Samsung ka paralajmëruar ofanzivë të vërtetë me modelet e reja të aparateve digjitale, dhe një prej kësaj serie është edhe modeli PL80, aparat kompakt i dedikuar për fillestarë. Ky aparat është i përshtatshëm për ata që do ta vendosin aparatin në xhep, por që kanë dëshirë të kenë fotografi me kualitet të lartë. Edhe pse Samsung nuk ka edhe aq traditë kur bëhet fjalë për aparate digjitale, por kjo po ndryshon pasi që kjo kompani po ofron edhe modele të avancuara DSLR.
Ky aparat duket shumë më i mirë se modelet e zakonshme për fillestarë, ka konstrukt kualitativ me kasë metali. Plastika e përdorur është mat, që do të thotë se është parashikuar për përdorim afatgjatë. Përveç ngjyresë së kuqe, ekzistojnë edhe modele me ngjyrë hiri, të zezë dhe vjollce. Dizajni i aparatit mund të klasifikohet si klasik, me linja të thjeshta që e bëjnë të lehtë ta mbani në xhepin tuaj. Në anën e përparme afër objektivit gjendet blici, llamba AF (e cila ndizet kur nuk ka ndriçim të duhur që të mund të fokusohet objektivi), mikrofoni dhe altoparlanti. Në pjesën e sipërme janë tasti për ndezje, rregulluesi i zoom-it, dhe tasti Smart.