuesi.

Ai beson se mediat sociale do të përdoren si mjet shtesë për të kontrolluar vetëm ata aplikues që ngrenë shqetësime te zyrtarët e migrimit në SHBA.

“Ne thjesht nuk e dimë se si do të përdoren ato, apo edhe nëse kanë kapacitet për të bërë diçka me këto informacione”, thotë Dukmajian.

Edhe para rregullave të reja, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar informacione të detajuara të aplikuesve për viza migruese dhe jomigruese, përfshirë historinë e udhëtimit, informacione për anëtarët e familjes, adresat e mëparshme të shtëpisë, si dhe të dhëna për punëdhënësit dhe shkollimin.

Fotografitë gjithashtu kanë qenë një përbërës kyç i procesit të aplikimit – me fotografi digjitale të nevojshme për disa kategori të vizave dhe fotografi të shtypura për kategori të tjera.

Të huajt që planifikojnë udhëtime në Shtetet e Bashkuara thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat e reja nuk do t’i pengojnë që të aplikojnë për viza.

“Nuk më shqetësojnë sepse nuk kam asgjë për të fshehur. Mendoj se edhe miqtë e mi ndjehen njësoj”, thotë Maria Gorelova, banore e ishullit Sakhalin të Paqësorit të Rusisë, e cila do të bëjë udhëtimin e parë në Shtetet e Bashkuara këtë muaj. Ajo e mori vizën e saj para hyrjes në fuqi të rregullave të reja.

Banori i Shën Petersburgut, Artem Tikhonov, i cili i ka vizituar Shtetet e Bashkuara disa herë, thotë se rregullorja e re është “e pakëndshme”.

“Është presion mbi lirinë personale, por duhet kuptuar se është një politikë administrative”, thotë Tikhonov. /RadioEvropaLirë

LEXO EDHE:  Google Play Store përsëri lejon penetrimin e maluerëve kriptografike

Lajmet e fundit>