Biznes

Sekretari Amerikan Pompeo paralajmëron sërish aleatët evropianë për Huawei

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 05 Qershor 2019
0
Shtëpia e Bardhë e ka futur praktikisht në listën e zezë kompaninë Huawei, duke ia vështirësuar bërjen e biznesit me kompanitë amerikane. Sekretari Amerikan Pompeo paralajmëron sërish aleatët evropianë për Huawei

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje sërish vendeve aleate evropiane të jenë të kujdesshme me rreziqet e sigurisë nga kompania kineze e telekomunikacioneve “Huawei”, ndërsa këto vende po ngrejnë rrjetin e tyre të komunikimit 5G.

“Kemi qenë të qartë: kërkesa jonë është që aleatët, vendet partnere dhe ato mike mos të ndërmarrin hapa që do të rrezikonin interesat tona të përbashkëta të sigurisë, apo që do të kufizonin mundësinë që kemi për shkëmbimin e informacionit sensitiv”, tha të hënën Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, pas takimit në Hagë me Ministrin e Jashtëm hollandez, Stef Blok.

Komentet e kryediplomatit amerikan u bënë ndërsa agjensia hollandeze e zbulimit është duke hetuar akuzat se një program kompjuterik mund të ketë mundësuar “dyer” të fshehura për qasje të paautorizuar të kompanisë Huawei tek të dhënat e përdoruesve.

Drejtori ekzekutiv i Huawei-t, Ren Zhengfei, ka deklaruar se kompania e tij nuk do të shkëmbejë të dhënat konfidenciale të përdoruesve. Gjithashtu, Huawei mohon se kontrollohet nga Pekini. Ky mohim është hedhur poshtë nga Sekretari Pompeo dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.

Ministri Blok tha se ndërsa qeveria e tij dëshiron të bashkërendojë politikat me aleatët, Hollanda do t’i marrë vetë vendimet për çështjet e sigurisë. Hollanda është duke përgatitur tenderin e shpërndarjes së të drejtave të pronësisë për rrjetin 5G.

“Një ekip ekspertësh është duke shqyrtuar shqetësimet e sigurisë rreth ankandit për rrjetin 5G”, tha ministri i jashtëm hollandez, duke shtuar se ndryshimet në këtë proces do të njoftohen ndoshta brenda kësaj vere.

Sekretari Pompeo dhe zoti Blok u takuan në kuadrin e punimeve tre-ditore të Samitit Global të Sipërmarrjes, i cili po organizohet në Hagë bashkarisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Hollanda.

LEXO EDHE:  Pompeo lumë akuzash ndaj Huawei

Ky samit vjetor mbledh së bashku sipërmarrës, investitorë dhe mbështetës nga mbi 120 vende.

Duke patur në objektiv Kinën, Sekretari Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë kushtet për praktika të ndershme tregtare.

“Shtetet autoritare mund të vjedhin idetë dhe të fuqizojnë sipërmarrjet e biznesit të tyre, po ato nuk mund t’i afrohen kurrë sipërmarrjes dhe novacionit që ekziston në shoqëritë e lira”, tha Sekretari Pompeo, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës së pronësisë intelektuale, funksionimin e shtetit ligjor, si dhe të një sistemi të parashikueshëm dhe konsekuent juridik.

Të premten, Sekretari Pompeo paralajmëroi autoritetet gjermane se Shtetet e Bashkuara mund të ndalin shkëmbimin e informacionit të sigurisë kombëtare, nëse Gjermania pranon rrjetet 5G të kompanisë Huawei, pasi në ato rrethana nuk do të jetë e mundshme shmangia e rreziqeve të sigurisë.

Shtëpia e Bardhë e ka futur praktikisht në listën e zezë kompaninë Huawei, duke ia vështirësuar bërjen e biznesit me kompanitë amerikane.

Në kundërpërgjigje, Kina thotë se po planifikon goditjen e organizatave apo individëve që do të përcaktohen se dëmtojnë interesat e kompanive kineze, duke i futur në të ashtuquajturën “listën e të huajve të dyshimtë”. /VOA

Tags >

Huawei
Lajmet e fundit>