Biznes

Shërbimet celulare, vazhdon rritja e konsumit të internetit por bie konsumi i thirrjeve telefonike dhe SMS

Nga: PCWorld
Publikuar , 15 Qershor 2022
Bazuar në të dhënat e AKEP, Vodafone ka numrin më të lartë të pajtimtarëve me shërbimet me kontratë prej afro 37%. ALBtelecom kishte afro 27% të pajtimtarëve me kontratë dhe One Telecommunication vetëm 25%. Shërbimet celulare, vazhdon rritja e konsumit të internetit por bie konsumi i thirrjeve telefonike dhe SMS

Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM ishte 3,416 milionë në tre mujorin e parë të 2022 në Shqipëri, një rënie me 1.9 përqind krahasuar me tremujorin e kaluar por një rritje me 7.8 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Sipas raportit më të fundit të AKEP numri i përdoruesve aktivë ishte 2.58 milionë, një rënie me 1.4 përqind krahasuar me tre mujorin e kaluar por rritje me 3.4 përqind me vitin e kaluar.

Mesatarisht përdoruesit konsumojnë 163 minuta dalëse, 17 SMS dhe 7.22GB internet. Krahasuar me tre mujorin e katërt të 2021 konsumi mesatar i thirrjeve ra me 5.8 përqind, i SMS-ve me 6.7 përqind dhe internetit një rritje me 6.2 përqind.

Vodafone Albania mbetet operatori më i madh në vend me 1,524 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1,171 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare. Kompania shënoi një rënie me 0.8 përqind dhe 1.7 përqind respektivisht.

One Telecomunications kishte 1,36 milionë pajtimtarë sipas kartave SIM dhe 1.03 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare. Edhe One shënoi rënie me 3 përqind dhe 0.2 përqind respektivisht.

ALBtelecom kishte 531 mijë pajtimtarë sipas kartave dhe 391 mijë përdorues aktivë të shërbimeve celulare. Edhe ky operator ishte me humbje prej 2.4 përqind dhe 3.4 përqind respektivisht.

Bazuar në të dhënat e AKEP, Vodafone ka numrin më të lartë të pajtimtarëve me shërbimet me kontratë prej afro 37%. ALBtelecom kishte afro 27% të pajtimtarëve me kontratë dhe One Telecommunication vetëm 25%. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Microsoft rikthen punonjësit në zyra