Analiza

SLR-ja kompakte e Nikon përfshin një ekran të palosshëm

Publikuar , 25 Shkurt 2010
0
SLR-ja kompakte e Nikon përfshin një ekran të palosshëm

Tipari më dallues i D5000 është ekrani i tij LCD 2.7 inç, 230 000 pikselë, i kthyeshëm dhe i rrotullueshëm – i pari tek aparatet Nikon. Ekrani ka pastërti të habitshme për parametrat që shpalos. Ekrani nuk artikulohet për t’u lëkundur jashtë, por mund të nxirret jashtë e të ulet poshtë dhe mund të kthehet mbrapsht për ta mbrojtur.

Dimensionet kompakte dhe pesha e lehtë mundësojnë maksimumin edhe në këndet më të pazakonta. Ky model nën $1000 sjell shumë karakteristika të modelit $1150, D90, për njerëzit që duan një SLR më të vogël, më të lehtë dhe më pak të kushtueshme. D5000 nuk është aq e fortë sa D90-a dhe është pak më e madhe dhe më e rëndë se D60-a. Aparati ka një balancë shumë të mirë të vendosjes së butonave të komandave. Veçanërisht më pëlqeu pad-i direksional me pesë drejtime dhe butoni Live View menjëherë mbi të. D5000 ka një sistem vetëfokusimi me 11 pika, njëlloj si D90-a.

Gjithsesi, në fillim mbeta pak i habitur prej pranisë së dy butonave të informacionit të etiketuar shumë ngjashëm; m’u desh të shfletoja manualin për të bërë dallimin (njëri jep opsionet e detajuara në ekran dhe paraqet gjendjen, ndërsa tjetri ndërron opsionet brenda paraqitjes së gjendjes). Të paktën manuali është i shkruar dhe i paraqitur saktë.

Ashtu si D60-a, këtij modeli i mungon një motor i integruar vetëfokusimi; pra, mund të përdorni vetëm lentet AF-S. Bateria e tij premton rreth 500 shkrepje dhe në teste rezultati ishte i përafërt me këtë.
Në vlerësimin e imazhit në Qendrën e Testimeve të PC World, fotot dukeshin pak të errëta dhe të ndotura në vendosjen automatike, por përmirësoheshin në opsione manuale. Në shkrepjet e mia të rastësishme jashtë, opsionet manuale ishin më të përshtatshme, por opsioni Program shpesh i mbiekspozonte fotografitë.

LEXO EDHE:  Njerëzit janë të lodhur nga telefonët e shtrenjtë

Live View funksiononte mirë, por vetëm pasi e vendosa në një pikë të vetme fokusimi. Në fokusimin standard, aparati shpesh kapte imazhe të turbulluara.
Me 12.3 megapikselë, D5000 përdor një sensor të madhësisë APS-C (DX). Ka 19 opsione automatike të ekspozimit të ekranit dhe një të shkrepjes së shpejtë, që arrin 4 foto për sekondë. Mund të marrë 5 minuta apo 2 GB filmim me video Motion JPEG prej 24 frame për sekondë deri në rezolucionin 720p, por fatkeqësisht nuk mund të vetëfokusohet ndërkohë që regjistron video.

Në total, D5000 është e pozicionuar mirë për t’u përballur me konkurencën. Çmimi duhet të tërheqë fillestarët e SLR-ve dixhitale dhe ofron një shtesë mjaft të madhe opsionesh krahasuar me D40-ën dhe D60-ën për të qenë në objektivin e përdoruesve të këtyre modeleve që duan të përmirësojnë atë që kanë, por përsëri të kenë një SLR kompakte. Vetëm kini parasysh se për të maksimizuar rezultatin, duhet të mësoni mirë të luani me opsionet.

Lajmet e fundit>