Lajmet

Softmogul, një platformë jo vetëm për menaxhimin e hoteleve

Oct 17 2018
0 Shpërndarje
Softmogul, një platformë jo vetëm për menaxhimin e hoteleve

Takimet e Startup Grind Tirana, Albi Zhulali i ka ndjekur vazhdimisht, duke dëgjuar sipërmarrësit e suksesshëm të ftuar, frymëzim për të rinjtë.

Për atë, por edhe pjesëmarrësit në eventin e fundit zhvilluar të Hënën pasdite në ICTSLab, takimi i Startup Grind ishte special.

Ai ndryshoi karrige nga dëgjues në spiker, duke u vendosur në vendin e personazhit të suksesshëm. Një rrugëtim që ngjan i thjeshtë brenda sallës së Startup Grind Tirana, por që mbart shumë punë nga ana e Albit për të arritur aty ku ai është sot.

Ende pa i mbushur të 30-at, Albi Zhulali është një ndër sipërmarrësit e rinj më të suksesshëm shqiptar. Softmogul, kompania e tij që ka kapërcyer oqeanin, po ofron zgjidhje të dobishme për menaxhimin e hoteleve në Amerikë dhe tregje të tjera. Pak vite pune, Softmogul numëron rreth 30 të punësuar, me zyra në Shqipëri, Itali dhe SHBA. Fituesi i Mobilitetit të edicionit të pestë ICT Awards, Albi shpalosi rrugëtimin e tij në një intervistë zhvilluar me Gerti Boshnjakun, bashkëdrejtues i Startup Grind Tirana.

Si në shumë raste të tjera, edhe kësaj here, kuptojmë se suksesi nuk është rastësi. Albi, edhe pse nuk ishte i shkëlqyer në mësime, punoi shumë jashtë kurrikulave. Kurioz e kurajoz, nis punën e parë që 16 vjeç në kompaninë e një të afërmi duke zhvilluar software. Pasioni për teknologjinë e bënte të kalonte netë pa gjumë edhe kur hapi biznesin e tij në këtë drejtim.

Gjatë intervistës në Startup Grind, ai tregoi se kishte provuar shumë nisma, para se të “godasë në shenjë” me Softmogul.

Edhe pse jeta e tij ndahet mes Europës dhe Amerikës, Albi zbulon si arrin të menaxhojë kompaninë, së bashku me ortakun e tij, Arnoldin.

Rekrutimi i të rinjve profesionistë ka për kriter vlerat e përbashkëta. Albi tregon se, “në kompaninë tonë nuk ka rëndësi sa di, por sa je në gjendje të mësosh”.

Duke futur format më praktike e moderne të menaxhimit, ai arrin të çojë punën para edhe në distancë. Një format që mund të përdoret nga sipërmarrës të përmasave dhe sektorëve të ndryshëm, është Agile, formë menaxhimi që ju mundëson të delegoni, të respektoni afatet, e të realizoni një punë cilësore.

Por, Softmogul, e kundërta e Microsoft në emërtim, duket se ka rrugë të gjatë e interesante për të bërë. Albi tregon se, nuk do të jetë platforma që menaxhon shërbimet e akomodimit i vetmi shërbim i Softmogul. Sektorë të tjerë pritet të gëzojnë shpejt mundësinë e shërbimeve të vlefshme për menaxhim, nga kompania me bazë në Shqipëri. /Bussinesmag.al

Lajmet e fundit>