Harduer

Sony zbulon Xperia Z2: regjistrim video 4K, ekran 5.2 inç, si gjithmonë rezistent ndaj ujit

Publikuar , 24 Shkurt 2014
Sony zbulon Xperia Z2: regjistrim video 4K, ekran 5.2 inç, si gjithmonë rezistent ndaj ujit

MWC-Sony-Xperia-Z2-1Gjatë Mobile World Congress që po zhvillohet në Barcelonë, Sony ka prezantuar një tjetër smartfon të ri, Xperia Z2, vetëm katër muaj pasi prezantoi Xperia Z1 dhe një vit pas lançimit të telefonit të parë në këtë seri, Xperia Z.

Fakti që i kemi përmendur pajisjet paraardhëse të Z2 ka një lidhje: arsyeja është se të treja këto pajisje kanë dizajn pothuajse identik me njëra-tjetrën. Kutia që i mbështjell është me ngjyrë të zezë, butoni kryesor është me ngjyrë argjendi ndërsa butonat e zërit janë në krah të djathtë. Nëse nuk do të ekzistonte ndryshimi i ekranit (Z2 është 5.2 inç ndërkohë që Z dhe Z1 kanë ekrane 5 inç), atëherë do të ngatërroheshin fare lehtë me njëri-tjetrin.

Megjithatë, pavarësisht faktit se në dizajn janë të ngjashme, karakteristikat e brendshme kanë pësuar përmirësime në Z2. Përveçse është smartfoni Android me ekran më të madh i Sony-t, Z2 sjell disa specifikime fantastike. Ka proçesor 2.3GHz quad-core Qualcomm Snapdragon, ka një kamerë 20.7 MP me një sensor imazhi 1/2.3-inç q mund të regjistrojë video 4K, 3GB RAM si dhe një bateri 3,200 mAh.

Kamera e Z2 ka një sërë veçorish të reja, përfshi Timeshift video, e cila të lejon të regjistrosh me 120 frames per sekondë dhe më pas të ngadalësosh skena të caktuara për të marrë një efekt slow motion. Edhe zëri në përgjithësi është më i mirë krahasuar me modelet e kaluara. Mikrofoni është STM10 stereo, bokset janë po ashtu stereo si dhe është përfshirë teknologjia e anulimit të zhurmës dixhitale. Ashtu si pajisjet e tjera të shtrenjta nga Sony, edhe ky smartfon është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit. Pritet që ai të hidhet në treg në mars 2014, ndërkohë që çmimi nuk është bërë ende publik. (PCWorld Albanian)

LEXO EDHE:  Sony prezanton dy smartfonë dedikuar fotografëve