Blog

SHBA padit Snowden për librin e tij

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 19 Shtator 2019
0
Zyrtarët e drejtësisë thonë se Snowden ka shkelur një detyrim që ndërmori ndaj Shteteve të Bashkuara kur nënshkroi kontratat me CIA-n dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. SHBA padit Snowden për librin e tij

Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti të martën një padi civile kundër ish-punonjësit të CIA-s dhe ish-kontraktorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Edward Snowden për publikimin e një libri kujtimesh, i cili bie ndesh me kontratën e tij me agjencitë e inteligjencës për të mos publikuar materiale sekrete.

Snowden aktualisht banon në Rusi, ku ai mori strehim në vitin 2013 pasi zbuloi detaje tepër të klasifikuara të programeve amerikane të përgjimit. Këto programe të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare ngritën pyetje etike në lidhje me praktikat amerikane të përgjimit.

Libri me kujtime titullohet “Permanent Rekord” që mund të përkthehet “Dëshmia e pashlyeshme”. Ai u vu në qarkullim të martën dhe shitet në Amazon.com në gjermanisht dhe anglisht. Një librar në Uashington thotë se botuesi nuk u ka shpërndarë asnjë kopje librarive paraprakisht, siç është praktika.

“Shumë libra, ose libra të rëndësishëm, u dërgohen paraprakisht librarive që ne të mund t’i lexojmë përpara se ti vëmë për shitje. Ndërsa ky libër u mbajt mjaft i fshehtë nga botuesi,” thotë librari Mark Laframboise.

As agjencitë qeveritare nuk morën kopje paraprakisht. Në një deklaratë të martën, Departamenti i Drejtësisë tha se nuk po përpiqet të bllokonte librin, por synon të garantojë se Snowden nuk do të përfitojë prej tij.

Në padi përmendej edhe botuesi, Macmillan, “për të siguruar se asnjë fitim nuk do t’i kalojë autorit, Snowden”, thuhej aty.

Zyrtarët e drejtësisë thonë se Snowden ka shkelur një detyrim që ndërmori ndaj Shteteve të Bashkuara kur nënshkroi kontratat me CIA-n dhe Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Snowden u përgjigj me komente që bëri në video përmes një librarie në Gjermani:

“Ekziston një marrëveshje për ruajtjen e sekretit, por ekziston edhe një betim për të mbrojtur Kushtetutën. Dhe sekreti që ju kërkohet të mbroni është se qeveria po e shkel atë Kushtetutë si dhe të drejtat e njerëzve në të gjithë botën,” tha ai.

LEXO EDHE:  Rusia miraton ligjin që rrit kontrollin qeveritar mbi internetin

Snowden ka në të gjithë botën mbështetës që e konsiderojnë një hero, pasi ka folur për praktikat që shumë njerëz i shohin si abuzim nga ana e qeverisë.

“Juria e Çmimit Jeta e Denjë nderon Edward Snowden-in për guximin dhe aftësinë në zbulimin e përmasave të papara të përgjimit shtetëror, që shkel proceset themelore demokratike dhe të drejtat kushtetuese,” thotë Jakob von Uexkull, themelues i Çmimit ‘Jeta e Denjë’

Por shumë të tjerë e konsiderojnë atë një tradhtar dhe të jashtëligjshëm. Prokurorët federalë amerikanë e kanë akuzuar Snowden-in për vjedhje të pronës së qeverisë dhe ka ngritur dy akuza për shkelje të Ligjit për Spiunazhin të vitit 1917.

Presidenti i atëhershëm Barack Obama i kërkoi atij të kthehej në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat:

“Nëse në të vërtetë ai beson se ajo që bëri ishte e drejtë, atëherë si çdo qytetar amerikan, ai mund të vijë këtu, të paraqitet para gjykatës me një avokat dhe të mbrojë çështjen e tij.”

Në një intervistë të fundit për CBS News, Snowden tha se do të kthehej nëse i garantohet një proces i rregullt, i hapur për publikun, por se, sipas tij qeveria amerikane synon ta bëjë atë objekt të procedurave speciale në një sallë të mbyllur gjyqi. /VOA

Lajmet e fundit>