Analiza

Sa të shqetësuar duhet të jeni për rreziqet shëndetësore të teknologjisë 5G?

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 08 Nëntor 2019
0
Por 5G është shndërruar në një pikënisje debatesh për shumë shoqëri civile dhe shkencëtarë të cilët shprehin shqetësime për rreziqet shëndetësore të frekuencave që emetojnë stacionet 5G. Sa të shqetësuar duhet të jeni për rreziqet shëndetësore të teknologjisë 5G?

Duke gjykuar nga entuziazmi që ka shkaktuar teknologjia 5G tek qeveritë dhe industritë e disa vendeve, jemi pranë një revolucioni teknologjik.

I prezantuar fillimisht si një ndihmë për rrjetet wireless të cilat duhet të përballen dita ditës me trafik të dhënash në rritje, 5G do të sjellë inovacione që kanë për të ndryshuar jetët tona si kirurgjia në distancë, makinat me sistem vetëdrejtimi e shumë të tjera.

5G, e cila një ditë do të zëvendësojë rrjetet aktuale celulare 3G dhe 4G, premton rritje të shpejtësisë së transferimit të të dhënave me afro 100 herë duke reduktuar ndjeshëm vonesat e transmetimit mes marrësit të sinjalit dhe stacionit celular si dhe të lejojë lidhjen e një numri më të lartë pajisjesh wireless njëherazi.

Por 5G është shndërruar në një pikënisje debatesh për shumë shoqëri civile dhe shkencëtarë të cilët shprehin shqetësime për rreziqet shëndetësore të frekuencave që emetojnë stacionet 5G.

Opozita përqendrohet në dy karakteristika të 5G:

Së pari sistemet do të operojnë në disa banda frekuencash, përfshirë një e shtrirë në spektrin millimiter-wave(mmWave) nga 30 deri në 300Ghz. Ndërsa frekuencat mmWave nuk janë përdorur për komunikime celulare, ato janë shfrytëzuar për aplikime të tjera si skanera sigurie në aeroporte dhe radarë kundër aksidenteve në makina.

Vodafone Albania testoi pak ditë më parë teknologjinë 5G dhe për këtë mori aprovimin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për të testuar mbi frekuencat 3.6-3.8Ghz dhe jo mmWave. Sot tre operatorët ALBtelecom, Telekom Albania dhe Vodafone operojnë teknologjinë 4G mbi frekuencat 800Mhz, 1,8Ghz dhe 2.6Ghz të cilat kanë fuqi më të lartë penetrimi sesa frekuencat 3.6Ghz dhe 3.8Ghz të përdorur në 5G.

Diskutimet publike përqendrohen pikërisht tek këto frekuenca të larta. Në fakt shumica e rrjeteve 5G do të operojnë në frekuenca afër atyre që përdoren sot nga rrjetet celulare dhe disa mund të përdorin frekuenca mmWave vetëm në raste të trafikut të lartë.

LEXO EDHE:  Kushte të reja për privatësinë nga ofruesit e shërbimit të internetit

Së dyti, sistemet 5G që bazohen në mmWave duhet të vendosen sa më pranë abonentëve dhe në një numër të lartë. Këto antena të vogla do të transmetojnë disa rreze njëherazi deri në 64 të cilat në mënyrë të pavarur mund të drejtohen nga abonentë individualë sipas kërkesës për trafik. Ato operojnë në frekuenca shumë më të ulëta se sistemet aktuale të cilat vendosen mbi ndërtesa dhe pallate në hapësirat urbane.

Në një periudhë afatgjatë, këto sisteme 5G do të vendosen edhe brenda ndërtesave. Ideja e rritjes së numri të lartë të burimit të frekuencave është padyshim shqetësuese për qytetarët të alarmuar për shëndetin e tyre.

Komisioni Federal Tregtar Amerikan e ka bërë implementimin e teknologjisë 5G një prioritet madhor duke aplikuar rregullime të cilat i japin më pak kontroll komuniteteve lokale mbi hapësira ku do të vendosen këto antena të vogla 5G.

Mundësia e dëmtimit të ambientit dhe qytetarëve nga ekspozimi përballë frekuencave radio ka qenë një shqetësim që në krye të herës duke çuar në kundërshtimin e vendosjes së stacioneve dhe teknologjive celulare.

Në 2017-ën sipas një ankete të realizuar me 2,450 qytetarë Evropian në gjashtë vende, 40% e tyre shprehën shqetësime ndërsa 12% shumë të shqetësuar nga rreziku i fushave elektromagnetike.

Grupe aktiviste nga ana tjetër kanë protestuar instalimin e rrjeteve Wi-Fi nëpër shkolla. Ndërsa nivelet e ekspozimit të publikut ndaj fushave radio frekuencore të 5G nuk janë matur, mundësitë që ato të kenë impakt tjetër krahasuar me ekzistueset janë të pakta. Imperativët themelore të teknologjisë janë ofrimi i një sinjali të fortë për të komunikuar me një abonent individual por jo mjaftueshëm për të shkaktuar interferenca dhe probleme tek qytetarët.

LEXO EDHE:  Huawei arrin shpejtësi rekord në rrjetin 5G

Edhe sot e kësaj dite rrjetet po dendësohen për të menaxhuar trafikun në rritje. Duke lejuar transmetim më të lartë të dhënash që 5G ofron, në fakt do të reduktohej niveli i sinjaleve frekuencore në ambient. Një studim i kryer në 2019-ën për ekspozimin e niveleve radio-frekuencore gjeti se rritja e shpejtë e përdorimit të komunikimit wireless nuk ka shkaktuar rritje të ekspozimit ndaj fushave magnetike.

Frekuencat mmWave absorbohen në 0.5mm të sipërfaqes së lëkurës ndryshe nga frekuencat e ulëta të cilat penetrojnë më tepër si ato 800Mhz që përdoren sot për 4G edhe në Shqipëri. Rreziqet si dëmtimi i lëkurës dhe kornea së syrit janë ekzaminuar në një numër studimesh, madje një edhe nga Forcat Ajrore Amerikane në 1990 dhe Universiteti Mjekësor i Kanazawa në Japoni.

Shumica e studimeve kanë arritur në përfundime të cilat nuk çojnë drejtpërdrejtë në rreziqe potenciale të shëndetit. Gjithashtu pjesa më e madhe e tyre kanë natyrë eksploruese dhe ju mungojnë masat më elementare për të siguruar rezultate të besueshme.

Shumica e vendeve të botës kanë adoptuar limite të ekspozimit ndaj radio-frekuencave të cilat janë të ngjashme me ato të FCC në SHBA. Disa vende si Italia, Belgjika dhe India kanë adoptuar limite edhe më të ulëta.

Ky konfuzion ka qenë prezent prej vitesh. Në Evropë shumë grupe kanë kërkuar aplikimin e një moratoriumi për 5G. 245 shkencëtarë kanë firmosur moratoriumin deri në Gusht të 2019-ës për 5G.

Martin Pall, një ish profesor i Universitetit të Shtetit të Uashingtonit është një prej zërave më opozitarë të 5G. Në disa prezantime ai thoshte se 5G do të shkatërrojë aftësinë riprodhuese të njeriut.

LEXO EDHE:  SHBA dhe Koreja e Jugut polemika se kush e lançoi i pari 5G

Përveç Martin Pall dhe një numri të vogël shkencëtarësh, agjencitë dhe institucionet e shëndetit nuk kanë arritur në përfundime se valët radio frekuencore të rrjeteve celulare kanë rreziqe shëndetësore.

Në përgjigje për moratoriumin e 5G, Shefi i Kabinetit të Komisionerëve të Bashkimit Evropian Vytenis Andriukaitis tha se ndalimi i implementimit të 5G është një masë drastike. “Së pari duhet të shohim sesi kjo teknologji e re do të aplikohet dhe si provat shkencore do të evoluojnë rreth saj.”

Duke qenë se literatura dhe informacioni rreth bioefekteve të mmWave është i shpërndarë, nevojiten më shumë studime për implikimet e shëndetit dhe sigurisë që do të ketë 5G për të arritur në përfundime. Ka pasur tentativa por nevojitet një hulumtim cilësor dhe monitorim i literaturës shkencore nga agjencitë dhe institucionet e shëndetit. /PCWorld Albanian

Lajmet e fundit>