Në qoftë se mendoni që kompjuterët desktop, notebook-ët dhe smartfonët përbëjnë shumicën e pajisjeve personale kompjuterike atëherë e keni gabim. Së shpejti ju mund të vishni pajisje elektronike duke filluar nga këpucët që mund t’ju drejtojnë tek destinacioni final dhe deri tek tatuazhet elektronikë që do të monitorojnë gjendjen psikologjike.
Aktualisht janë të disponueshme disa produkte kompjuterike që mund të vishen, por ato janë vetëm maja e ajsbergut teknologjik. Ndërkohë po krijohen edhe shumë modele të reja të cilat do të zhvillojnë këto ide në një nivel të ri. Nuk dihet ende nëse këto pajisje do të ofrohen si produkte komerciale, por të gjitha janë prototipe që tregojnë se çfarë është e mundur të realizohet.
Mendojeni këtë fotogaleri si një shfaqje mode virtuale të së ardhmes së afërt. (PCWorld Albanian)
Në ditët e sotme flitet shumë për pajisjet që suportojnë realitetin virtual si për shembull prototipi Lumus OE-31. Skeleti i zi i kësaj pajisjeje mban dy ekrane me rezolucion 640x360 piksel që realizon mbivendosjen e videove, e-mail-eve, guidave etj... Vitin e ardhshëm mund të prezantohet një version komercial që do të kushtojë 500 $. Google Glass është pajisja që ka tërhequr më tepër vëmendje veçanërisht pasi disa topmodelë kanë veshur prototipe në javën e modës në New York. Detajet janë të pakta, por skeleti i hollë prej alumini siguron lentet për një ekran të vogël të vendosur në të djathtë të syrit. Ekrani shfaq një imazh dixhital para syve të përdoruesit ose një menu në pjesën anësore.
Si do të ndjeheshit sikur të mbanit kompjuterin tuaj si një bizhuteri?
Wimm Labs ka krijuar një mikro sistem open-source që së shpejti mund të jetë një aksesor në veshjen tuaj. Pajisja e vogël me sistem Android të modifikuar mund të vendoset tek rripi i çantës ose mund të mbahet si varëse. Sistemi i vogël i quajtur Wimm One ofron një hapësirë memorie 32 GB, ekran me prekje 1.4 inç, suporton Bluetooth dhe Wi-Fi. Wimm shpreson që zhvilluesit të përmirësojnë harduerin dhe softuerin për të krijuar pajisje të reja dhe aplikacione të thjeshta që do të ekzekutohen në to. Aplikacionet e disponueshme aktualisht fokusohen tek detyrat e thjeshta personale si kontrolli i përditësimeve në Twitter apo gjurmimi i sasisë së kalorive që përdoruesi ka shpenzuar duke u ushtruar.
Sapo t’i shihni këto këpucë me siguri do të dëshironit t’i blini. Të dizajnuara nga artisti Dominic Wilcox dhe të realizuara nga Stamp Shoes, këto këpucë dixhitale përfshijnë në ndërtimin e tyre një çip GPS, mikro sensorë dhe një antenë. Këpuca e majtë e drejton përdoruesin në drejtimin e duhur nëpërmjet dritave LED të vendosura në formë rrethi, ndërsa dritat e vendosura në këpucën e djathtë tregojnë progresin drejt destinacionit. Para se të vihen në përdorim duhet që të përcaktoni rrugën në kompjuter dhe t’a transferoni atë tek këpucët nëpërmjet një kablli USB. Më pas mjafton vetëm të prekni takat me njëra-tjetrën dhe mund të filloni udhëtimin. Nuk dihet ende nëse ky version këpucësh do të prodhohet në masë, por aktualisht çmimi i tyre është 1750 $.
Sistemi Shqisa e Gjashtë i zhvilluar nga MIT Media Lab mund të mbahet në qafë si varëse. Pajisja përfshin një projektor të vogël që mund të shfaqë imazhe në çdo sipërfaqe si dhe një kamera që mund të lexojë gjestet e duarve të përdoruesit. Është e nevojshme që të vendosni rreth gishtave shirita të vegjël me ngjyra në mënyrë që kamera të bëjë atë që ju dëshironi. Ky kompjuter i vogël është perfekt për të ndërvepruar me një hartë të projektuar, për shfletimin e fotove ose për kryerjen e një telefonate duke shtypur numrat në një tastierë të projektuar. Sixth Sense nuk ofrohet në treg, por pjesët e ndërtimit të saj kushtojnë 350$.
Kjo pajisje mund të vendoset në shpatullën tuaj dhe lejon përdoruesin të krijojë ndërfaqje me prekje mbi çdo sipërfaqe. Pajisja është krijuar në laboratorin e kërkimit të Microsoft-it prandaj në të është përfshirë hardueri i identifikimit të gjesteve Kineckt dhe një projektor i vogël që krijon një zonë virtuale interaktiviteti. Imazhet e projektuara komandohen nëpërmjet gjesteve të tilla si goditje e lehtë, kapje apo zmadhim që mundësojnë veprime të ndryshme nga kryerja e një telefonate deri tek marrja e udhëzimeve nga një softuer hartash. Lajmi i mirë është se grupi i punës mendon që përmasat e kësaj pajisjeje mund të zvogëlohen për ta bërë atë sa më praktike.
Në përgjithësi sensorët që masin gjendjen psikologjike të përdoruesit zakonisht vendosen në lëkurë ose përreth trupit si për shembull pajisje BioHarness, por së shpejti ato do të inkorporohen në veshjet e stërvitjes së atletëve. Sensori BioModule kryen matje për zemrën, frymëmarrjen dhe temperaturën e trupit. Në të përfshihet gjithashtu edhe një akselerometër që monitoron lëvizjen dhe shpejtësinë e lojtarit. Pajisja mund të transmetojë të dhënat në një kompjuter që disponon softuerin OmniSense. Komunikimi mund të realizohet deri në largësinë 300 metër. Ndërkohë, softueri mund të monitorojë 50 atletë njëkohësisht.
Ne kalojmë shumë kohë duke prekur tastiera, mause apo ekrane, por John Rogers i Universitetit të Ilinois dëshiron të ofrojë ndërfaqe direkt tek gishti. Kjo ka qenë ideja kryesore e krijimit të prototipit në formë tubi për gishtin. Sensorët e hollë që ndodhen në sipërfaqe identifikojnë gjëra të tilla si p.sh aciditetin, ndërsa shtresat e qarqeve që janë integruar në materialin e hollë prej silikoni kryejnë proçesimin e të dhënave. Në momentin e gjetjes së asaj çka po kërkohej, qarku transmeton në lëkurë një sinjal të lehtë elektronik. Roger po punon për integrimin e kësaj pajisjeje në dorezat e kirurgëve për të lehtësuar punën e tyre në identifikimin e tumoreve ose dëmtimeve të fshehura.
Todd Coleman në Universitetin e Kalifornisë në San Diego ka mundur të krijojë tatuazhe funksionale. Këto pajisje elektronike super të holla mund të përkulen dhe të zgjaten për t’ju përshtatur lëkurës. Pajisja ka ndjeshmëri ndaj temperaturës së lëkurës, valëve të trurit ose rrahjeve të zemrës dhe të gjitha të dhënat i transmeton nëpërmjet një rrjeti wireless në kompjuterin e një spitali. Fondacioni Bill and Melinda Gates i ka dhënë mundësinë Coleman të përfundojë një “tatuazh” që mund të vendoset në barkun e një nëne shtatzënë për të monitoruar rrahjet e zemrës, nivelin e oksigjenit dhe shenja të tjera të jetës së bebit. Nokia mund t’a përdorë këtë ide në një formë tjetër. Një patentë e regjistruar nga kompania përshkruan një tatuazh elektronik që mund të lajmërojë përdoruesin nëpërmjet një vibrimi kur vjen një telefonatë ose mesazh.
Kjo pajisje mund të komandojë qindra drita LED të vendosura në veshjen e një njeriu. Flora përdor kod open-source që mund të ngarkohet nëpërmjet një USB-je dhe funksionon në sistemin Mac, Windows dhe Linux. Pajisja përfshin në ndërtimin e vet një GPS, akselerometër dhe një busull dixhitale në mënyrë që të reagojë ndaj vendndodhjes ose veprimtarisë së përdoruesit. Për shembull për të bërë përshtypje në një festë, përdoruesi mund të komandojë Flora-n të ndriçojë bluzën në momentin e futjes në dhomë.
Steve Hoefer po punon për të ndihmuar të verbërit të shohin nëpërmjet tingujve. Doreza mund të ndjejë objektet deri në largësinë 30 metër dhe përfshin disa transmetues që mund të masin hendekun kohor midis dërgimit të pulseve ultrazanore dhe marrjes së reflektimit të tyre. Doreza i përkthen të dhënat në një hartë virtuale që shfaq se çfarë ka para syve dhe aplikon një presion të lehtë në kyçin e përdoruesit për t’a paralajmëruar se ndodhet diçka para.