Biznes

Rritet tregtia e shërbimeve me BE

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 27 Maj 2019
0
Eksportet e shërbimeve të Bashkimit Europian u dominuan nga “shërbime të tjera të biznesit”, si kërkimi dhe zhvillimi, shërbime teknike, profesionale dhe të biznesit, të cilat përgjigjeshin për një të katërtën e totalit të eksporteve, të ndjekura nga transporti me 18% dhe shërbimet në udhëtim me 15%. Rritet tregtia e shërbimeve me BE

Me zhvillimin teknologjik dhe rritjen e globalizmit, tregtia e shërbimeve po njeh zgjerim. Bashkimi Europian është një ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. Tregtia e shërbimeve i referohet shitjes dhe shpërndarjes së produkteve të paprekshme, nga prodhuesi te konsumatori. Eurostat ka publikuar të dhënat mbi shkëmbimet tregtare të shërbimeve.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria pati suficit në tregtinë e shërbimeve me BE. Ky ishte viti i dytë radhazi, ku eksportet e shërbimeve shqiptare tejkaluan importet e shërbimeve, me diferencë 77.4 milionë euro. Eksportet e shërbimeve nga Shqipëria në BE ishin 857.9 milionë euro, nga 812.7 milionë euro një vit më parë, duke u rritur me 6%. Suficiti tregtar i Shqipërisë në shërbime njohu zgjerim me gati 60%.

Në kategorinë e shërbimeve përfshihen: shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit; transporti; udhëtimi; ndërtimi; sigurimi dhe shërbime pensionale; shërbimet financiare; përdorimi i pronës intelektuale; shërbimet në telekomunikacion dhe informatikë; shërbime të tjera të biznesit; shërbimet argëtuese; shërbimet qeveritare; etj.

Tregtia e shërbimeve me Ballkanin Perëndimor

Gjithnjë e më shumë, rajoni i Ballkanit Perëndimor po shihet si një i tërë nga vendet e Bashkimit Europian. Një nga objektivat e BE-së është krijimi i tregut të përbashkët me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas Eurostat, eksportet nga vendet e BP drejt BE-së ishin 4.9 miliardë euro, ndërsa importet nga BE-ja në vendet e Ballkanit Perëndimor ishin 5.8 miliardë euro. Prej tregtisë së shërbimeve me Ballkanin Perëndimor, BE-ja realizoi një suficit prej 896 milionë eurosh.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi eksportuan më shumë se sa importuan. Suficiti tregtar i Malit të Zi me BE-në në lidhje me shërbimet ishte 121 milionë euro, ndjekur nga Shqipëria me suficit prej 77.4 milionë euro. Nga vendet e rajonit, Serbia njohu deficitin më të gjerë në shërbime, me diferencë 563.2 milionë euro, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 438.2 milionë euro dhe Bosnja me 94 milionë euro. Për Kosovën nuk janë përditësuar të dhëna mbi tregtinë e shërbimeve me BE-në.

LEXO EDHE:  Ja sesi të caktoni një e-mail për ta dërguar më vonë në Gmail

BE-ja zgjeroi tregtinë e shërbimeve

Sipas të dhënave paraprake për 2018-n, eksportet e shërbimeve nga BE në pjesën tjetër të botës, u rritën me 0.7% në raport me një vit më parë, nga 912.4 miliardë euro në 918 miliardë euro. Ndërsa importet shënuan rritje me 1.1%, nga 720 miliardë euro në 728.4 miliardë euro. Si pasojë, suficiti tregtar i Bashkimit Europian në shërbime arriti në 190.1 miliardë euro në 2018, 0.8% më pak se një vit më parë.

 

Shërbimet në IT nxitën suficitin tregtar në shërbime

Eksportet e shërbimeve të Bashkimit Europian u dominuan nga “shërbime të tjera të biznesit”, si kërkimi dhe zhvillimi, shërbime teknike, profesionale dhe të biznesit, të cilat përgjigjeshin për një të katërtën e totalit të eksporteve, të ndjekura nga transporti me 18% dhe shërbimet në udhëtim me 15%.

“Shërbime të tjera biznesi” ishin kategoria me peshën më të lartë të shërbimeve të importuara nga Bashkimi Europian (rreth 29% e totalit), ndjekur nga shërbimet e transportit me 18%, udhëtimeve me 15%, dhe tarifat për përdorimin e pronës intelektuale 15%. Suficiti i BE-së në 2018 ishte rezultat kryesisht i suficitit në shërbimet e telekomunikacionit dhe informatikës (82 miliardë euro), transport me 31.9 miliardë euro, udhëtim me 30.7 miliardë euro dhe shërbime financiare me 32.1 miliardë euro. Ndërsa u shënua deficit në tarifat për përdorimin e pronës intelektuale.

SHBA, partneri kryesor i BE-së

Në 2018-n, partneri kryesor i eksporteve të shërbimeve në BE ishte SHBA me 27% të eksporteve jashtë komunitetit, ndjekur nga Zvicra me 13%, Kina me 6% dhe Japonia me 4%. Njëjtë edhe për importet e shërbimeve, ShBA janë sërish partneri kryesor i BE-së me 31% të totalit të importeve të shërbimeve që BE merr nga shtetet e tjera, e ndjekur nga Zvicra me 8% dhe Kina me 4%.

LEXO EDHE:  Bashkimi Evropian kundër të mëdhenjve të teknologjisë

Në 2018-n, Bashkimi Europian shënoi suficit në tregtinë e shërbimeve me të gjithë partnerët e saj kryesorë, përveç Indisë ku shënoi një deficit prej -2.6 miliardë eurosh. Deri më tani, suficiti më i lartë është parë me Zvicrën me rreth 57.9 miliardë euro, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 23.1 miliardë euro, Kina me 21.2 miliardë euro, Japonia me 14.9 miliardë euro dhe Rusia me 14.1 miliardë euro. /Monitor

Lajmet e fundit>