Lajmet

Rritje ndjeshëm konsumi i internetit celular në Shqipëri

Nga: PCWorld
Publikuar , 08 Mars 2021
Konsumi mesatar për përdorues i shërbimeve celulare gjatë tre mujorit të katërt ishte 186 minuta dalëse, 20 SMS dhe 4.46GB internet. Rritje ndjeshëm konsumi i internetit celular në Shqipëri

Në fund të 2020-ës numri i pajtimtarëve me shërbime celulare sipas kartave SIM ishte 3,33 milionë sipas raportit të fundit të AKEP çka përbën një rënie me 2.8% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Vodafone Albania është operatori më i madh në vend me 1,571 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1,229 milionë përdorues aktivë, një rënie me 8.8% dhe rritje 2.1% respektivisht krahasuar me tre mujorin e tretë të vitit.

Operatori i dytë më i madh One Telecommunications numëronte në fund të 2020-ës 1,231 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 967 mijë përdorues aktivë. Në rastin e One Telecommunications numri i pajtimtarëve sipas kartave SIM është rritur me 3.9% ndërsa përdoruesit aktivë me 4.3% krahasuar me tre mujorin e kaluar.

ALBtelecom numëronte 535 mijë pajtimtarë sipas kartave SIM një rritje me 1.6% krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe përdorues aktivë 421 mijë dhe rritje me 2.3%.

Raporti i AKEP zbuloi se Vodafone Albania është operatori me numrin më të lartë të pajtimtarëve me kontratë. Konkretisht 72.8% e pajtimtarëve të Vodafone janë me parapagesë ndjekur nga One Telecommunications me 82.6% dhe ALBtelecom me 78.2%.

Numri i përdoruesve me akses internet me brez të gjerë në rrjetet 3G dhe 4G ishte 1,998 milionë, një rritje e lehtë me 2.2% krahasuar me tre mujorin e kaluar. Vodafone Albania ka numrin më të lartë të përdoruesve me 981 mijë ndjekur nga One Telecommunications me 718 mijë dhe ALBtelecom me 298 mijë.

Konsumi mesatar për përdorues i shërbimeve celulare gjatë tre mujorit të katërt ishte 186 minuta dalëse, 20 SMS dhe 4.46GB internet. Gjatë kësaj periudhe u vu re një rritje e ndjeshme e konsumit mesatar të internetit me 12.5% ndërsa i SMS-ve ra me 11.2%. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  iPhone 12: Një epokë e re fillon për smartfonët e Apple