Lajmet

Shërbimet celulare, Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 7.7GB internet në muaj nga smartfonët

Nga: PCWorld
Publikuar , 04 Tetor 2022
Zhvillimet në tregun e komunikimeve elektronike po marrin një vëmendje të veçantë në muajt e fundit pasi kompania Hungareze 4iG bleu dy operatorët në vend: One Telecommunications dhe ALBtelecom. Shërbimet celulare, Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 7.7GB internet në muaj nga smartfonët

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në tre mujorin e dytë të 2022 ishte 3,440,948, një rritje me 0.7% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe 7.8% me të njëjtën periudhë një vit më parë sipas të dhënave të AKEP.

Ndërsa numri i përdoruesve aktivë ishte 2.61 milionë, një rritje me 1.2% krahasuar me tre mujorin e kaluar dhe 6.1% krahasuar me një vit më parë.

Mesatarisht përdoruesit konsumojnë 167 minuta dalëse, 17 SMS dhe 7.77GB internet. Rritjen më të madhe të konsumit e pati interneti me 7.% ndjekur nga SMS-të me 3.1% dhe minutat me 2.6%.

Vodafone Albania mbetet operatori më i madh në vend me 1,56 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1,17 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare. Kompania shënoi një rritje në të dy segmentet me 2.9% dhe 2.7% respektivisht krahasuar me tremujorin e kaluar.

One Telecommunications në fund të tremujorit të dytë kishte 1,35 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1,05 milionë përdorues aktivë. Kompania pati rënie me 0.8% në numrin e pajtimtarëve sipas kartave SIM por rritje të përdoruesve aktivë me 1.3%.

ALBtelecom kishte 516 mijë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 380 mijë përdorues aktivë. Kompania pati rënie me 2.8% dhe 2.7% respektivisht.

Zhvillimet në tregun e komunikimeve elektronike po marrin një vëmendje të veçantë në muajt e fundit pasi kompania Hungareze 4iG bleu dy operatorët në vend: One Telecommunications dhe ALBtelecom.

Të dy kompanitë janë në proces shkrirje lajmëruar edhe nga vetë drejtuesit e tyre, një zhvillim i cili do të ndryshonte plotësisht tregun me kompaninë e re e cila do të kalonte Vodafone për tu bërë operatori më i madh në vend i shërbimeve celulare.

LEXO EDHE:  Elon Musk parashikon rritje të madhe të Tesla në 2022

Sakaq në segmentin fiks raporti i AKEP zbuloi se Vodafone Albania tashmë është operatori më i madh në vend i internetit fiks duke kaluar ALBtelecom.

Bashkimi i One Telecommunications dhe ALBtelecom pritet të krijojë kompaninë më të madh në vend të komunikimeve elektronike nëse marrim bashkë shërbimet celulare dhe fikse dhe si rezultat të shtojë konkurrencën me Vodafone Albania.

Një dekadë më parë Shqipëria kishte 4 operatorë celularë ndërsa sot pas tërheqjes nga tregu të Plus Communications në 2014-ën dhe me shkrirjen e dy kompanive One dhe ALBtelecom, Shqipëria do të mbetet me dy operatorë celularë. /PCWorld Albanian