Lajmet

Shqipëria së shpejti me bashkëpunim më të zgjeruar me Google

Publikuar , 08 Tetor 2010
0
Shqipëria së shpejti me bashkëpunim më të zgjeruar me Google

Nëse do të mund të realizohet marrëveshja me këtë kompani, qytetarët shqiptarë do të mund të gjejnë në këtë faqe interneti adresën e tyre të banimit apo edhe atë të personave për të cilën ata janë të interesuar.

Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u shpreh ndër të tjera se “ekzistojnë të gjitha kushtet dhe jemi në prag të fillimit të bisedimeve me kompaninë e internetit Google, në mënyrë që të dhënat elektronike të adresave të qytetarëve, të mund të transportohen edhe në këtë faqe”.

Sipas Ponit, mbi 230 njësi vendore, më të mëdhatë në vend, që mbulojnë rreth 3.5 milionë banorë, ose 85 për qind të saj, kanë përfunduar hartat territoriale, ku janë pasqyruar emërtimet publike për çdo rrugë, rrugicë, bulevard, shesh publik, ndërkohë që është i gatshëm dhe materiali për sistemet e identifikimit territorial me përjashtim të disa komunave, me më pak se 3000 banorë.

Teknologjia e avancuar

Në vazhdim të ecurisë së këtij procesi, zv/ministri Poni bëri të ditur gjithashtu se “për shkak edhe të teknologjisë së avancuar si dhe praktikave më të mira mbi të cilat është i bazuar ky sistem, është menduar që pas muajit shtator 2010, të fillojë popullimi i të gjitha ndërtesave”. Kjo, sipas tij, do të bëjë të mundur krijimin e një baze të qartë të dhënash në bashkitë e komunat në vend dhe në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshëm të Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.

“Nëse do të klikosh në një pikë të caktuar të territorit të Bashkisë së Tiranës apo asaj të Durrësit e me radhë, do të mund të dallosh se cilët janë personat që banojnë atje dhe anasjelltas. Në se do të kërkosh në Regjistrin Civil personin për të cilin je i interesuar, këto të dhëna do të dalin në një referencë gjeografike, në ekranin e adresave”, u shpreh numri dy i Ministrisë së Brendshme.

LEXO EDHE:  Google përkujton 50 vjetorin e zbritjes së Apollo 11 në Hënë me një Doodle

Nga ky sistem do të ndikohen të gjitha sistemet që kanë referencat me territorin, sikurse janë taksat, ambulanca, policia, etj, e kështu me radhë, duke bërë të mundur gjetjen në mënyrë elektronike të vendndodhjes së subjektit. “Procesi i dixhitalizimit të adresave nuk mund të themi se ka përfunduar tërësisht, pasi tashmë jemi në fazën në terren, çka nënkupton se adresën tani e shikon në rrugë, ku në pjesën më të madhe të të cilave janë vendosur pllakatat me emrin përkatës, sipas të gjitha standardeve të parashikuara”, tha Poni.

Sistemi i ri i adresave

Në sistemin e ri të adresave nuk ka dallim mes adresave të një territorit të legalizuar dhe atij të palegalizuar. Harta e përgjithshme e territorit të Shqipërisë është e ndarë në 5 grupe. Në grupin 1, 2, 3 bëjnë pjesë bashkitë dhe komunat me numër popullsie më të madh, ndërkohë që rreth 15 njësi vendore, që bëjnë pjesë në këto grup- ndarje, dhe që ende nuk e kanë përfunduar procesin e emërtimeve të rrugëve, pritet ta përfundojë atë brenda tetorit të këtij viti.

Sistemi Kombëtar i Adresave është konceptuar dhe bazuar në sistemin GIS, sistemi i Informacionit Gjeografik, i përshtatshëm për mbajtjen e informacionit në formë dixhitale në shtresa ku përfshihen ndërtesat, rrugët, lumenjtë, e të tjera, sipas rastit dhe nevojës

Për krijimin e Regjistrit Kombëtar të Adresave, Bashkimi Evropian ka akorduar 2.5 milionë euro për krijimin e Sistemit të Adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve, projekt që zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri.

Lajmet e fundit>