Blog

Smart City Balkan Forum: Prezantohen zgjidhjet ‘smart’ të sektorit publik TIK në Shqipëri

Publikuar , 02 Shkurt 2018
0
Në forumin e organizuar nga Alb Konfindustria dhe CDO (Compagnia delle Opere), u prezantuan produkte të industrisë dixhitale nga të gjitha fushat dhe shërbimet publike. Smart City Balkan Forum: Prezantohen zgjidhjet ‘smart’ të sektorit publik TIK në Shqipëri

Zhvillimi teknologjik dhe progresi që kanë shënuar në këtë drejtim shërbimet publike ishin temë kryesore e “Smart City Balkan Forum” që u zhvillua më datë 31 janar në Tiranë, ku pjesëmarrës ishte dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.

Në forumin e organizuar nga Alb Konfindustria dhe CDO (Compagnia delle Opere), u prezantuan produkte të industrisë dixhitale nga të gjitha fushat dhe shërbimet publike.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke qenë institucioni përgjegjës për menaxhimin dhe administrimin e portalit unik qeveritar e-Albania si dhe të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në tërësi për sektorin publik, ka një rol mjaft të rëndësishëm sa i takon procesit të dixhitalizimit të shërbimeve shtetërore në dobi të qytetarit, biznesit dhe vetë punonjësve të administratës publike.

Gjatë një prezantimi më të hollësishëm rreth punës së e-Albanias, znj. Romina Kostani, përgjegjëse e Sektorit të Promovimit në Drejtorinë e portalit, u bëri me dije të pranishmëve se bashkëveprimi ndërinstitucional po zgjerohet gjithnjë e më shumë dhe besimi se një përqindje e madhe e shërbimeve shtetërore do të kalojë totalisht online është i madh.

“Janë 47 institucione që bashkëpunojnë për ofrimin e 527 shërbimeve online. Regjistrojmë deri më sot 425,000 përdorues të regjistruar në portal dhe mbi 25,000 përdorues të rinj në muaj. Mbi 5,000 qytetarë dhe biznese që kanë nevojë të pandërprerë për asistencë çdo muaj. 450,000 certifikata të gjendjes civile janë gjeneruar nga portali e-Albania në 4 muaj duke iu kursyer qytetarëve 22,500,000 lekë të reja meqenëse këto dokumente ofrohen pa pagesë në portal”, tha znj. Kostani.

Sa i takon lehtësive për biznesin, mbi 135,000 vërtetime tatimore janë gjeneruar nga portali e-Albania në vetëm 4 muaj, duke iu kursyer bizneseve 33,650 orë pritje nëpër radhë dhe duke shmangur dhe veprime të tjera burokratike që do të sillnin kosto të tjera për biznesin. Nga ana tjetër, shërbimet doganore të autorizimeve dhe pullave fiskale do të ofrohen prej datës 1 shkurt në portal dhe të tjera shërbime elektronike për pagesën e taksave nga Tatimet do të jenë të disponueshme shumë shpejt në portal.

LEXO EDHE:  Qyteti i dytë në SHBA që paguan mijëra dollarë hakerave pas sulmit me ransomware

Të pranishmit dhe veçanërisht investitorët italianë të ftuar në aktivitet shprehën vlerësimet e tyre mbi zhvillimin e sektorit TIK në Shqipëri si dhe bënë pyetje më të detajuara mbi kategoritë e shërbimeve elektronike që ofron portali qeveritar.

Lajmet e fundit>