Biznes

Sërish kundërshtohet privatizimi i PTK-së

Publikuar , 09 Korrik 2010
0
Sërish kundërshtohet privatizimi i PTK-së

Në reagimin e Sindikatës së Pavarur të Postës dhe Telekomit të Kosovës, thuhet se “Deklarata e ministrit Shala se ka ekzistuar bashkëpunimi në mes të Ministrisë, Menaxhmentit dhe Sindikatës së SP PTK-së nuk qëndron, pasi që neve, si Sindikatë, disa herë u kemi drejtuar me shkrim dhe kemi kërkuar takim me Ju dhe asnjëherë nuk na keni pranuar, apo së paku dhënë përgjigje”, thuhet në këtë reagim.

Ministri Shala sot në fjalimin e tij para Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, dhe para të pranishmëve tjerë duke përfshirë edhe përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të PTK-së, shpalosi një pasqyrë rreth punës që ka bërë Komisioni Ndërministror, të cilin ai e udhëheq dhe i cili gjithashtu ka hartuar një strategji për privatizimin e PTK-së.

Ministri foli edhe për politikat e qeverisë, duke sqaruar dhe arsyetuar nevojnë e privatizimit. Ai shtoi, se mendimi i qeverisë është që nuk duhet mbajtur në pronësi shtetërore PTK-në. Përveç faktit që të gjitha shtetet në rajon kanë privatizuar kompanitë si PTK-ja, ai tha se PTK-ja viteve të fundit është duke shënuar trende negative. Me një pjesëmarrje prej 25% të qeverisë, sipas ministrit Shala, privatizimi i PTK-së është interes i shtetit, prandaj duhet privatizuar atë. Më pas ministri tha se me privatizimin e PTK-së do të realizohen projekte nacionale dhe sociale në Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër reagimi i Sindikatës së PTK-së ka ardhë edhe pasi dje mjetet e informimit është paraqitur një komunikatë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, në të cilën thuhet se për Buxhetin e Republikës së Kosovës PTK-ja, për periudhën 1 janar 2009 gjer më 31 maj 2010 përmes formave të ndryshme të tatimit PTK ja ka dhënë 335 milionë euro, gjithsesi kjo demanton arsyen për privatizim, për shkak të trendeve negative, sepse asnjëherë PTK-ja për një periudhë kaq të shkurtër kohore nuk ka qenë kontribuues më i madh i buxhetit të shtetit.

LEXO EDHE:  LG ndalon shitjet e smartfonëve

Sindikata e Pavarur e PTK-së kundërshton fuqishëm qëndrimin e ministrit Ahmet Shala se privatizimi i PTK-së do të sjellë realizimin e projekteve nacionale dhe sociale në Kosovë, sepse ky privatizim nuk do ta mbulojë asnjë projekt nacional, i cili do t’i sjellë përfitime të mëdha Kosovës (nuk do ta mbulojë as një çerek të autoudhës Merdar-Morinë) por do të krijojë vetëm raste sociale, siç dëshmojnë praktikat e privatizimit në Kosovë dhe regjion, u tha në këtë reagim.

Lajmet e fundit>