Lajmet

Samsung dënohet për postime negative ndaj HTC-së, të paguara si komente të lexuesve

Publikuar , 29 Tetor 2013
0
Samsung dënohet për postime negative ndaj HTC-së, të paguara si komente të lexuesve

samsung--Samsung është dënuar me një gjobë prej 340 000 $ në Taivan pasi kompania kishte paguar njerëz për të shkruar përshtypje negative online mbi telefonët e konkurrentit të tij, HTC.

Gjigandit teknologjik i janë gjetur prova se kishte punësuar njerëz për të “sulmuar” me fjalë HTC-në duke promovuar ndërkohë edhe produktet e Samsung-ut. Sigurisht që personat që kanë shkruar përshtypjet nuk kanë shfaqur identitetin e tyre të vërtetë.

Tregu i pajisjeve mobile është shndërruar kohët e fundit në një fushë beteje të ashpër mes Samsung-ut, Google-it, Apple-it dhe HTC-së. Në Taivan, zëdhënësit e Komisionit Federal të Tregtisë u shprehën se kjo ishte hera e parë që një mashtrim i tillë ndodhte në vend. Po ashtu, ky veprim kishte pasur efekte negative në treg si dhe kishte shkelur ligjin e tregtisë së drejtë.

Përshtypjet e rreme lidheshin kryesisht me funksionet e kamerës në Samsung Galaxy Y Duos GT-S6102. Kompania mban përgjegjësi edhe për reduktimin e lajmeve jo të mira për produktet e saj. Ndërkohë, HTC është cilësuar si “viktima” e gjithë kësaj historie. Samsung është shprehur i indinjuar në lidhje me këtë vendim dhe ka theksuar se do të vazhdojë të ndërmarrë hapat e duhura për të mbrojtur reputacionin e vet, si një kompani që vlerëson konsumatorët.

Përveç Samsung-ut, në Taivan janë dënuar me një gjobë në total 100 000 $ edhe dy firma marketingu. Sipas firmës kërkuese të tregut, IDC, vitin e kaluar, Samsung kishte një përqindje tregu të smartfonëve prej 30.3%, Apple 19.1% dhe HTC 4.6%.

Kohët e fundit kompania është ndeshur shpesh me probleme ligjore, më e bujshmja prej së cilave është humbja e çështjes së dizajnit të smartfonëve, ku gjykata e Kalifornisë e ka dënuar me një dëmshpërblim prej 1 miliard $, të cilat duhet t’ia paguajë Apple-it.

LEXO EDHE:  Samsung Galaxy Note10 dhe Note10 + zbulohen zyrtarisht në Tiranë

Ndërkohë, gjykata të tjera si ato britanike, gjermane dhe hollandeze, nuk kanë qenë dakort me këtë vendim, duke theksuar se produktet e Samsung-ut janë shumë të ndryshme nga ato të Apple-it. Nga ana tjetër, Samsung e ka akuzuar Apple-in për vjedhjen e dizajnit të teknologjisë së menaxhimit të të dhënave si dhe komunikimin mobile. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>