Siguri

Si të siguroni rrjetin tuaj pa tela?

Publikuar , 25 Shkurt 2010
0
Si të siguroni rrjetin tuaj pa tela?

Nëse keni komponentët e nevojshëm, ju mund ta përdorni laptopin tuaj për të kontrolluar postën elektronike, të shtypni dokumente në printerin tuaj dhe të lidheni në internet pa pasur nevojë për kabllo gjithandej shtëpisë. E gjithë kjo mundësohet nga sinjali që transmeton ruteri (router) juaj pa tela (wireless router).

Pse duhet ta siguroni rrjetin tuaj pa tela?
Rrjetet pa tela kanë përparësi të shumta në krahasim me rrjetet kabllore, mirëpo me këto përparësi vjen edhe një dozë rreziku, e cila është mjaft e lartë. Rrjetet shtëpiake janë në shënjestër të hakerëve më shumë se çdo lloj tjetër rrjetesh. Hakerët kërkojnë njerëz të cilët kanë blerë një pajisje të rrjetit pa tela, e kanë lidhur atë dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta siguruar. Pra, kjo do të ishte njëlloj si të hyni në një banesë të re dhe t’i lini të gjitha dyert dhe dritaret hapur duke shpresuar se askush nuk do të hyjë brenda.
Pasi hakerët nuk mund të vjedhin TV-në tuaj, ata do të përpiqen që përmes aksesit në rrjetin tuaj pa tela të vjedhin shënimet tuaja personale, si: numrat e kartelave të kredisë, informata mbi llogaritë tuaja bankare, etj. Njerëzit mund ta keqpërdorin rrjetin tuaj pa tela edhe për qëllime të tjera, siç janë: shkarkimi i filmave, i muzikës dhe i softuerëve ilegalë, aktivitetet kriminale, sulmet ndaj rrjeteve të tjera, etj.
Pra, një gjë është e sigurt, ju do të fajësoheni për të gjitha këto veprime, sepse rrjeti është i juaji.

Kam blerë një ruter pa tela, ç’të bëj tani?
Zakonisht ndodh që njerëzit, pasi kanë blerë një pajisje shtëpiake pa tela, nxitojnë ta lidhin sa më shpejt që të jetë e mundur në mënyrë që të kënaqen me lirinë e lëvizjes që ju ofron lidhja pa tela. Mirëpo, nga euforia shpeshherë nuk mendohet për pasojat që mund të rrjedhin nga kjo pakujdesi.

Sigurimi i rrjetit tuaj pa tela mund t’ju marrë pak kohë dhe nuk do të jetë aq i lehtë, pasi prodhuesit e ndryshëm të pajisjeve shpeshherë na “bombardojnë” me zhargon teknik, i cili mund të duket shumë i pakuptueshëm.
Në qendër të çdo rrjeti shtëpiak gjendet një ruter pa tela. Pasi shpjegova pse është aq e domosdoshme që ta siguroni rrjetin tuaj shtëpiak pa tela, do t’ju tregoj disa hapa konkretë në procesin e sigurimit të ruterit pa tela. Fatkeqësisht, nuk do të mund t’ju jap çdo detaj hap pas hapi, pasi prodhues të ndryshëm i qasen sigurimit të pajisjeve pa tela në mënyrë të ndryshme.
Për t’i konkretizuar gjërat, do të përdorim disa pamje nga konfigurimi i një ruteri të tipit Linksys WRT54G Wireless-G Router.

LEXO EDHE:  Mesazhet e fshira në Twitter nuk fshihen në të vërtetë

Rekomandimet e paraqitura në vijim paraqesin hapat pothuajse universalë (pa marrë parasysh prodhuesin e pajisjes) që duhet të ndërmerrni për të përmirësuar sigurinë e rrjetit tuaj shtëpiak pa tela.
• Ndërroni fjalëkalimet e vendosura nga prodhuesi
Konfigurimi i ruterit pa tela zakonisht bëhet përmes web faqes, e cila zakonisht paraqet adresën IP të ruterit (për ruterët Linksys zakonisht është http://192.168.1.1). Kjo web faqe është e mbrojtur me një fjalëkalim, në mënyrë që aksesi të jetë i limituar. Fjalëkalimet janë të paracaktuara nga prodhuesi dhe zakonisht janë të njohura dhe të ekspozuara në internet (p.sh. Identifikimi: admin; Fjalëkalimi: admin). Për ketë arsye, duhet të ndërrohen urgjentisht.

• Përdorni enkriptim
Gjëja më e rëndësishme që mund të bëni për të siguruar rrjetin tuaj shtëpiak pa tela është të përdorni enkriptim. Pothuajse të gjithë ruterët pa tela kanë mënyra dhe mekanizma për enkriptim të trafikut. Modelet më të vjetra të ruterëve ofrojnë enkriptimin WEP (Wired Equivalent Privacy), ndërsa modelet më të reja përveç këtij enkriptimi kanë edhe enkriptimin WPA (Wi-Fi Protected Access).
Nëse ruteri juaj pa tela përkrah përdorimin e enkriptimit WPA, është mirë ta përdorni këtë pasi është shumë më i sigurt se WEP.

• Ndërroni SSID-në e paracaktuar
Të gjithë ruterët pa tela përdorin një emër rrjeti, që quhet SSID (Service Set Identifier). Prodhuesit i shesin pajisjet me SSID të paracaktuar, e cila zakonisht është e njëjtë sikurse edhe emri i prodhuesit (p.sh. ruterët pa tela nga kompania Linksys zakonisht si SSID të paracaktuar kane linksys).
Ndërrimi i SSID-së së paracaktuar nuk do t’i ndaloj automatikisht njerëzit që të lidhen në rrjetin tuaj, mirëpo do ta bëjë rrjetin tuaj që të duket më i siguruar.
Një ruter pa tela me SSID të paracaktuar në gjuhën e hakerëve ka kuptimin “një rrjet jo i sigurt”, gjë që e bën objektiv të lehtë për sulme keqbërëse.

LEXO EDHE:  Partia Komuniste ka përgjuar mese 100 milionë Kinezë me një aplikacion

• Mos publikoni SSID-në tuaj
Njëri nga hapat që e bën rrjetin tuaj shtëpiak shumë të sigurt është mostransmetimi apo mospublikimi i SSID-së së rrjetit tuaj.
Pra, ky hap shumë i thjeshtë do t’i zvogëlojë shanset që njerëzit e paautorizuar të lidhen në rrjetin tuaj shtëpiak pa tela. Përshtypja e parë që krijohet është kjo: nëse kompjuteri nuk gjen një SSID automatikisht, atëherë kjo ka kuptimin “nuk ka rrjet pa tela në afërsi”.

• Përdorni filtër të adresave MAC (adresave harduerike)
Çdo kartelë rrjeti ka një adresë unike MAC, e cila e dallon nga pajisjet e tjera në rrjet. Shumica e ruterëve pa tela ju mundësojnë të caktoni se cilat adresa MAC kanë akses në rrjetin tuaj pa tela.
Me këtë veprim ju mund të limitoni aksesin e paautorizuar në rrjetin tuaj pa tela dhe t’i lejoni akses vetëm kompjuterëve tuaj.
Pasi ky hap është më i ndërlikuar se hapat e mëparshëm, është mirë që të konsultoheni me dokumentacionin e ofruar nga prodhuesi i ruterit tuaj pa tela.

• Përdorni opsionin “Firewall” të ruterit pa tela
Ruterët pa tela zakonisht kanë edhe funksionin Firewall të integruar, i cili ndihmon në parandalimin e trafikut të padëshiruar. Duke përdorur këtë opsion ju i shtoni edhe një shtresë sigurie rrjetit tuaj shtëpiak pa tela.
Opsioni Firewall ju mundëson të filtroni llojin e trafikut hyrës dhe dalës nga ruteri juaj pa tela dhe të lejoni vetëm trafikun e caktuar.

Ende ndiheni të pasigurt?
Në vazhdim do të paraqesim edhe disa hapa shtesë, që mund të kontribuojnë dukshëm në sigurinë e përgjithshme të rrjetit tuaj shtëpiak pa tela.

• Përdorni HTTPS për t’u lidhur në ndërfaqen web të ruterit pa tela
Menaxhimi dhe administrimi i ruterit pa tela duhet të bëhet përmes protokollit HTTPS (Hypertext Transfer Protocol over Secure Socket Layer), i cili është i enkriptuar, për dallim nga HTTP (Hypertext Transfer Protocol), i cili fjalëkalimet i dërgon si tekst të thjeshtë, pra të paekriptuara. Kjo bëhet në mënyrë që fjalëkalimet të jenë më të sigurta gjatë “udhëtimit” të tyre nëpër rrjetin pa tela.

LEXO EDHE:  Zbulohet një rrjet ndërkombëtar i krimit kibernetik

• Rifreskoni softuerin e ruterit pa tela (FIRMWARE)
Është shumë e rëndësishme që rregullisht ta rifreskoni softuerin e ruterit tuaj pa tela. Versionet e vjetra të softuerit mund të kenë lëshime sigurie. Për hapa më të detajuar se si duhet rifreskuar softueri si dhe për shkarkimin e softuerit për ruterin tuaj pa tela, konsultohuni me web faqen e prodhuesit të ruterit.

• Regjistroni trafikun e ruterit tuaj pa tela (Enable Logging)
Edhe pse regjistrimi i trafikut në ruter nuk është i paracaktuar nga prodhuesi, ju mund ta aktivizoni atë dhe më pas t’i kontrolloni periodikisht skedarët Log skedarët (Log Files). Regjistrimi i aktivitetit në skedar Log do t’ju ndihmojë të identifikoni çdo tentim për futje të paautorizuar në rrjetin tuaj.

• Çaktivizoni shpërndarjen automatike të adresave IP (DHCP)
Çaktivizimi i shpërndarjes automatike të adresave IP (DHCP – Dynamic Host Configuration Protocol) nga ana e ruterit mund të rrisë sigurinë e rrjetit tuaj pa tela. Në vend të adresave automatike, ju mund të përdorni adresa statike për ruterin pa tela dhe për kompjuterët tuaj.

• Fikeni ruterin tuaj pa tela nëse nuk e përdorni për një kohë më të gjatë
Nëse jeni jashtë shtëpisë për fundjavë apo shkoni në pushime, më së miri është që ta fikni tërësisht ruterin tuaj pa tela. Me fikjen e ruterit, edhe rrjeti juaj pa tela do të “zhduket”.

Një hapa para
Asnjëherë mos harroni se në aspektin e sigurisë së teknologjisë informative keqdashësit gjithmonë janë një hap para jush. Vetëm duke qenë të vetëdijshëm dhe proaktivë, ju mund të reduktoni dukshëm rreziqet që mund të sjellë përdorimi i rrjeteve pa tela.
Para se të ndërmerrni ndonjërin nga hapat e lartshënuar, së pari lexoni dhe analizoni manualet e prodhuesit të ruterit tuaj pa tela. Nëse prapë ju duket e vështirë ta bëni vetë këtë punë, atëherë është më së miri t’i drejtoheni për ndihme ndonjë profesionisti të teknologjisë informative.

Lajmet e fundit>