Blog

Të rinjtë shqiptarë shpenzojnë 3.9 orë në ditë në internet

PCWorld Albanian Nga: PCWorld Albanian
Publikuar , 04 Prill 2019
0
Gjinia është faktori kryesor që vendos zgjedhjen e aktiviteteve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videolojëra, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra. Të rinjtë shqiptarë shpenzojnë 3.9 orë në ditë në internet

Që nga koha e kaluar në kafene deri te sporti, përdorimi i internetit dhe vullnetarizmi, këto janë aktivitetet kryesore që kryejnë të rinjtë shqiptarë.

Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë harxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë televizor, si dhe 3.9 orë online. Por nuk janë këto aktivitetet e vetme. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21% e bëjnë këtë me raste.

Faktor i fuqishëm në këtë çështje është, sigurisht, edhe statusi ekonomik i të rinjve: 8% e të rinjve nga grupi më i varfër ekonomikisht nuk del kurrë, krahasuar me mesataren kombëtare, që është vetëm 1%, citon studimi i FES.

Gjinia është faktori kryesor që vendos zgjedhjen e aktiviteteve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videolojëra, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra.

Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen. Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, çdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës (85% e bëjnë këtë shumë shpesh) , dalja me miqtë (70% e bëjnë shumë shpesh), shikimi i filmave (72%), relaksimi dhe kalimi kohës me familjen e tyre (92% e bëjnë këtë mjaft shpesh).

Interneti

93% e të rinjve shqiptarë, krahasuar me 85% të tyre në sondazhin e kaluar kanë akses të rregullt në Internet. Për atë minoritet të vogël, që nuk ka akses të tillë, faktori vendimtar është statusi ekonomik. 1 në 10 të rinj nga grupi me mundësi më të kufizuara ekonomike nuk ka akses në Internet. Të rinjtë shqiptarë kalojnë një kohë mbresëlënëse online, rreth 3.9 orë në ditë. Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe tek 4.1 orë në ditë.

LEXO EDHE:  Shqipëria me numër të lartë gazetarësh krahasuar me Evropën

Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011. Sasia e kohës e shpenzuar online dikton shumë elemente të jetës së të rinjve, pasi ata e përdorin internetin për shumë qëllime. Përdorimet më të shpeshta të Internetit janë: Rrjetet sociale (87% e përdorin shumë shpesh për këtë qëllim) Komunikimi përmes platformave falas si Skype/ Viber (85% i përdorin shumë shpesh), dëgjimi i muzikës (70%) dhe ndarja e fotove dhe videove me të tjerët (67%). Këto ndiqen nga shkarkimi i filmave (49%); marrja e informacionit të duhur për detyrat dhe projektet e shkollës (48%) dhe lojërat online (38%).

Përdorimet utiliare të Internetit janë të rralla dhe jo fort të njohura nga të rinjtë: shopping online dhe veprimet bankare online janë në shifrat e ulëta 5 – 10%, madje, dhe email-i, si formë më serioze komunikimi, përdoret vetëm nga 25% e të pyeturve. 51% e të rinjve e përdorin internetin për t’u informuar dhe për të lexuar lajmet mjaft shpesh. Një tjetër grup prej 37%, po ashtu, informohet dhe dëgjon lajmet online me raste. Të rinjtë e moshave pak më të pjekura e përdorin internetin më shpesh për t’u informuar për lajmet se sa adoleshentët.

Kjo ndërvarje kaq e spikatur për të marrë lajmet nga interneti duhet analizuar më tej. Një raport rajonal ka treguar se vendet e Europës Juglindore, e në veçanti, Shqipëria janë shumë të pambrojtura nga rreziku i lajmeve të rreme dhe influencave të ngjashme, duke qenë se niveli i njohjes së medias dhe funksionimit të saj (media literacy) aty është mjaft i ulët.

Rrjetet sociale përdoren gjerësisht nga të rinjtë, të cilët kanë një preferencë në rritje për to. 21% e të rinjve të pyetur thonë se kanë deri në 50 miq në këto rrjete, ndërkohë që 37% thonë se kanë deri në 200 miq dhe, 30% kanë deri në 500 miq nga rrjetet sociale. Grupi me më shumë sesa 500 miq online përbën 11% të të rinjve. Megjithatë, kur iu kërkohet të rinjve se sa prej këtyre miqve virtualë do t’i konsideronin si miq në jetën reale, numrat fillojnë të bien ndjeshëm.

LEXO EDHE:  Bie numri i punonjësve që përdorin kompjuter në biznese

Mesatarisht, të rinjtë thonë se, nga numri i miqve të tyre në rrjete sociale, vetëm 29 prej tyre janë miq në jetën e përditshme, me të cilët ata kanë vërtet kontakt. Për meshkujt ky numër është 31, ndërkohë, që për femrat është 25. Vihet re një hendek i madh midis numrit të miqve në botën virtuale dhe atyre në jetën e përditshme. Të rinjtë janë pyetur nëse kanë besim që rrjetet sociale i përdorin të dhënat e tyre personale me përgjegjësi, pra, e mbrojnë privatësinë e tyre. Ky sondazh u zhvillua përpara zbulimit të skandalit të Cambridge Analytica, i cili ndezi një debat global mbi sasinë e madhe të të dhënave personale, që kompani si Google apo Facebook zotërojnë dhe për mënyrat se si ato përdoren për përfitime komerciale.

Rreth 46% e të rinjve nuk kanë besim ose kanë fare pak besim te rrjetet sociale në lidhje me të dhënat e tyre. Rreth një e katërta i beson shumë ose plotësisht, ndërkohë që 29% ndihen deri diku besues, por jo plotësisht. Femrat duken më skeptike sesa meshkujt për këtë çështje. /Monitor

Tags >

internet
Lajmet e fundit>