Biznes

Rriten të ardhurat e Telekomit të Kosovës por kriza nuk ndalet

Sep 20 2018
0 Shpërndarje
Ministri Lluka ka thënë se është me rëndësi që nëse të hyrat rriten në Telekom dhe kostot e shpenzimet zvogëlohen, kjo është rruga e duhur për ta ristrukturuar tërësisht ndërmarrjen. Rriten të ardhurat e Telekomit të Kosovës por kriza nuk ndalet

Pavarësisht se në muajin gusht kishte të hyra mbi 8 milionë euro, Telekomi i Kosovës, vazhdon të jetë në krizë financiare të madhe dhe për shpëtimin e tij duhet të ulen pagat, por vetëm pasi të ketë një vlerësim korrekt të secilit punëtor.

Kjo është bërë e ditur gjatë një vizite që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i bëri Telekomit me ç’rast është pritur nga kryeshefi i kësaj kompanie dhe Bordi i Drejtorëve.

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Gent Begolli, duke pranuar se kjo ndërmarrje publike është në krizë të madhe financiare, ka thënë se e kanë njoftuar ministrin për gjendjen aktuale dhe masat e shpëtimit të Telekomit.

Ai ka thënë se të hyrat në muajin gusht kanë shkuar në 8 milionë e 741 mijë euro, që është një rekord krahasuar me vitin 2009. Ai ka thënë se ka njoftuar ministrin për të gjitha iniciativat në dobi të Telekomit , mirëpo pranon se ende kjo kompani është në një krizë financiare të madhe.

“Një ndër lajmet mira që ia kumtuam ministrit është, se Telekomi i Kosovës ka thyer rekord të të hyrave në gusht, I kemi 8 milionë e 741 mijë euro të hyra në muajin gusht, në muajin korrik gjithashtu kemi pasur të hyra të mëdha. Ka qenë një shumë e madhe që ka ardhur nga bashkatdhetarët. Telekomi i Kosovë në të vërtet është një krizë të madhe, për arsye se e kemi trashëguar nga menaxhmenti i kaluar me shumë borxhe të ndryshme, me shumë kontrata që besoj nuk janë kontrata të mira. Gjithashtu me një numër të madh të punëtorëve dhe gradime mbi gradime ku nuk dihet saktë përshkrimi I vendeve të punës”, ka thënë Begolli.

Ministri Lluka ka thënë se është me rëndësi që nëse të hyrat rriten në Telekom dhe kostot e shpenzimet zvogëlohen, kjo është rruga e duhur për ta ristrukturuar tërësisht ndërmarrjen.

Sipas tij, shpenzimet operative kanë qenë problemet kryesore të Telekomit që ka pasur një situatë për t’i humbur rreth 15-16 milionë euro në vit.
“Ne kemi marrë zotim për asistencë financiare, mirëpo ky zotim nuk mund të jetë në pafundësi, duke mos ndodhur. Është me rëndësi që të kemi ristrukturimin sa më shpejt që është e mundshme. Paralelisht kanë filluar procedura dhe kuptova, mirëpo në momentin që ne e marrim një zotim, që kjo ishte një nga ato pikat kryesore nga ky takim sot, është se do të shikojmë sot apo nesër nga Banka për Rindërtim dhe Banka Botërore, ta marrim në të shkruar se kur mund të filloj plani me asistencë teknike. Dhe nëse është sipas planit tonë për sa më shpejt që të jetë e mundur, ai tender mund të anulohet. Nëse zgjatet në pafundësi, normalisht për ne interesi është më I madh, sepse fitojmë më shumë nga kursimet nëse e bëjmë së më shpejt ristrukturimin”, ka thënë ministri Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik po ashtu ka thënë se për ta shpëtuar Telekomin, duhet të ulen pagat, por sipas tij, vetëm pasi të ketë një vlerësim korrekt të secilit punëtor.

“Ajo çka kemi thënë nga fillimi, është që për ta shpëtuar Telekomin dhe për ta nxjerrë në një ndërmarrje fitimprurëse duhet të ulen pjesërisht pagat, mirëpo pagat për t’u ulur duhet të kemi një plan më korrekt për secilin punëtorë. Sepse nëse ka punëtorë pa meritë në gradat më të larta, edhe nëse ia ulë rrogën nuk bënë ndonjë dëme, por nëse ka punëtorë me meritë me grada më të ulëta dhe nëse ia ulë rrogën e demotivon, pra e shkatërron një sistem të vet motivimit të punëtorëve. Për t’u siguruar që mos ndodhë një gjë e tillë, neve na duhet ta kemi një plan nga ristrukturimi. Një plan që e bënë një gradim të të gjithë punëtorëve dhe tek pastaj, duke shikuar të gjitha format tjera që janë duke u marrë nga menaxhmenti për zvogëlimin e shpenzimeve operative, pjesa e fundit do të mbetët ulja e pagave”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryeshefi Begolli në fund ka thënë se janë mbi 983 padi nga punëtorët e Telekomit të natyrave të ndryshme. /Telegrafi

Lajmet e fundit>