Biznes

Teknologjia 5G në Shqipëri në mesin 2022

Nga: PCWorld
Publikuar , 10 Nëntor 2021
Operatorët shprehen të shqetësuar se çmimi i lartë i ankandit mund të zvogëlojë aftësinë e tyre për të pasur kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës teknike të kërkuar 5G. Teknologjia 5G në Shqipëri në mesin 2022

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur dokumentin e Planit të veprimit për adoptimin e teknologjisë 5G në Shqipëri.

Dokumenti është përgatitur në bashkëpunim me kompaninë e konsulencës Jones Group International dhe rekomandon që procedura e tenderit për dhënien e autorizimeve për përdorimin e frekuencave në brezin kryesor të teknologjisë 5G, atë 700 MHz (694-790 MHz) të shpallet deri në mesin e vitit të ardhshëm. Brezi në fjalë shfrytëzohet nga operatorët e shërbimeve televizive dixhitale.

Sipas Planit Kombëtar të Frekuencave, që u miratua në mars të këtij viti, brezi 694-790 MHz, do të kalojë përfundimisht nën administrimin e AKEP duke filluar nga 30 qershori 2022. Gjenerata 5G është kufiri i ri teknologjik i komunikimeve të lëvizshme, që pritet të sjellë shpejtësi interneti shumë të larta se ato që ekzistuese. Vlerësohet se rrjetet 5G mund të ofrojnë shpejtësi maksimale interneti që tejkalojnë kufirin e 10 Gbps ose 10 herë më të larta krahasuar me versionet më të avancuara të teknologjisë 4G.

Lidhur me çmimin minimal që do të kërkohet nga pjesëmarrësit në tender, plani rekomandon që, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe operatorët e komunikime elektronike, të kryhet një dëgjesë publike. Për këtë çështje, operatorët celularë anë paraqitur shqetësimet e tyre edhe në fazën e konsultimit të planit të veprimit. Mes tyre ekziston shqetësimi se abonimi i përdoruesit përfundimtar mund të mos krijojë të ardhura të nevojshme për ta bërë rrjetin 5G ekonomikisht të qëndrueshëm. Sipas tyre, është thelbësore që Qeveria kur vendos një çmim minimal të përqendrohet në arritjen e qëllimeve të lidhjes digjitale: kjo do të thotë që interesi për përfitimet afatgjata sociale dhe ekonomike nga zhvillimi i brezit të gjerë 5G duhet të tejkalojë interesin afatshkurtër të Qeverisë në maksimizimin e të ardhurave shtetërore.

LEXO EDHE:  Autoritetet dyshime se në tregu celular po aplikohen praktika të pandershme

Operatorët shprehen të shqetësuar se çmimi i lartë i ankandit mund të zvogëlojë aftësinë e tyre për të pasur kapitalin e nevojshëm për zhvillimin e infrastrukturës teknike të kërkuar 5G. Gjithashtu, ata kanë kërkuar që autorizimet e për frekuencat e teknologjisë 5G të paguhen me këste për të paktën pesë vjet. Ata rekomandojnë që Qeveria të marrë në konsideratë zbatimin e mekanizmave fiskalë për stimulimin e investimeve në zonat e thella dhe rurale, duke argumentuar se zonat rurale shqiptare kanë një kosto shumë të lartë zhvillimi dhe, në mungesë të subvencionimit nga Qeveria shqiptare shtrirja e rrjeteve 5G në zonat rurale do të kërkojë një kohë të gjatë për t’u zhvilluar. Madje, disa operatorë mendojnë që, duke qenë se një infrastrukturë e rrjetit 5G në Shqipëri do të kishte një kontribut të rëndësishëm në qeverisjen më efektive, shteti duhet të jetë i gatshëm të kontribuojë me para për investimin në infrastrukturën e nevojshme. Disa operatorë shprehën qëndrimin se një ulje e tarifave të taksës së komunikimit radio prej të paktën 40% nga niveli aktual do të rriste probabilitetin e suksesit ekonomik.

Megjithatë, në dokument AKEP është shprehur se komentet e operatorëve mbi qëndrueshmërinë ekonomike duket se nënvlerësojnë tregun e zgjeruar që ofron teknologjia 5G, për sa i përket lidhjes Biznes me Biznes dhe Sistem me Sistem.

/Monitor