Lajmet

Tashmë mund të realizoni telefonata nga kompjuteri përmes telefonit Android

Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 17 Dhjetor 2019
0
Aplikacioni duhet të jetë i instaluar në Windows 10 ndërsa në Android duhet të shkarkohet nga Play Store. Më poshtë gjeni lidhjet e shkarkimit. Tashmë mund të realizoni telefonata nga kompjuteri përmes telefonit Android

Realizimi i telefonatave nga kompjuteri juaj Windows 10 i lidhur me një telefon Android tashmë është i mundur për këdo falë përditësimit më të fundit të aplikacionit YourPhone.

Funksionaliteti ka qenë në testim prej disa muajsh dhe tashmë ka filluar të ofrohet për të gjithë përdoruesit që do të thotë se është i disponueshëm në versionin stabil të Windows 10.

Megjithatë lançimi i funksionit është gradual dhe i kufizuar vetëm në disa tregje. Microsoft zakonisht nis shërbimet e reja në SHBA për tu zgjeruar në Evropë e më pas edhe pjesën tjetër të botës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Microsoft tha se funksioni po bëhet gradualisht i disponueshëm për të gjithë përmes aplikacionit YourPhone.

Aplikacioni duhet të jetë i instaluar në Windows 10 ndërsa në Android duhet të shkarkohet nga Play Store. Më poshtë gjeni lidhjet e shkarkimit.

Sapo dy pajisjet, kompjuteri dhe telefoni të komunikojnë, disa tabe do të shfaqen në desktop si SMS, Fotot dhe së fundi edhe Telefonatat. Prej aty është e mundur që të kryeni thirrje nga kompjuteri e madje edhe tu përgjigjeni telefonatave. /PCWorld Albanian

LEXO EDHE:  Pas 11 vitesh GitHub bëhet me një aplikacion mobil