Lajmet

Siguria Kibernetike prioritet i SHBA përpara zgjedhjeve të 2020

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 28 Dhjetor 2019
0
Andy Greenberg mendon se mënyra më e mirë e reagimit është që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të bashkohet dhe të krijojë standarte që ndalojnë ndërhyrjen kibernetike. Siguria Kibernetike prioritet i SHBA përpara zgjedhjeve të 2020

Teksa afrojnë zgjedhjet e 2020-tës në Shtetet e Bashkuara, garantimi i transparencës dhe mbrojtja nga manipulimi i huaj janë bërë parësore për zyrtarët zgjedhorë dhe ligjvënësit amerikanë. Qëllimi është të parandalohet një përsëritje e ndërhyrjes së mirëdokumentuar kibernetike të Rusisë gjatë votimeve të 2016-tës. Njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Oleksandr Yanevskyy.

Me afrimin e zgjedhjeve amerikane, çështja e sigurisë kibernetike i mban në tension ekspertët e kësaj fushe dhe ligjvënësit.

Gjatë një aktiviteti në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, Senatori Chris Van Hollen vuri në dukje se të 50-të shtetet amerikane ndjenë pasojat e ndërhyrjes ruse në procesin zgjedhor të 2016-tës.

“Por, si përfiton Rusia, apo ndonjë vend tjetër, nga ndërhyrja? Krijon ndarje mes vendit dhe nëse ndërhyn në favor të një kandidati të caktuar, mund të ndikojnë edhe tek rezultati i zgjedhjeve”, tha Senatori demokrat Chris Van Hollen.

Senatori Van Hollen dhe ekspertët vunë në dukje se ndër vendet më të njohura për sulme kibernetike, Rusia vazhdon të perfeksionojë teknikat e saj.

“Terri i parë elektrik i shkaktuar nga hakerët ndodhi në Ukrainë në dhjetor të 2015-tës, kur Rusia më tepër eksperimentonte me luftën kibernetike. Përdorën Ukrainën si një laborator për të testuar teknikat e tyre të luftës kibernetike. Ishte e qartë se ajo çfarë i ndodhi Ukrainës do të shtrihej edhe në pjesën tjetër të botës. Dhe ndodhi pikërisht kështu”, tha gazetari Andy Greenberg, i faqes online “Wired”.

Alex Crowther i Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare thotë se Rusia ka qenë aktive në hapësirën kibernetike prej mbi një dekadë. Estonia u sulmua në 2007-tën, Gjeorgjia në 2008-tën. Tashmë është vendosur në objektiv SHBA-ja. Zoti Crowther thotë se rusët punojnë që ta mbajnë të fshehtë ndërhyrjen e tyre kibernetike.

LEXO EDHE:  SHBA akuzon dy hakerët Kineze për sulme ndaj hulumtimeve për Covid-19

“Veprojnë në zonën gri, pranë pragut të luftës kibernetike”, thotë zoti Crowther.

Andy Greenberg mendon se mënyra më e mirë e reagimit është që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të bashkohet dhe të krijojë standarte që ndalojnë ndërhyrjen kibernetike.

“Duhet të përpiqemi të përmbajmë njëri-tjetrin. Duhet të caktojmë disa standarte si komunitet global; mos t’i përdorim këto sulme kibernetike ndaj civilëve. Rrjedhimisht të punojmë për një lloj konvente të Gjenevës për luftën kibernetike. Siç foli Josh Korman i Këshillit të Atlantikut për zona të ndaluara për luftën kibernetike – në rast se p.sh. sulmon një spital duhet të quhet krim lufte dhe të shkosh në Hagë”, thotë zoti Greenberg.

Trajnimi për sigurinë në internet është gjithashtu thelbësor.

“90% e sulmeve kibernetike fillojnë me një sulm me identitet të rremë. Imagjinoni një vend ku njerëzit t’i shohin lajmet e rreme dhe t’i dallojnë menjëherë. Finlanda e ka arritur këtë… Pra, përdorimi i përgjegjshëm i teknologjisë së informacionit është vërtet i rëndësishëm”, thotë zoti Crowther.

Por, problemi nuk po largohet. Shpenzimet e sektorit privat dhe publik për sigurinë kibernetike janë rritur mbi tridhjetëfish gjatë 15 viteve të fundit dhe pritet të vazhdojnë të rriten.