Blog

Shqipëria me numër të lartë gazetarësh krahasuar me Evropën

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 03 Maj 2019
0
Sipas të dhënave të grumbulluara nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në Shqipëri numërohen rreth 6200 profesionistë, prej të cilëve 2736 janë gazetarë. Në median tradicionale janë të punësuar rreth 1760 gazetarë. Shqipëria me numër të lartë gazetarësh krahasuar me Evropën

Çdo ditë është dita e shtypit për një gazetar, jo vetëm 3 maji. Mes sfidave të profesionit, profesionalizmit dhe ruajtjes së lirisë së medias, pavarësisht presioneve, gazetarët në të gjithë botën janë në vijën e përballjeve të mëdha.

Por sa gazetarë ka? Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të profesionistëve të medias në raport me popullsinë në krahasim me vendet e BE-së. Nga përllogaritjet e Monitor, në raport me popullsinë janë 22 të punësuar në media për 10 mijë banorë, duke u renditur e treta pas Rumanisë dhe Letonisë.

Panorama e medias në Shqipëri

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, në Shqipëri numërohen rreth 6200 profesionistë, prej të cilëve 2736 janë gazetarë. Në median tradicionale janë të punësuar rreth 1760 gazetarë.

Tre mediat më të mëdha në vend përgjigjen për mbi 1000 të punësuar. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në fund të 2017-s Top Channel kishte 574 gazetarë të punësuar, Klan 337, ndërsa Media Vizion (Vizion+) numëronte 150 gazetarë.

Aleksandër Cipa, kryetar i UGSH-së, tha se numri i të punësuarve në media është më i lartë duke marrë në konsideratë se sektori i medias ka një informalitet të lartë, kryesisht në median online. Sipas Aleksandër Çipës aktualisht numri i portaleve online ka arritur 800 dhe tre mujori i parë i 2019-s ka pasur ndryshime në numrin e të punësuarve në sektorin online.

Nga një anketë e Institutit të Medias rezultoi se punësimi vazhdon të mbetet një fushë me shumë dritëhije në median shqiptare. Anketa që u krye në tetor  gjeti se ka disa problematika në lidhje me punësimin, fiktivitetin e tyre, shkeljen e të drejtave të punës dhe problemet me pagat.

LEXO EDHE:  Interneti në Shqipëri më i lirë se në vendet e rajonit

Një e treta e të anketuarve thanë se nuk kanë kontratë, ndërkohë që vetëm 24% thanë se kishin pasur kontratë gjatë gjithë jetës së tyre. 55% e të anketuarve thanë se paga që merrnin ishte më e ulët sesa paga mesatare e sektorit publik dhe 59% thanë se  ka vonesa në marrjen e pagës rregullisht ose me raste, ndonjëherë edhe për disa muaj rresht.

42% e të anketuarve thanë se mendonin që gjendja e punësimit të gazetarëve nuk kishte asnjë ndryshim krahasuar me dy vite më parë, ndërsa për 32% gjenda është përkeqësuar.

Gazetarët  në BE

Në 2018-n në Bashkimin Europian ishin rreth 400 mijë gazetarë, të cilët përgjigjeshin për 0.2% të totalit të punësimit në BE-së sipas shifrave që ka publikuar Eurostat në ditën e Lirisë së Medias.  Për çdo 10 mijë banorë në BE ka rreth 8 të punësuar në sektorin e medias (shiko grafikun).

Ndër vendet e BE-së Rumania ka numrin më të lartë të profesionistëve të medias në raport me popullsinë ku për 2018-n përllogariten rreth 26 të punësuar për 10 mijë banorë. Më pas renditet Letonia ku kishte 23 të punësuar për çdo 10 mijë banorë, pasuar nga Lituania me 20 të punësuar dhe Malta me 19.

Numrin më të ulët të të punësuarve me median e ka Spanja me 3 të punësuar për 10 mijë banorë, Kroacia dhe Polonia me 4, Mbretëria e Bashkuar, Sllovenia, Greqia dhe Belgjika me 5 të punësuar në sektor për 10 mijë banorë. /Monitor

Tags >

internet
Lajmet e fundit>