Ashtu si një kompjuter do të ishte i padobishëm pa sistemin e tij operativ, të njëjtën gjë mund të themi dhe për një smartfon. Në vitin 2007 Apple ndryshoi mënyrën se si funksionin telefonat me debutimin e sistemit operativ të quajtur iOS. Ndër vite evoluimi i iPhonit është shoqëruar dhe nga zhvillimi i sistemit operativ. Apple ka sjellë përmes iOS, funksionalitete dhe karaktestika pa të cilat ne sot nuk mund ta imagjinojmë dot jetën si: iMessage, App Store, FaceTime, Siri, iCloud etj. Në këtë artikull do të kthehemi pas në kohë për të eksploruar zhvillimin e sistemit operativ iOS ndër vite.
Versioni i parë i sistemit operativ të Apple u prezantua në 9 janar të vitit 2007. Në të njëjtën kohë Steve Jobs prezantoi dhe iPhonin e parë. Në këtë moment ky sistem operativ nuk u njoh zyrtarisht, Jobs i referohej atij me emërtimin softuer. Karakteristikat kryesore të këtij sistemi operativ ishin gjestet multitouch, voicemail vizuale, shfletimi në ueb mobile dhe aplikacionet si Mail, Maps, Weather, Notes dhe Stocks. iOS 1 iu ofrua falas përdoruesve të iPhonit ndërkohë që zotëruesit e një iPad Touch duhet të paguanin 19.99 dollar.
Pas lançimit të iPhone SDK në 6 mars të vitit 2008, Apple e prezantoi zyrtarisht sistemin e saj operativ si iPhone OS. iPhone OS 2 erdhi si shoqërues i iPhone 3G dhe ofronte funksionalitete si App Store, Maps etj. Përditësimi mbërriti falas për përdoruesit e iPhonit ndërsa kundrejt 9.95 dollarëve në iPod Touch.
Lançimi i iPhone 3G S u shoqërua nga debutimi i versionit iOS 3. Ky përditësim solli risitë si komandat zanore, mesazhet multimedia, kërkimin Spotlight dhe më në fund funksionet copy paste. Pasi Apple prezantoi iPad në mars të vitit 2010, iPhone OS mori emërtimin iOS. iPadi mbërriti në treg i pajisur me versionin iOS 3.2. Ashtu si në versionet e mëparshme, iOS 3 ishte falas për iPhonët dhe kushtonte 9.95 dollar për përdoruesit e iPad-it.
Ky version i sistemit operativ erdhi së bashku me iPhone 4 dhe iPad 2. Ai solli fotot wallpaper, opsionin multitasking, skedarët, FaceTime dhe iBooks për iPad. Për herë të parë, zotëruesit e një iPadi nuk duhet të paguanin për të pasur versionin e fundit të iOS.
iOS 5 njihet ndryshe si sistemi operativ që erdhi një javë pas vdekjes së Steve Jobs. Me iOS 5 erdhën funksionalitete si Siri, qendra e njoftimeve, iMessage, Reminders dhe Newsstand. iOS 5 u bë gjithashtu i famshëm pasi përdoruesit mund të aktivizonin pajisjet e tyre përmes wirelesit dhe jo kabllos që lidhej me një kompjuter. Përveç këtyre në iOS 5 debutuan iCloud dhe integrimi me Twitter.
iOS 6 erdhi si pjesë e iPhone 5 dhe iPad Mini. Ky sistem operativ solli shkëputjen nga aplikacionet e parainstaluara si Google Maps dhe YouTube, tani e tutje përdoruesit mund të shkarkonin ato manualisht në App Store. Në vend të tyre u prezantuan Maps, integrimi me Facebook, Passbook dhe mbështetja për LTE.
Ndërkohë që iOS 6 u njoh për shkak të Maps, iOS 7 nga ana tjetër erdhi më një ridizenjim të projektuar nga Jonathan Ive. iOS 7 solli një topografi të rafinuar, ikona të reja dhe ndarjet e rregullta. Përsa i përket aplikacioneve debutoi qendra e kontrolleve, funksioni Airdrop, iTunes Radio dhe CarPlay. Ky version i sistemit operativ erdhi i instaluar në iPhone 5S, 5C, iPad Air dhe iPad mini 2.
iOS 8 debutoi përmes pajisjeve si iPhone 6, 6 Plus dhe iPad Air 2. Në krahasim me iOS 7, ai solli aplikacione të reja si Apple Pay, një aplikacion të ri shëndeti Health, HandOff, QuickType, Family Sharing, iCloud Drive, mbështetjen për tastjerat e palëve të treta dhe Apple Music. iOS 8 ishte sistemi i parë operativ i cili u bë i disponueshëm në formën e një beta publike për zhvilluesit përpara lançimit tek konsumatorët.
iOS 9 është versioni më i fundit i prezantuar nga Apple i cili premton një sërë risish. Karakteristika kryesore është padyshim prania e teknologjisë 3D Touch. Përveç saj ndryshime të rëndësishme janë aplikuar në aplikacionin Notes, Maps ndërsa aplikacioni ekzistues Neësstand është zëvëndësuar nga Neës. Ky aplikacion do të shfaqë lajme nga media prestigjoze si CNN, Wired apo New York Times. Passbook do të riemërtohet si Wallet. Duke qënë se iOS 9 përkon me lançimin e iPad Pro, në këtë linjë pajisjesh ai sjell funksionalitete si shfaqja e dy aplikacioneve në të njëjtën kohë në ekran, tastjerë wireless etj.
Një detaj tjetër i rëndësishëm është se iOS 9 është efiçent përsa i përket konsumit të baterisë dhe ofron Low Power Mode, transferim më të thjeshtë nga Android dhe një fjalëkalim me 6 karaktere. Për tu përshtatur me pajisjet me kapacitet të ulët memorie, po ju themi se iOS 9 nuk do të zërë shumë hapsirë në smartfonin tuaj, për më tepër në rast se hapsira nuk është e mjaftueshme, disa nga aplikacionet do të fshihen dhe do të rinstalohen automatikisht në pajisjen tuaj. (PC World Albanian)