Lajmet

Të dhënat e përdoruesve mund të keqpërdoren në Chrome

Oct 7 2012
0 Shpërndarje
Të dhënat e përdoruesve mund të keqpërdoren në Chrome

Lojërat e rreme që imitojnë titujt e Angry Birds në dyqanin për aplikacione për Google Chrome mund të rrëmbejnë shfletuesin tuaj dhe të paraqesin reklama shtesë në uebfaqe.

Kompania Barracuda Networks ka konstatuar se rreth 83 000 përdorues të Chrome tashmë kanë instaluar këto lojëra të rreme. Mashtruesit u goditën kur zhvilluesi i lojës Rovio lëshoi një titull të ri në degën e vet për Angry Birds të quajtur Bad Piggies më 27 shtator.

Në dispozicion nga App Store për 1 dollar për iPhone dhe 3 dollarë për iPad dhe pa pagesë nga Google Play, Bad Piggies shumë shpejt u bë një hit, duke arritur majat e shkarkimit nga të dy sistemet operative mobile.

Por, për dallim nga titujt e mëhershëm të Angry Birds, Rovio nuk është duke ofruar një version zyrtar online të lojës që luhet falas nga një shfletues. Mungesa e një versioni pa pagesë online për Bad Piggies la hapësirë që të tjerët të fitojnë nga suksesi i menjëhershëm i lojës. Vetëm pak ditë pas lëshimit të lojës,

Jason Ding, i cili është një shkencëtar hulumtues nga Barracuda Networks, gjeti shtatë versione pa pagesë të lojës në dyqanin për aplikacione për Google Chrome. Këto lojëra nuk janë versione zyrtare të Angry Birds, por ato kanë emrin Bad Piggies brenda titullit ose përshkrimeve, duke e bërë më të lehtë gjetjen e tyre me një kërkim të thjeshtë.

Dyqani për aplikacione për Google Chrome i fton zhvilluesit që të paraqesin aplikacionet ose shtojcat për shfletues, pa pagesë, pas pagimit të një fature fillestare prej 5 dollarëve.

Çdokush me shfletues pastaj mund t’i instalojë dhe t’i përdorë ato, qoftë në një kompjuter me Windows, Mac, ose madje edhe me Linux. Por gjatë vëzhgimeve më të afërta, Ding gjeti që versionet e palës së tretë të lojës së Rovios kanë më tepër probleme duke pasur parasysh natyrën e tyre dyshuese: ata kërkojnë që t’iu “qasen të dhënave tuaja në të gjitha uebfaqet” dhe pastaj të paraqesin po ashtu reklama shtesë kur të vizitoni disa uebfaqe të popullarizuara si Yahoo, MSN, eBay, ose iMDB.

LEXO EDHE:  App Store gjeneron 85% më shumë të ardhura sesa Google Play Store

“Kodi special në shtojcë kontrollon për të parë nëse faqja vjen me Yahoo dhe nëse po, e fut reklamën nga playook.info”,- shpjegon Ding në një postim në blog. “Autorët e shtojcës mund të marrin të gjitha të dhënat në ueb kur përdoruesit shfletojnë internetin me Chrome dhe pastaj të keqpërdorin informacionin e përdoruesve, si vjedhjen dhe shitjen e a adresave të e-mailit dhe informacionet e kartave të kreditit.”

Duke mos qenë në dijeni për këto lojëra të rreme në Google Chrome, më tepër se 83 000 përdorues të shfletuesit kanë instaluar këto shtojca të infektuara me reklama, vlerëson Barracuda Research, “dhe numri i përgjithshëm ende është duke u rritur me shpejtësi ditë për ditë”.

Këshilla nga Dingu për ata që kanë instaluar ndonjërën nga këto shtojca është që të bëhet fshirja e menjëhershme e tyre dhe ndryshimi i fjalëkalimeve tuaja në uebfaqet e tjera nëse është e mundur.

Përndryshe, ai këshillon që të merren parasysh kërkesat për leje si “qasja e të dhënave tuaja në të gjitha uebfaqet” me një sy kritik drejt qëllimit të shtojcës, teksa lojërat nuk kërkojnë lejime të tilla për të funksionuar siç duhet. (PCWorld Albanian)

Lajmet e fundit>