Blog

Si ka ndikuar media sociale në shoqëri

Nga: PCWorld
Publikuar , 29 Shtator 2020
0
Si ka ndikuar media sociale në shoqëri

Një dokumentar i ri me emrin “Dilemat Shoqërore” që po shfaqet në Netflix, synon të nxjerrë në pah efektet gërryese të medias sociale në shoqëri, sidomos gjatë periudhës së pandemisë, që i ka bërë njerëzit më të varur se kurrë nga mjetet të cilat i mbajnë ata të lidhur me miqtë, familjen dhe kolegët. Është një dokumentar që i bën njerëzit të reflektojnë mbi të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre në botën që po mbizotërohet gjithnjë e më shumë nga mediat sociale.

Filmi, me regji të Jeff Orlowskit, synon të shpjegojë se telefonat inteligjentë, algoritmet dhe etja për fitime nga ana e kompanive amerikane të teknologjisë së lartë, ka bërë që njerëzit të mbeten të pambrojtur ndaj fenomeneve të reja të medias sociale dhe kjo mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për demokracinë.

“Modeli i kapitalizmit të mbikëqyrjes së individit e ka kuptuar se si mund t’i kthesh njerëzit në burime lëndësh të para nga të cilat mund të nxirren para. Kjo është arsyeja që ata mbledhin të dhëna për ne, sepse të dhënat u japin atyre një model më të mirë”, tha regjisori Orlowski në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press.

Nocioni për mediat sociale moderne si një forcë e së keqes që na ka hipnotizuar dhe na ka bërë të varur pas celularit nuk është diçka e re. Vitet e fundit kjo ka qenë temë e shumë studimeve akademike dhe librave.

Disa inxhinierë dhe drejtues firmash të teknologjisë së lartë kanë shkuar deri aty sa t’i mbajnë fëmijët e tyre jashtë telefonave dhe mediave sociale. Një numër inxhinierësh gjithashtu kanë hequr dorë nga puna mjaft e paguar në këtë fushë, për t’u marrë me problemet që ata mendojnë se kanë krijuar kompanitë e tyre.

LEXO EDHE:  Aplikacionet më të shkarkuara në Android dhe iOS gjatë 2019

Tristan Harris, ish-ekzekutiv i kompanisë Google, që luan një rol kryesor në dokumentar, shpreson që “Dilema Shoqërore” të mund t’i zgjojë njerëzit.

“Një qenie njerëzore vlen më shumë për ta nëse ajo është e varur, e shpërqendruar, e polarizuar, e dezinformuar dhe e zemëruar sesa kur është thjesht një qenie njerëzore, apo thjesht një qytetar. Kjo është arsyeja se përse ne duhet të ndryshojmë modelin e këtij biznesi,” thotë zoti Harris.

Tristan Harris, tani president i Qendrës për Teknologjinë Humane, filloi të ndante me të tjerët zhgënjimin e tij ndërsa ende punonte në firmën Google dhe disa nga postimet e tij për këtë temë tërhoqën vëmendjen e regjisorit.

Ata ishin njohur kur ndiqnin Universitetin e Stanfordit dhe kjo u hapi rrugën që të bashkëpunonin për një film që ata të dy menduan se duhej përfunduar përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.