Analiza

Surface Pro 2 eshtë si një PC i vërtetë

Publikuar , 24 Tetor 2013
0
Surface Pro 2 eshtë si një PC i vërtetë

surface2Sa prej jush kanë një tablet? Pothuajse të gjithë. Sa prej jush kanë një tablet ku mund të punohet me Photoshop-in e plotë? Menjëherë, numri ulet në mënyrë drastike dhe mbeten ndoshta vetëm ata që kanë një tablet jo-ARM me Windows.

Së fundmi, sa prej jush kanë një tablet ku mund të punohet me Photoshop-in e plotë, Adobe Premiere Pro, shumë shfletues uebi dhe shumë gjëra të tjera, të gjitha në të njëjtën kohë pa shkaktuar vonesa? Janë vetëm tabletët e fuqizuar me Intel Core, nëse keni një të tillë, si për shembull Surface Pro 2.

Surface Pro 2 është gjenerata e dytë e tabletëve me Windows 8 (tashmë 8.1) nga Microsoft-i. Është një PC i fuqishëm brenda dizajnit të një tableti, i krijuar për përmbushur nevojat e përdoruesve për punë në kompjuter dhe argëtim – të gjitha pa përjashtim. Është ide madhështore, dhe jo vetëm në teori.

Surface Pro 2 dhe paraardhësi i tij janë aq të fuqishëm sa të menaxhojnë punën e një departamenti, së bashku me një monitor të jashtëm, hard drive-t, bokset dhe USB-të. Më pas, kur puna ka mbaruar, tableti mund të shkëputet prej tyre dhe të luajë një film në Netflix, kudo ku jeni.

Por, a e çon përtej këtyre përvojën e përdoruesit Surface Pro 2 i cili do të gjendet në treg që prej kësaj jave për 899 $? Në një farë mënyrë, po, por jo domosdoshmërisht falë harduerit. Surface Pro 2 vjen me Windows 8.1, i cili përfshin një sërë përmirësimesh që zgjerojnë mjetet ekzistuese. Por, përtej saj, sot bota është bashkuar pothuajse plotësiht me cloud-in – një prej shtyllave kryesore ku bazohet Windows 8. Surface Pro ishte në fakt një pajisje mjaft e mirë, por me Surface Pro 2 ka më tepër softuerë që e bëjnë këtë të fundit edhe më të shkëlqyer.

Shumë gjëra të përbashkëta

Microsoft shprehet se Surface Pro ishte ndër më të shiturit në kategorinë e vet, cilado qoftë ajo. Është tablet, PC dhe ndoshta teknikisht edhe një Ultrabook. Pasi keni përdorur një të tillë për disa minuta, nuk do të keni dyshime se çfarë po mbani në dorë: një shembull të përsosur të asaj çka është dhe çfarë mund të bëjë mobile computing – aq i fuqishëm sa të përfundojë çdo gjë dhe aq i lehtë sa për t’u mbajtur në çantë.

Surface Pro 2 ka një dizajn pothuajse identik me origjinalin: Pesha dhe përmasat janë njësoj, dhe të gjitha portat në të njëjtat vende. Nëse Microsoft-i nuk do të kishte zëvendësuar logon e Windows 8 në pjesën e prapme të tabletit me një që shkruan vetëm ‘Surface’, atëhere do të ishte e pamundur t’i ndaje nga njëra – tjetra pa i ndezur më parë dhe pa kontrolluar në Control Panel.

LEXO EDHE:  Apple lançon iOS 13.1.1 për të adresuar disa probleme

Mirë do të ishte që të kishin zvogëluar pak peshën duke bërë një ridizajnim. Surface Pro 2 peshon 907 gram, shumë më i rëndë se një pjesë e madhe e tabletëve. Faktikisht, ai mund të krahasohet me Ultrabook-ët në këtë aspekt – Sony Vaio Pro 11 është pothuajse 30 gram më i lehtë, dhe të mos harrojmë që ka edhe një tastierë fizike. Shefi i Surface, Panos Panay, e quajti tabletin një ‘bishë e vërtetë’ gjatë prezantimit; e kishte fjalën për fuqinë përpunuese, por edhe në aspektin fizik vlen kjo shprehje.

Në vend që ta bënte tabletin më të hollë, Microsoft është përqëndruar në riorganizimin e pjesëve të brendshme. Surface Pro 2 ka një proçesor të gjeneratës së katërt Intel Haswell, që do të thotë se

pajisja është në gjendje të operojë me më shumë punë dhe të shpenzojë më pak energji krahasuar me modelin e vitit të kaluar. Kjo e fundit ka shumë rëndësi për Pro-në, sepse bateria e tabletit të parë ishte skandaloze – rreth katër orë dhe madje Mashable ka regjistruar edhe më pak se aq!

Me Surface Pro 2, Microsoft premton 75% më tepër jetëgjatësi të baterisë, çka do të thotë 7 orë në total dhe kjo gjë rezultoi mjaft e vërtetë nga testet e Mashable. Sigurisht, nëse shikoni video në full HD me ndriçimin në maksimum, koha do të ulet, por të paktën tani po flasim për orë, jo për minuta.

Ekrani i Surface Pro 2 është pothuajse i njëjtë me atë në Pro 1: Të dy janë 10.6 inç me rezolucion 1920 x 1080. Microsoft shprehet se ka përmirësuar saktësinë e ngjyrave, por ne nuk dalluam ndonjë diferencë të madhe në krahasimin e dy tabletëve ngjitur me njëri-tjetrin – megjithatë, nëse jeni profesionist i dizajnit dhe fotografisë, ndoshta mund të shihni ndonjë ndryshim, sepse në fund të fundit, për këtë kategori profesionistësh, çdo detaj i vogël ka rëndësi.

Aksesorë shtesë

Me tabletin mund të blihen edhe aksesorë shtesë. Një prej tyre është ArcMouse Surface Edition (69.99 $), i cili është një mouse i lakuar që funksionon me Bluetooth, është mjaft i saktë dhe përgjigjet shpejt. Gjithsesi, butonat mund të kenë nevojë për pak më shumë forcë për t’u shtypur, krahasuar me atë që pritej.

Nga ana tjetër, Type Cover-i i ri – varianti i tastierës së famshme me taste të vërteta – është një përmirësim i dukshëm. Type Cover 2 (129.99 $) punon po aq mirë sa versioni i parë, por ky version ka edhe ndriçim të brendshëm që mund t’ju hyjë në punë nëse ju duhet të shkruani në një ambient të errët.

LEXO EDHE:  Microsoft do të paralajmërojë përdoruesit për tu larguar nga Windows 7

Surface Pro 2 përshtatet mjaft mirë edhe për t’u mbajtur në prehër, shtrirë. Theksojmë këtë fakt pasi Pro 1 kishte probleme me qëndrueshmërinë në këtë pozicion: Type Cover nuk funksiononte edhe aq mirë. Mesa duket, kompania e ka rregulluar këtë problem.

Të mos harrojmë edhe lapsin dixhital, i cili vjen me çdo Surface Pro dhe Pro 2. Nëse këto lloj aksesorësh janë pjesë e pandarë e punës suaj, atëhere do t’ju interesojë shumë lapsi dhe 1024 pikat e shtypjes së tij. Për gjithë të tjerët, është thjesht një aksesor që përdoret rrallë.

Një problem tjetër me Pro 1 ishte hapësira e kujtesës. Edhe pse ofrohej 64 GB hapësirë, një pjesë mjaft e madhe konsumohej shumë shpejt pasi ishin instaluar disa aplikacione. Megjithatë, sot Surface Pro 2 vjen me 200 GB hapësirë të lirë në SkyDrive. Ajo që bie menjëherë në sy është se edhe Sky Drive punon shumë herë më mirë në Surface Pro 2. Aksesi nëpër skedarët e ruajtur është i shpejtë dhe nuk ka vonesa gjatë ruajtjes direkt në cloud. Nëse jeni në dilemë se cilin version të zgjidhni, mund t’i kurseni disa para duke blerë versionin me më pak kapacitet.

Përvoja e përdoruesit në Surface Pro 2

Surface Pro 2 vjen me Windows 8.1. Në zemër të tij, ai është në fakt një PC, sepse Surface Pro 2 nuk blihet për të kaluar gjithë kohën në aplikacionet e udhëtimeve apo ato për zbavitje. Ai blihet për të punuar me programe të vërteta dhe të ngarkuara si Photoshop. Përdoruesit e Surface Pro 2 e kalojnë pjesën më të madhe të kohës në desktop.

Gjithsesi, suporti për shumë monitorë vlen të përmendet dhe ka rëndësi të madhe. Surface Pro 2 është mjaft “i zgjuar” në të dalluarit e ekranit me të cilin e keni lidhur si dhe në përshtatjen e ndërfaqes me madhësinë ideale, kjo në varësi të asaj se çfarë po synoni të bëni (thjesht pasqyrim i

ekrani apo zgjerim). Përtej kësaj, gjërat mund t’i bëni ashtu siç ju pëlqejnë. Po ashtu, bie në sy që suporti për aplikacione është shumë herë më i mirë: Në Windows 8, Google Chrome ngjante si “i pushëzuar”, ndërsa në Windows 8.1 është i mprehtë si brisk.

Prekja në Charms menu është shumë më e mirë, mjafton një prekje e lehtë. Po ashtu, edhe fakti se si Charms menu e kupton që mouse është afër cepit të poshtëm ose të sipërm, për t’u ngritur ose ulur më lart ose më poshtë në monitor.

Ajo që nuk na pëlqeu janë prekjet në desktop në Surface Pro 2 – pra, mënyra se si i përgjigjjet prekjes me gishta. Në disa aplikacione, si Chrome, tableti as nuk arriti dot ta kuptonte se cila pjesë po prekej, duke supozuar se po prekej rreth 2.5 cm më lart se gishti. Gjithashtu, tastiera virtuale nuk shfaqej gjithmonë automatikisht në momentin që prekej një kutizë teksti, mesa duket, Microsoft-i ka hequr dorë nga përdorimi i prekjes në mjedisin Desktop në Windows 8.1.

LEXO EDHE:  Microsoft ridizajnon ikonat e Office

Softueri i ri ka edhe gabime të tjera, si për shembull kur synohet të ndryshohet drejtimi i ashensorit në trackpad-in (pjesën e ngjashme me atë me prekje në laptopët e zakonshëm) e Type Cover. Pasi shkruajtëm “direction” në ekranin fillestar, u shfaq “Reverse the touchpad’s scrolling direction.” Kur u klikua, nuk ndodhi asgjë. Edhe një kërkim në Control Panel nuk rezultoi frytdhënës.

Gjë e vogël, por e bezdisshme sepse Surface Pro 2 pretentohet të kombinojë fuqinë e një PC-je të vërtetë me rehatinë e një tableti. Por, gabime të tilla, e pengojnë deri diku ta arrijë këtë gjë. Nëse kërkoni të bëni ndryshime të tilla gjithmonë në Control Panel, mbase do të përfundoni duke përdorur iPad Mini-n për Hulu Plus.

Gjithsesi, me katalogun më të zgjeruar të aplikacioneve me ndërfaqe moderne, aspekti i tabletit të Windows është më i fuqishëm se kurrë. Aplikacioni i ri i Facebook-ut për shembull, funksionon shumë mirë, edhe pse ne e preferojmë më tepër në “portrait mode”.

Një Surface më lart se të tjerët

Këtë artikull për Surface Pro 2 e kemi shkruar në Surface Pro 2 në Word, ndërkohë që kanë qenë të hapura Photoshop, Adobe Premiere, Xbox Music, Outlook, Excel, Google Chrome, të dy versionet e Internet Explorer (të gjitha me shumë tab-e) si dhe një sërë aplikacionesh me ndërfaqe moderne, thjesht për të bërë një vlerësim më të mirë. Po ashtu, po e ruajmë direkt në SkyDrive – çka do të vononte shumë në Windows 8, por në Windows 8.1 po punon në mënyrë të përsosur në Surface Pro 2.

Kjo është nga gjërat më ngacmuese të kësaj pajisjeje dhe softuerit Windows 8.1 – është një PC i fuqishëm që është i lidhur plotësisht në cloud. Që prej debutimit të Windows 8, shumë shërbime të tjera (si Adobe Creative Cloud) e kanë shoqëruar Microsoft-in në krijimin e një bote të drejtuar nga cloud-i. Dhe Surface Pro 2 është një pajisje e krijuar për të jetuar në këtë botë cloud-i. Është një tablet me zemër prej PC-je dhe truri në cloud. Është një pajisje për punë, të cilës vështirë se mund t’ia kalojë ndonjë tjetër ekzistuese. (PCWorld Albanian)

[youtube id=”lLBho_b_rAI”]

Lajmet e fundit>