Biznes

Spotify angazhohet për rritjen globale pavarësisht humbjeve

Publikuar , 24 Gusht 2012
0
Spotify angazhohet për rritjen globale pavarësisht humbjeve

Shërbimi për muzikë streaming, Spotify, është duke u zgjeruar globalisht, pavarësisht humbjeve të regjistruara prej 45.4 milionë Euro në vitin 2011.

Ky defiçit erdhi pavarësisht rritjes së të ardhurave vjetore prej 187.8 milionë Euro, krahasuar me 73.9 milionë Euro në vitin 2010.

Humbja i atribuohet shpenzimeve të mëdha të përfshira në liçensim nga kompanitë muzikore të cilat Spotify i ka në ofertë.

Ky shërbim konfirmoi planet për zgjerim në Kanada, po ashtu edhe në disa shtete të Azisë dhe Amerikës Jugore.

Shërbimi tashmë është në dispozicion në 15 shtete, përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në.

Kjo kompani me bazë në Londër ka vendosur filiale në Singapor dhe Hong Kong, por ende nuk e ka lançuar produktin e vet në asnjërën prej këtyre dy vendeve.

Wall Street Journal raportoi rritje në abonimin premium në Spotify duke publikuar edhe raportin e fundit financiar. Të ardhurat nga pagesat e konsumatorëve vitin e kaluar ishin 156.9 milionë Euro, rritje kjo nga 52.6 milionë që ishte në vitin 2010.

Megjithatë modeli tjetër i të ardhurave të Spotify – lëshimi i reklamave në mes të muzikës për abonentët që nuk paguajnë – është ngadalësuar.

Kjo kompani ka regjistruar vetëm një rritje të vogël – 6.5 milionë Euro – në të ardhurat e reklamave, duke arritur 27.6 milionë Euro në vitin 2011.

Abonentët e shërbimit mund të paguajnë 9.99 paundë britanikë për abonim të plotë, që lejon dëgjimin e muzikës edhe në celularë, apo 4.99 paundë për dëgjim pa limit, pa reklama, në kompjuter apo laptop.

Në fund të vitit 2011, sipas raporteve financiare, Spotify kishte 32.8 milionë përdorues të regjistruar. Kompania tha se 15 milionë prej tyre ishin aktivë, prej së cilëve katër milionë paguanin për të përdorur shërbimin – numër ky që Spotify thotë se është vazhdimisht në rritje.

LEXO EDHE:  Spotify ka 100 milionë përdorues me pagesë

Ky numër duhet të rritet nëse kompania dëshiron t’i balancojë kostot e liçensimit të katalogut të saj të madh prej afro 15 milionë këngëve.

Spotify u paguan studiove muzikore një tarifë të vogël sa herë që kënga transmetohet, pa marrë parasysh se a paguan abonenti apo jo.

Pavarësisht se Spotify ka paguar rreth 200 milionë Euro për këngë që nga viti 2008, disa artistë kanë hequr veten nga libraria e tij, duke sugjeruar se tarifat e ulta për transmetim nuk ofrojnë kompensim të mjaftueshëm për ndonjë humbje potenciale të shitjeve përmes mjeteve më tradicionale. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>