Blog

Të ardhurat nga tregu i telekomunikacioneve në rënie

Sep 17 2018
0 Shpërndarje
Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive. Të ardhurat nga tregu i telekomunikacioneve në rënie

Tregu i telefonisë celulare po riformatohet me shpejtësi, në linjë me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë dhe internetit.

Ai po orientohet drejt datave, broadband, teknologjive të reja dhe shërbimeve nëpërmjet celularit dhe internetit, duke përfshirë shërbimet financiare dhe bankare, si dhe transportin.

Interneti e ka bërë komunikimin më të lirë, duke ndikuar në uljen e ndjeshme të trafikut ndërkombëtar, që është një nga burimet kryesore të të ardhurave të kompanive.

Kjo ka sjellë rënie të lartë të të ardhurave të tregut të telefonisë, që dominohet nga operatorët celularë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të ardhurat totale të sipërmarrësve nga komunikimet elektronike për vitin 2017 ranë me 13% në raport me një vit më parë, duke arritur në 37 miliardë lekë. Edhe normat e fitimit janë ulur ndjeshëm, larg viteve të arta kur subjektet kishin një normë përfitueshmërie prej rreth 50%.

Vodafone mbetet më i madhi në tregun e telefonisë celulare dhe ka arritur të mbajë të ardhurat e pandryshuara në 17.2 miliardë lekë.

Telekom Albania, operatori i dytë më i madh në treg, pa një rënie të të ardhurave me 14% në 9.1 miliardë lekë. Sipas deklarimeve në bilanc, për herë të parë që kur nisi aktivitetin, Telekom Albania deklaroi një humbje të thellë prej 4.8 miliardë lekësh, nga fitimet minimale prej 156 milionë lekësh të një viti më parë.

Edhe për Albtelecom, rënia e të ardhurave ishte dyshifrore. Qarkullimi i operatorit të telefonisë fikse dhe celulare ra me 11.5% në 8.2 miliardë lekë.

Plus Communication ka vijuar të jetë në listën e më të mëdhenjve, teksa ka ushtruar aktivitet deri në nëntor, duke deklaruar të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh (-18.3%). Kompania e katërt e telefonisë celulare, një investim i sipërmarrësve shqiptarë, u tërhoq nga tregu në fund të 2017-s, tetë vjet pasi kishte filluar aktivitetin. Ekzistenca e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, mosndërhyrja e autoriteteve, mosrregullimi i tregut dhe vonesa në licencën 3G e vunë kompaninë në vështirësi dhe në vitin 2014, humbjet ishin 1.4 miliardë lekë, nga 1.8 miliardë lekë që ishte totali i të ardhurave, çka krijoi probleme dhe në shlyerjen e një kredie sindikatë, të marrë për zhvillimin e aktivitetit (të cilën më pas e morën përsipër aksionerët).

Abcom është një tjetër operator në telekomunikacione, me shërbimet e trefishta (telefoni, televizion, internet), që ka parë ngadalësim të aktivitetit dy vitet e fundit. Pas rënies së lehtë të të ardhurave në 2016-n, kompania u zgjerua me 2.5% në 2017-n, në 1.8 miliardë lekë.

Vitet e fundit po shënojnë rritje operatorët që veprojnë në tregun e telekomunikacioneve përmes shitjes së shërbimeve në tregjet e huaja ose menaxhimin e faturimit të trafikut telefonik.

INFO TELECOM ka vijuar të ketë të ardhura të larta, që arritën në 14.9 miliardë lekë, me një rritje prej 9.3%, duke u renditur e 12-a në vend sipas qarkullimit vjetor. Sipas specifikimeve në bilancin zyrtar, 99% e të ardhurave të kompanisë janë nga eksportet e shërbimeve (dhe 99% të shpenzimeve janë importe) dhe vetëm 1% janë të ardhura nga shërbimet e komunikimeve elektronike nga Shqipëria. Kjo kompani ka shënuar edhe ndryshim të aksionerëve. Marin Gjonaj ka blerë 60% të aksioneve të Anisa Skëndaj në maj 2018, sipas lëvizjeve të reflektuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Z.Gjonaj më herët zotëronte 40% të aksioneve të Info Telecom dhe ka marrë në këtë mënyrë kontrollin 100% të kompanisë. Ai ka blerë dhe aksionet e znj.Skëndaj në dy kompanitë e tjera Digicom dhe Pro Marketing, duke krijuar grupin Gjonaj.

BWB, e krijuar në 2014-n, me aktivitet në instalimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e impianteve për rrjete telefonie fikse dhe mobile, si dhe menaxhimin e faturimit për trafikun telefonik brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka katërfishuar të ardhurat në 8.4 miliardë lekë.

ALPI-COM HOLDING (blerja apo disponimi mbi pjesëmarrje në kapital në korporata/ telekomunikacion), raportoi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, me një rënie prej 37% me bazë vjetore.

FLED COMMUNICATION me aktivitet në shitje, blerje, tregtim të trafikut telefonik me shumicë, që në 2016-n deklaroi të ardhura prej 1.9 miliardë lekësh, ka pezulluar aktivitetin në shtator të 2017-s, sipas deklarimeve në Qendrën Kombëtare të Biznesit. /Monitor

Lajmet e fundit>